A e shkaktojnë sutjenat kancerin e gjoksit?

Intervista - - SHENDET -

Tashmë që kanceri i gjoksit është një nga kanceret më vdekjeprurëse të grave, në rrjetet shoqërore është ngjallur një diskutim i ndezur në lidhje me faktin nëse sutjenat me hekur poshtë, kanë lidhje me këtë lloj kanceri. “Është spekuluar shumë mbi këtë lidhje. Në fillim thuhej se presioni i sutjenave mbi gjoks mund të vështirësonte drenazhin limfatik, por kjo nuk ka asnjë justifikim fiziko-patologjik. Përveç kësaj, një studim i fundit serioz e ka përjashtuar këtë mundësi”, shpjegon doktoresha Lucia Kortijo, onkologe e specializuar për gjoksin, në spitalin Kiron të Madridit...

Zgjidhni sutjenat e duhura

Studimi i publikuar në revistën “Cancer Epidemiology, Biomarkers & Prevention” (Epidemiologjia e Kancerit. Treguesit Biologjikë dhe Parandalimi), i realizuar me më shumë se 1500 gra, ka përjashtuar çdo lloj lidhjeje mes sëmundjes dhe sutjenave me hekur. Doktoresha këshillon që t’u kushtohet më shumë vëmendje faktorëve të tjerë që janë provuar se kanë lidhje me zhvillimin e sëmundjes: “Duhen marrë masat e zakonshme, si kontrollet gjinekologjike dhe mamografia. Kur dyshoni për një masë në gjoks, gjithmonë konsultohuni me një ekspert, sidomos nëse keni pasur ndonjë rast me këtë sëmundje në familje. Gjithash- tu, duhet të ndiqni një mënyrë të shëndetshme të të ushqyerit, me dietën mesdhetare dhe duke bërë ushtrime”, përfundon onkologia.

Megjithatë, gjinekologët paralajmërojnë se duhen zgjedhur sutjenat e duhura, për të evituar mastodinitë (dhimbjet e gjoksit që shkaktohen nga ndryshimet ciklike hormonale) dhe strijat në gjoks. “Këto mund të parandalohen duke përdorur sutjenat e duhura, veçanërisht nëse praktikoni ndonjë sport. Më të këshillueshmet janë ato pa hekur, që kanë bazë të përforcuar dhe të ndihmojnë ta durosh peshën e gjoksit në mënyrë uniforme”. Sipas statistikave, shtatë në dhjetë gra nuk përdorin madhësinë e kupës dhe numrin e duhur të sutjenave, nëntë në dhjetë as nuk e njohin atë dhe pesë në dhjetë konsulta te doktori për dhimbje gjoksi, janë të lidhura me zgjedhjen e sutjenave të papërshtatshme.

Si ta gjesh masën tënde?

Për të kuptuar se cila është masa juaj e sutjenave duhet të merrni metrin dhe të masni perimetrin e kraharorit poshtë gjoksit. Kësaj shifre, në centimentra, shtojini 15: Kjo është masa e sutjenave tuaja! Për të mësuar kupën, duhet të rregulloni sutjenat, derisa gjoksi të dalë përpara dhe më pas duhet të masni perimetrin e gjoksit, duke kaluar mbi thitha. Nëse shifra është e njëjtë me masën e sutjenave që matët më parë, kupa është B (nëse është 3 cm më shumë është kupa C, 6 cm më shumë është D...) dhe nëse është 3 më pak, kupa është A.

Megjithatë, mbase zgjedhja e keqe e sutjenave i ka ditët e numëruara. Joyfit, një ndërmarrje e krijuar nga Qian Jin, e universitetit të Kolumbias, po përfundon krijimin e sutjenave të realizuara me printer 3D, të realizuara sipas gjoksit, duke përdorur një aplikim në celularin e përdorueses. Celulari do të realizojë një video të gjoksit lakuriq (shoqëria siguron konfidencialitetin absolut të këtij materiali), ndërsa aplikimi interaktiv do të llogarisë masat dhe do të krijojë sutjena që i përshtaten deri në milimetra çdo gruaje, duke u nisur nga një katalog nga i cili përdorueset mund të zgjedhin atë që i përshtatet më shumë stilit të tyre. Më pas, një printer 3D do të realizojë sutjenat dhe brenda disa ditësh, klientja do t’i marrë sutjenat në shtëpi, me një çmim afro 100 euro.

A janë të domosdoshme sutjenat?

Megjithëse përdorimi i tyre është aq i përhapur në perëndim, sa shumica e grave nuk do ta imagjinonin jetën e tyre pa to, vitin e shkuar u publikuan rezultatet e një studimi të më shumë se 15 vjetëve, drejtuar nga profesori ZhanDenis Ruijon, i universitetit Fransh-Kompte, në Bezanson. Sipas këtij specialisti, nuk ka arsye mjekësore, anatomike, apo fizike për t’i privuar gjinjtë nga efekti i rëndesës, sepse gratë që nuk përdornin sutjena, kishin zhvilluar sisteme mbajtjeje gjoksi natyrale.

Nga 330 pjesëmarrëset në studim, ato që nuk përdornin sutjena, e kishin gjoksin më të fortë, që i rezistonte më shumë prekjes dhe thithat ishin mesatarisht 7 mm më lart se ato që i përdornin sutjenat gjithë kohën. Autori i studimit doli në përfundimin se me përdorimin e sutjenave, muskujt e mbajtjes natyrale të gjoksit atrofizohen dhe përkeqësohen shumë më shpejt me kalimin e kohës, duke të detyruar të bëhesh e varur nga sutjenat.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.