Letra për psikologun Ç’mund të më bëjë psikologu për impotencën? Ajo pa filxhan në emrin tim...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar Doktor Demiri, jam njohur me një vajzë dhe jam në prag të fejesës, por nuk e kuptoj pse nuk po arrij dot të kryej marrëdhënie me të. Që nga hera e parë që më ndodhi, mundohem t’i shmangem, duke i thënë se jam jashtë shtetit, pasi nuk dua që ajo të mendojë se unë jam impotent. Unë nuk kam patur kurrë probleme të tilla më parë me femrat dhe nuk e di si më ra ky mallkim tani që gjeta këtë gocë të shkëlqyer me të cilën dua të martohem. Doktor Evi Dani, pasi më dëgjoi e më vizitoi me kujdes, më tha se kisha nevojë për psikolog. Për këtë arsye po ju drejtohem. Pres me padurim përgjigjen tuaj, se po vuaj shumë. Visi, Përmet. fare me ndonjë sëmundje, apo siç kujtojnë shumë njerëz, me magji! Kjo ka të bëjë vetëm me merakun e tepruar dhe me dëshirën deri diku normale që kanë meshkujt për ta “çuditur” femrën e për t’u treguar sa më burrërorë me të. Këto lloj bllokimesh që kanë të bëjnë me humbjen e besimit, unë i çliroj me psikoterapi konjitive dhe të sjelljes, duke e mundur zërin pesimist në kokën e klientit i cili e fut në alarm ende pa filluar marrëdhënia seksuale. Duke qenë i pasigurt për “suksesin” e tij në marrëdhënie, pacienti nuk guxon të kryejë më marrëdhënie dhe i humbet dalëngadalë aftësitë.

Kam dëgjuar se sportistët humbasin shumë, sikur edhe një ditë të rrinë pa stërvitje. Shkodranët, si batutaxhinj të mëdhenj, për këto raste, thonë: “meraku i madh ia prish zanatin edhe zantaçiut më të mirë”. Besoj se kjo është e kuptueshme, por unë po jua sqaroj duke e ilustruar edhe me një fenomen që u ndodh shkrimtarëve e që quhet “bllokimi i shkrimtarit”.

Kam trajtuar edhe unë raste të tilla, kur shkrimtarit i duket sikur një barrierë mendore është futur brenda tij dhe po e pengon që të shkruajë. Nuk e kam patur aq të lehtë që ta bind se ky lloj “bllokimi”, si dhe mungesa e vetëmohimit ndodhin jo sepse shkrimtari nuk mund të shkruajë, por sepse mendon se nuk mundet që të shkruajë mirë.

Është e kundërta pra e disa grafomanëve euforike që kujtojnë se janë “njerëz të letrave” e shkruajnë kot më kot derisa sfiliten, madje harxhojnë edhe paratë duke botuar vepra koti, pa pikë vlere.

- Në rastin konkret, mund të jetë edhe një shkrimtar i talentuar, por që në këtë rast vetëm rri e mendon se nuk e ka energjinë ose frymëzimin e duhur për të bërë diçka. Ende pa filluar që të shkruajë, ai zëri pesimist i thotë: “Mos u lodh kot, ti nuk je në gjendje për të shkruar...”.

Kjo gjë na ndodh të gjithëve, qoftë edhe kur shkruajmë ndonjë mesazh apo edhe mua kur jap këto përgjigje e ka raste kur nuk di nga t’ia nis... Por unë di diçka shumë të rëndësishme, i them vetes: “Nisja një herë, hidhi të gjitha mendimet në letër dhe më pas “gërshërën” në dorë e ke”... Dhe ndodh çudia, mendimet fillojnë të rrjedhin. Ndaj psikologu Lamot thotë: “Duhet ta filloni diku. Shkruani diçka, çfarëdo që të jetë, sepse thjeshtë nga veprimi i të shkruarit ju e keni injoruar e shfuqizuar atë zërin pesimist që përpiqej t’ju bënte të mos shkruanit.

Dhe, tani që jeni duke vepruar është më e lehtë ta gjeni tërë energjinë dhe cilësinë e dëshiruar. Këtë e shpjegova sepse edhe me ty Visi ka ndodhur e njëjta gjë. Shpesh ne frikësohemi ose nuk guxojmë t’i bëjmë gjërat derisa të sigurohemi se do t’i bëjmë ato mirë.

