Nuk u kujdesën për babain në spital, se ishte me ngjyrë

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Kjo do të ishte e para përkëdhelje e M.- së nga gjithë përkëdhjeljet që vazhdojnë edhe sot, pas nëntë vitesh dashuri e shtatë vjet martese.

Edhe pse mendja më fluturoi pas M.-së, edhe vitin e fundit të fakultetit e mbylla me nota të mira. Sapo mbarova fakultetin, ne u martuam. Familja ime bëri dasëm të madhe sepse ishte dasma e parë, ndërsa te M.-ja mezi e pranuan martesën tonë dhe bënë një ceremoni të thjeshtë familjare. Ne u bëmë me fëmijë pas tre vitesh martese dhe këtë e vendosëm qysh në fillim: “S’ka fëmijë pa bërë të paktën një vit punë unë”. Qëllimi ishte të mos shkëputesha nga puna e jetesa në shoqëri. Kështu, unë punova mësuese në një fshat afër Tiranës, punë të cilën ma siguroi një shok i vjehrrit. Sot jam me dy fëmijë, që janë kopje si vjehrri dhe vjehrra ime. E meqenëse edhe fëmijët u kanë ngjarë atyre, ata kanë filluar të më pranojnë edhe mua. Ne nuk kemi jetuar asnjëherë me ta, por pas lindjes së fëmijëve, prindërit e M.-së na kanë ndihmuar që të dyve që të mos shkëputeshim nga puna.

Ndërsa babai u dha dy vëllezërve zanatin e tij, motra e vogël është bërë rrobaqepëse shumë e mirë si halla e gjyshja. Të dy vëllezërit janë martuar e kanë njëri vajzë e tjetri djalë. Ime motër akoma pret princin e kaltër. Po thonë, Zoti të hedh me një dorë e të pret me një tjetër. Ndërsa Zoti e ndihmoi gjyshin e gjyshen të integroheshin në jetën e Tiranës, tim eti iu pri mbarë me punën dhe me fëmijët, por nuk ishte e thënë që gjithçka të ecte mirë.

Para dy vitesh, babai im filloi të kishte një gjendje dobësie të vazhdueshme. Vëllezërit që punonin me të e kishin vënë re, por mendonin se e kishte nga mosha. Pas tre muajsh lodhjeje e djersitjeje gjithë kohën, vëllezërit e bindën që të vizitohej.

Por spitali do para shumë. Mjekja e lagjes e sorollati nja tri javë për shkak të sigurimeve. Vetëm kur im shoq ndërhyri me një shokun e tij te drejtori i ambulancës, ajo i dha më në fund rekomandimin për në spitalin “Nënë Tereza”. O Zot, mos pafsha askënd të përplaset atyre dyerve! Përveçse ke njeriun e dashur të familjes sëmurë e të dhemb shpirti, ajo ftohtësia e mjekëve është sikur të qëllon ndonjë gjithë kohën në stomak. Edhe në Spitalin “Nënë Tereza” na sorollatën për një muaj për të bërë dy analiza gjaku dhe një analizë të stomakut. Mjeku që i bëri sondën e stomakut babait tim, kur doli, na tha:

- Ashtu siç hani ju, normale që e ka stomakun copë.

- Pse si hamë ne? - ia priti im shoq që ishte ngjitur pas derës.

- Nuk po flas me ty, djalë. Po flas me familjarët e të sëmurit, - i tha doktori.

- Epo, unë jam i biri. A mund të më saktësosh se si hamë ne? - këmbënguli im shoq e ishte gati ta qëllonte. Në atë kohë, për fatin e mirë tonin, që të mos shkonte burri në burg, se nga mbiu komshia që kisha të mamaja ime. Ajo ishte infermiere dhe ishte tip i futur.

- Çfarë ka? - iu drejtua ajo mjekut.

- Unë po përpiqem të sqaroj familjarët për këtë zotërinë që nuk është hiç mirë e ky po më bën garipin! - u përgjigj gjithë përbuzje mjeku.

- Ja, se po hyj unë brenda dhe dal unë e ju sqaroj, - tha komshia jonë. Pritëm aty me zemrën copë sa nga çehrja që kish marrë babai, sa nga fjalët e doktorit.

Kur komshia infermiere doli, na tërhoqi në cep të korridorit. E pashë nga zbehja e saj se fjalët që do të thoshte do ishin edhe më të këqija sesa e kisha menduar.

- Babai yt nuk është hiç mirë, - filloi ajo, - ai ka një masë në stomak dhe me këtë analizën e parë duket si sëmundje e keqe. Nëse e fusin në operacion dhe i heqin masën, bashkë me një pjesë të stomakut që është e dëmtuar, ndoshta ka shance. Më vjen keq që duhet t’ju them këto fjalë, por kjo është gjendja.

- Po nëse bëhet operacion, sa janë shancet që të jetojë? - pyeti vëllai.

- Së pari, duhet të presë radhën, - tha ajo dhe ajo heshti për dy minuta, - por shancet nuk janë asnjëherë të garantuara. Nuk dihet ecuria dhe se sa do veprojnë kimiot më pas.

- Po radha? Sa bëhet fjalë që ky të presë kështu? - pyeta unë.

- Më vjen keq, por vetëm nëse jepni para mjekut mund ta arrini radhën. Kështu janë këta, të shohin vetëm nga xhepat. Pastaj e shohin që s’jeni të bardhë e mendojnë që s’merrni vesh.

Im shoq ishte gati t’i qëllonte murit meqenëse nuk qëllonte dot doktorin.

- E çfarë duhet të bëjmë? Për sa para bëhet fjalë? - pyeti vëllai im.

- Më lini dy apo tri orë kohë që të pyes dhe ju do t’ia jepni vetë doktorit, ju lutem mos më përzieni mua. Më vjen turp që s’ju ndihmoj dot, edhe pse ju njoh prej tridhjetë vitesh. - Ko- mshia hyri e doli nga zyra e doktorit disa herë dhe më në fund, ai e kishte dhënë çmimin e vet. Kërkonte dy milionë për operacionin pa radhë dhe më pas kimiot duhet t’i blinim vetë, sepse spitali nuk ofronte asgjë.

Babain e futën në operacion pas një jave, por mjeku asnjëherë nuk e pa si pacientët e tjerë. Edhe infermieret në fillim shtrembëroheshin e mezi ia hidhnin sytë serumit apo qetësuesit që duhet të hidhnin në serum. Vetëm në turnin e komshies sime, im atë merrte shërbimin normal. Komshia na i jepte ilaçet që duhet të futeshin në serum dhe na thoshte të shkonim e t’u thonim infermiereve që t’ia bënin në orarin e duhur. Na e sqaronte gjithçka që ne të ishim të informuar e të dinim t’u kërkonim llogari infermiereve.

Ndërsa komiot i bënim gjithmonë kur në turn ishte komshia jonë. Ndërkohë që komshia jonë kujdesej në maksimum për babain, shikonim koleget e saj që i shtrembëroheshin duke bërë si të neveritura nga ne. Im atë bëri pesë seanca kimioje dhe vdiq tetë muaj pas operacionit. Përveç dhimbjes fizike nga sëmundja, ai mori me vete edhe dhimbjen e dallimit racist të infermiereve dhe doktorëve në spital. E.

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.