E hedh dot në gjyq ishbashkëshortin?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Avokat Idajeti, kam një problem të madh... Kam qenë e martuar me një shqiptar dhe jetonim në Angli. Që të dy jemi regjistruar si kosovarë dhe kemi pasaporta britanike, me mbiemra të ndryshëm. Dy fëmijët i kemi të paregjistruar në Shqipëri. Kemi ndërtuar një shtëpi dy katëshe, por çdo gjë është në emër të burrit. Ai tani është ndarë nga unë dhe nuk do të më japë asnjë pjesë nga shtëpia, përveç një shume të vogël parash. Këtu kam certifikatën e martesës, që dëshmon se shtëpia është ndërtuar në periudhën kur ne kemi qenë të martuar, por mbiemri i tij nuk korrespondon me atë të Shqipërisë. Kam kasetën e dasmës, fotografitë dhe certifikatat e lindjes së fëmijëve që të provoj kush është ky person. A mund ta hedh në gjyq për këtë pronë që e kemi ndërtuar bashkë dhe a kam ndonjë shans të marr pjesën që më takon? Në letrën e pronësisë së shtëpisë ai ka futur edhe emrin tim, jo me mbiemër të vajzërisë, por të tijin. Ne s’jemi martuar në Shqipëri. Ai ka shkuar në Shqipëri disa herë e kam frikë se e ka hequr prapë. Gjithashtu, si provë janë edhe ndërtuesit e shtëpisë, të gjithë të dërguar nga familja ime, pasi ne jetonim këtu. Do t’jua di shumë për faleminderit nëse më jepni një përgjigje që mund të më ndihmojë.

Idajet Beqiri, avokat: - Me sa ju kuptova, shqetësimi juaj i vetëm është shtëpia dy katëshe që keni ndërtuar në Shqipëri gjatë kohës që keni qenë të martuar me ish- bashkëshortin tuaj. Gjithçka që keni vënë gjatë kohës së martesës, pasuri e luajtshme apo e palujtshme, konsiderohet pasuri në bashkëpronësi. Sa është pjesa e secilit bashkëshort mbi këtë pasuri, kjo varet nga disa faktorë. Në radhë të parë, bashkëshortët e zgjidhin këtë problem kur lidhin martesën. Bëjnë një kontratë dhe parashikojnë se në rast të zgjidhjes së martesës, burri do të marrë kaq përqind të pasurisë, ndërsa gruaja, kaq përqind.

- Kur kjo kontratë nuk ekziston, bashkëshortët konsiderohen bashkëpronarë në pjesë të barabarta mbi pasuritë që kanë vënë pas martesës. Përgjithësisht, burrat, kur çkurorzohen dhe kërkojnë ndarjen e pasurisë bashkëshortore, pretendojnë se kanë siguruar më shumë të ardhura sesa gratë në vënien e pasurisë e, për rrjedhojë, kërkojnë më shumë pjesë në përqindje sesa gratë, mirëpo gratë, vërtet nuk kanë marrë të ardhura financiare sa burrat, por kanë lindur dhe rritur fëmijët, kanë bërë punët e shtëpisë, i kanë shërbyer familjes më shumë se burrat etj. Pra, gjërat kompensohen dhe, si rregull, pasuria ndahet përgjithësisht gjysëm për gjysëm.

- Kështu do të veprohet edhe me shtëpinë tuaj. Të tjerat që theksoni, jo ndryshimi i mbiemrit, jo që fëmijët kanë lindur në Britani, jo që martesën ju e keni lidhur jashtë Shqipërisë apo që ish- bashkëshorti juaj mund ta ketë hequr emrin nga certifikata e pronësisë së shtëpisë etj., janë çështje që kanë pak rëndësi. Ato zgjidhen të gjitha me mirëkuptim ose me rrugë gjyqësore. Rëndësi ka fakti që të drejtën e bashkëpronësisë mbi shtëpinë që keni ndërtuar gjatë kohës që keni qenë të martuar, nuk jua mohon dot ish-bashkëshorti juaj, madje askush tjetër. Se si do të ndahet kjo shtëpi, është një problem tjetër. Shtëpia i lihet personit që ka nevojë për banim, ose ndahet në natyrë, ose i lihet njërit bashkëpronar, ndërsa bashkëpronari tjetër e merr pjesën e vet në lekë, sipas çmimit të ekonomisë së tregut. Kjo zgjidhet rast pas rasti, në një nga mënyrat e mësipërme, në gjyq. Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.