Si rrjedhojë, i ikim asaj që duhet të bëjmë, sikurse ti i ke ikur seksit, pra, rri pa e bërë. Çfarë pret?! Mbaje mend: Nëse diçka duhet bërë, ia vlen të bëhet edhe keq, por jo hiç. Mos vendos “objektiva”, vetëm bëj seks sepse hiçi të çon te hiçi. Nga frika se mos do të bëhesh i mjerë apo qesharak, ti ke gjetur mënyrat e gabuara të “ikjes” nga goca e dashur dhe e dëshiruar, e kjo është vërtet një tragjedi pasi thellë brenda vetes edhe ti e di që je potent pasi e ke provuar veten shumë herë, siç na shkruan. Problemi pra qëndron se ti ke kaq shumë frikë se mos e bën keq, saqë nuk e bën fare(!).

Në raste të tilla, kur e pranon klienti, unë u kërkoj në seancë edhe partneren, pasi duke kuptuar pozitën e mjerë, por të pafajshme të partnerit ajo bëhet si ndihmësja, inkurajuesja e madje “doktoresha” e të dashurit të saj. Se në këto raste, nuk është e lehtë t’i thuash tjetrit “mos e lejo këtë të të ndodhë”, por i thuhet “mos u shqetëso se e bëre keq dhe gjej “doktoreshën” e dyshekut...

- Përshëndetje, doja t’ju shprehja një problem që po e vuaj shumë këto ditë. Unë jam myslimane dhe fal 5 vaktet. Para 2 javësh, një kushërira ime pa filxhan për mua pa dijeninë time dhe kur më tha u bllokova dhe nuk po mundem ta praktikoj namazin siç duhet që nga ajo ditë. Jam shumë e mërzitur gjatë gjithë kohës dhe ndihem bosh. Do të doja të më kthehej prapë ajo qetësia që kisha atëherë kur falesha. Do t’ju lutesha shumë të më ndihmonit me një këshillë. Ju jam mirënjohëse!

Marsela Marsi, psikologe: - Përshëndetje. Në radhë të parë komplimente për besimin dhe për praktikimin e tij, pasi nëse ka diçka që na bën të ndihemi mirë psikologjikisht, ai është besimi në Zot. Jo më kot, ata që besojnë me zemër të pastër dhe që mbështeten te Zoti për problemet e tyre, janë njerëzit që zor se bien në depresion apo stres. Ata e dinë se mbi ne qëndron Krijuesi që ka fuqi mbi gjithçka, ndaj nuk i tremben askujt tjetër veç tij. Kjo i bën ta jetojnë jetën pa stresin e së nesërmes, pasi e dinë se është Krijuesi ai që rregullon gjithçka në këtë jetë. Të gjitha këto jua thashë sepse nuk më duket aspak e arsyeshme nga ana juaj që të ndiheni e bllokuar në namaz. Besoj se ju mbështeteni në atë se, atij që shikon fall, namazi nuk i pranohet për dyzet ditë, ndaj edhe ndiheni fajtore e kjo ndjesi ju bën që të ndieni këtë bllokim. Në fakt, më duhet t’ju them se mëkati është i atij që e kryen veprimin, domethënë, që e bën mëkatin. Pra, nëse nuk keni parë ju fall, mëkati është i kushërirës suaj, pavarësisht nëse ajo ka parë për veten apo për ju. Ne nuk jemi përgjegjës për veprimet e të tjerëve, edhe nëse ato veprime na prekin edhe neve indirekt. Çdokush është përgjegjës për veprimet e tij dhe vuan pasojat e atyre veprimeve. Nëse nuk jeni ju ajo që keni shikuar filxhan, pse duhet të ndiheni e bllokuar? Mos harroni se rituali i faljes, është një marrëdhënie e drejtpërdrejtë mes jush dhe Zotit, një marrëdhënie mes të cilës nuk ka fuqi askush të ndikojë, aq më pak, shikimi i një filxhani.

Fakti që ndiheni e bllokuar është thjesht një fiksim i juaji, të cilit më mirë se ju nuk mund t’ia gjejë shërimin askush tjetër. Përderisa mbështeteni në Zot për gjithçka, atëhere me besim të plotë mbështetuni tek ai dhe kërkoni që ai t’ju ndihmojë ta kapërceni këtë pengesë që ndjeni mes jush dhe atij. Mos harroni se ai e ka forcën mbi gjithçka dhe sigurisht, edhe mbi atë që ju e quani bllokim. Mbështetuni në besimin tuaj, kërkoni falje për mëkatet tuaja dhe vazhdoni të jetoni normalisht. Dhe, edhe një herë tjetër, ju përgëzoj për ndjekjen e besimit që keni. Faleminderit që na keni shkruar dhe Zoti qoftë gjithmonë me ju.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.