Kur i plotësoj kushtet për pension?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një K. Rosha, emigrante në Bergamo të Italisë, e datëlindjes 3 mars 1960. Kam një vjetërsi kontributive në Shqipëri prej 22 vitesh. Kur i plotësoj unë kushtet për pension dhe sa mund të më dalë pensioni? Në Itali kam 11 vite me dokumente të rregullta, por nuk kam punuar me kontribute. A mund të përfitoj ndonjë të ardhur nga legjislacioni italian?

Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: - E nderuar letërshkruese, bazuar në ligjin 104/2014, duke filluar nga viti 2015, mosha për gratë rritet gradualisht 2 muaj në çdo vit. Duke patur parasysh ditëlindjen tuaj, rezulton se ju do të plotësoni kushtet për pension pleqërie në moshën 61 vjeçare, pra, në rastin tuaj, rritja është me një vit. Bazuar në datëlindjen që keni, do t’i plotësoni kushtet për pension më 3 mars 2021.

- Por duhet të keni parasysh, se njëkohësisht duke filluar nga viti 2015, rritet edhe vjetërsia kontributive me 4 muaj çdo vit. Në rastin tuaj, për përfitimin e pensionit të plotë do t’ju duhen 37 vite. Duke patur në konsideratë se ju keni vetëm 22 vite vjetërsi kontributive, do të përfitoni një pension të pjesshëm.

- Masa e pensionit të llogaritur është në vartësi të vjetërsisë kontributive që keni gjithsej, pagave referuese të miratuara me Vendime të Këshillit të Ministrave deri në vitin 1994, si dhe pagave re- ale që mund të keni duke filluar nga 01.01.1994. Përderisa unë nuk i disponoj këto të dhëna, nuk është e mundur një përllogaritje e pensionit tuaj. Por, ashtu sikurse ju shpjegova, me vjetërsinë që keni, do të përfitoni një pension të pjesshëm.

- Duke marrë në konsidertaë moshën tuaj, ende është shpejt për të aplikuar për pension social, mbasi për përfitimin e tij kërkohen këto kushte:

- mosha 65 vite e 7 muaj (rritja e moshës për 3 muaj për gratë dhe burrat, është përcaktuar nga Reforma Fornero mbi pensionet, bazuar në parimin e koeficientit të jetëgjatësisë)

- Kanë të drejtë për pagesë sociale për vitin, të gjithë banuesit efektivisht në mënyrë të përhershme në Itali. Nga 01.01.2009, për të lindur e drejta e pagesës sociale, si një kërkesë shtesë, është domosdoshmëria për të patur një qëndrim të ligjshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme në Itali, për jo më pak se 10 vite.

- Sidoqoftë, në varësi të gjendjes suaj financiare, mund të drejtoheni në komunën ku jeni banuese, për ndihmat ekonomike që akordojnë komunat për familjet në nevojë. Ju falënderoj për besimin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.