Bëra gjithçka që t’i ndaja, por ende nuk jemi bashkë

Intervista - - FAQE 1 -

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë në moshë të mesme. Jam rreth të 40-tave dhe nuk jam martuar ndonjëherë. Deri pak kohësh kam jetuar me nënën që e kam patur të sëmurë e tani ka dy vjet që jetoj vetëm, sepse nëna vdiq. Nga të gjitha rastet që kam patur për martesë një më ka mbetur më shumë merak, ndaj vendosa që të paktën t’ia nxij jetën atij personi që më dha duart.

Që të mos ju lë shumë të prisni, po ju tregoj se si ndodhi historia ime me këtë mashkull.

Isha njohur me të qëkur isha e vogël e shkoja te lagjja e tezes. Edhe pse unë isha e vogël e ai ishte gati adoleshent, ndieja diçka për të. Atë kohë thjesht kisha qejf kur e shikoja. Kishte dhe djem të tjerë lagjja, por unë kisha si fiksim vetëm atë. Kohët kaluan. Tezja shkoi në Itali dhe shtëpinë e lëshoi me qira, ndaj kaloi një kohë pak e gjatë pa e parë. Rastësisht, pasi hyra në punë, e takova në oborr të institucionit ku punoja. - Po ti këtu? - i thashë. - Më falni, nuk po ju njoh. – tha më të drejtë ai.

- Jam Edlira, jemi rritur bashkë. Unë vija te tezja…

- Mos më thuaj! Ajo çupëlina është bërë kjo zonjë kaq e bukur?! - më ndërpreu ai sapo iu kujtova.

- Haha, jo zonjë jo, se jam beqare.

- Oh, më falni, se përdora termin e gabuar, po kur të pashë kështu të bukur si je sot, u habita.

- Faleminderit, po rritja i ka këto... A mund të të ndihmoj? Pse ke ardhur?

- Nuk dua të të shqetësoj! - tha ai.

- Nuk më shqetëson aspak. Unë u kënaqa shumë që të takova.

E ndihmova për një problem të vogël që i kishte dalë me disa prona. Pastaj pimë një kafe dhe kujtuam ato kohë kur ishim të vegjël. Edhe ai nuk ishte martuar ende. Nuk e pyeta se përse nuk ishte martuar sepse e dija se ai mundësi do të kishte patur se ishte shumë tërheqës e për më tepër ishte në një punë e me gjendje ekonomike të mirë. Dhe siç kuptohet e dihet se si shkon rrjedha e këtyre takimeve, unë dhe ai i shpeshtuam duke arritur në takimin për çdo ditë. Takoheshim vetëm për kafe dhe për muhabet. Ai ishte një djalë i rregullt dhe kishte shumë ndryshim nga ai djali që ishte komandant i lagjes e gjithë të tjerët e kishin frikë. Na ecte shumë muhabeti dhe kjo bëri që unë të ushqeja mendimin se ai më donte. Unë, siç ju thashë më lart, kisha patur gjithmonë një tërheqje nga ai, por tani më dukej se dhe ai ndiente njësoj si unë.

- Të kam bërë një surprizë. – i thashë sapo u takuam dhe i zgjata një zarf mbi tavolinë.

- Ç’është ky zarf? Ndonjë çek? - qeshëm të dy me këtë batutë se të dy e dinim se ai nuk kishte nevojë t’i jepja unë lekë, se kishte më shumë se unë. - Hape e shikoje. Ai e hapi dhe buzëqeshja i ngriu në fytyrë. - Bileta avioni? Për kë? - Për ne të dy. Mendova se do të na bënte mirë një udhëtim. - Po nuk… - Kam disa punë të zyrës në Milano dhe ata më thanë se mund të shkoja me kë të doja. - shpika për momentin një gënjeshtër, se e pashë që nuk i pëlqeu surpriza.

- S’e di çfarë të them! Nuk kam qejf të ta prish dhe për më tepër, ti e di se unë e adhuroj Italinë.

- Rastisi të kisha punë aty, jo se unë vendosa. – vazhdova gënjeshtrën.

Nejse, ai sajoi një gënjeshtër tjetër nga e imja dhe nuk erdhi. Kjo më mbeti pikë në zemër. Dhe siç e kemi ne femrat që u shkojmë nga pas meshkujve që nuk na e varin, e vazhdova lojën.

Mora një shoqen time në vend të tij dhe i shijova ato ditë në Itali. Kur erdha, nuk i mbajta mëri, përkundrazi, e mora në telefon dhe kur u takuam, nuk ia përmenda fare mosardhjen, vetëm i tregoja se sa bukur ia kisha kaluar.

Pra, qëndruam bashkë për shumë kohë dhe asgjë nuk ndodhi mes nesh. Sa më shumë lidheshim miqësisht, aq më shumë mua më shtohej dashuria dhe kisha dëshirë të martohesha me të. Meqë ai nuk bënte asnjë hap përpara, këtë ia kërkova vetë.

- Ne jemi shokë, por si thua, do të shkojmë më tej?

- Sa shakaxheshë je!

Nuk e zgjata më tej. Thashë t’ia lija kohës, por koha na solli diçka të re. Pas disa javësh, ai erdhi të më takonte, bashkë me një femër.

- Është e fejuara ime dhe së shpejti, do të jetë gruaja, se presim një fëmijë!

Po bombë më të madhe se kjo nuk besoj se do të kishte! Unë mendoja të martoheshim e ja ku na dilte se ai priste një fëmijë. Unë isha e bindur se ai në fillim më kishte dashur, por se çfarë frike kishte që bëri këtë fejesë të nxituar dhe për së shumti, një fëmijë?! Nejse. Sa nuk plasa atë ditë, por e mora veten. Për ta përballuar, vendosa të largohesha. Shkova në Itali. U nisa për pak kohë, por ndenja atje për dy vjet.

Ç’t’ju them? Kisha kërkesa sa të duash, por mendja ...

(Vijon numrin e ardhëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.