Na ndau llotaria amerikane

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një vajzë që sapo kam mbushur 28 vjeçe. Jeta ime ka marrë disa drejtime që nuk e di as vetë si t’i shpjegoj. Njëherë më vjen fati e pastaj më largohet papritur. Më vjen përsëri e më le prapë se prapë në mes të katër rrugëve.

Në moshën 20 vjeçare u njoha me një djalë të mrekullueshëm. U dashurova aq shumë pas tij, por fati bëri që ai për tre muaj të sëmurej e të shtrohej në spital ku edhe gjeti vdekjen. Unë pësova një goditje të madhe, mirëpo siç thonë, të gjallët me të gjallët dhe të vdekurit me të vdekurit. Pas gati një viti u njoha me një djalë tjetër. Në fakt, nuk u lidha rastësisht me të. Më lidhi një kushërira ime. Në fillim ngurroja e nuk isha e lirshme me të se ende nuk më kishte kaluar stesi dhe mërzia e humbjes së një viti më parë, kështu që kaluam një kohë të konsiderueshme pa u lidhur tamam. Gjatë kësaj kohe, unë nuk vura re ndonjë të keqe tek ai, kështu që u lidhëm.

Në fillim jetonim të ndarë, po më pas ai më njohu me familjarët e tij dhe ne u fejuam. Ishim një çift për t’u patur zili. Në çdo moment të jetës falënderoja Zotin për këtë mrekulli që më solli. Nuk kishim mundësi të jetonim në një shtëpi tonën, kështu që shkova të jetoja te shtëpia e prindërve të tij. Shkoja shumë mirë me të atin dhe me nënën e tij. Ata më donin shumë dhe unë gjithashtu. Edhe pse të dy kishim punë të mirë, vendosëm të hidhnim llotarinë amerikane. Në fillim, vjehrri dhe vjehrra u mërzitën.

- S’është se e fituam, moj mama. – i thashë.

- Po jeni shumë mirë këtu, pse duhej të hidhnit llotarinë?

Nejse, nuk ishte edhe shumë problem kjo gjë se për pak ditë u harrua. Asnjërit nga ne nuk i shkonte në mendje se do të na dilnin vizat për në Amerikë. Në fakt, mua nuk më doli, por i doli të fejuarit tim. E lexoja dhe e rilexoja përgjigjen time e nuk po kuptoja pse nuk duhej të më kishte dalë mua. Në fillim, i fejuari im u mërzit se nuk më doli mua, por më vonë thoshte:

- Shyqyr, të paktën më doli mua. Tani kemi një dritë shprese edhe për ty...

- Po pse nuk më ka dalë mua? Ne jemi të fejuar. - i thosha.

- Po jo ligjërisht. Duhej të bënim celebrimin, por s’ka gjë se do ta rregullojmë atë punë.

Shkuam në bashki dhe bëmë celebrimin. Futëm një kërkesë që të mund të më pranonin si gruaja e tij. Na kthyen përgjigje se do ta rishikonin kërkesën, por për momentin nuk mund të më jepnin edhe mua vizë. Nuk është e lehtë t’ua hedhësh atyre të ambasadës. Ndoshta e kishin kuptuar se një celebrim aq i shpejtë mund të ishte fallso, ndonëse ne kishim vite që ishim të fejuar dhe për fatin tim të keq, nuk e kishim bërë celebrimin. Takuam një avokat dhe ai na tha se pas 6 muajsh do të më jepnin edhe mua vizë, kështu që duhej të shkonte i fejuari im dhe pastaj do të më dilte viza mua.

U mërzita shumë kur ai iku sepse isha mësuar me të në çdo moment. Edhe prindërit e tij u mërzitën shumë. Ai ishte djalë i vetëm dhe ata tashmë nuk kishin me kë të rrinin. Jo se ishin të vjetër dhe kishin nevojë për hyzmet, por se donin që të kishin njerëz afër.

- Besoj se ti do të rrish me ne. – më tha i ati. – Nuk ke pse të largohesh tani që kemi mbetur vetëm.

- Jo, jo, nuk e kisha aspak ndërmend që të largohesha nga ju. – thashë me gjysëm zëri. E çfarë do të bëja unë aty ku nuk ishte i fejuari im?! Jo se nuk më donin, por unë do të doja të rrija në shtëpinë time.

- Jo, bijë, - më tha babai im. - Nuk bën të ikësh tani që të iku i fejuari.

- Po si do të rri aty ku nuk e kam atë?

- Po ike, do të të lërë e nuk do të të marrë në Amerikë.

- Ç’është kjo që po thua, babi? Pse, nga kjo varet bashkimi im me të? Ne e duam njëri-tjetrin dhe nuk do të ketë asgjë që të na ndajë.

- Ashtu qoftë, moj bijë. – më tha babai.

Muaji i parë mezi kaloi. Çdo çast që kalonte, më dukej kohë e kaluar kot. Prindërit e tij më mbanin shumë mirë. Nëna e tij mërzitej shumë, por mundohej ... (Vijon numrin e ardhshem)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.