Dashuriçkat e motrës më ndanë nga burri

Intervista - - MËKATE -

(Vijon nga numri i kaluar)

Ajo qeshte dhe e kalonim si shaka. Kur dolën këta celularët e mirë, i thashë babit që t’ia blija unë një të mirë e të flisja me të në Viber ose Wats Up pa shpenzuar shumë para.

- Dakord, - tha babai, - por jo me hap Facebook në celular! I dëgjon lajmet se ç’po bëjnë me telefonat?

Këtë herë, ai kishte patur të drejtë. Sapo i bleva telefonin motrës, ne filluam të kontaktonim më shumë me mesazhe në Viber, pra, me shkrim e jo me fjalë, që nuk i sheh e nuk i dëgjon tjetërkush. Ndërsa e pyesja vazhdimisht motrën, më tha se kish njohur një djalë që i pëlqente.

- Të lutem bëj kujdes, mos të të shohë njeri që takohesh me të, - i kisha shkruar disa herë. E kishim vendosur që nuk do t’i tregonim askujt për këtë lidhje të sajën derisa të vendosnin të fejoheshin, por ja që në një nga këto takime, motrën time e kishte zënë mat babai. Ashtu e kishte kapur për leckash e në makinë e shtëpi. Pas një dajaku të mirë, i kishte kontrolluar edhe telefonin. Pasi kish lexuar mesazhet, më mori në telefon dhe më kërkoi të kthehesha në shtëpi në Shqipëri qoftë edhe vetëm për dy apo tri ditë.

- Ta paguaj unë biletën, vetëm hajde, - më tha. Mendova mos ishte sëmurë ai apo mamaja dhe kur i thashë tim shoqi, ai më tha: “Ik me paratë tona, ç’do t’u marrësh paratë e biletës atyre?”.

Lashë vajzën në Itali me të atin dhe erdha te prindërit. Po ç’të vija?! Në Durrës erdhi e më mori babai. Nuk më foli gjithë rrugës. Kur arrita në shtëpi, sapo u takova me nënën time, më erdhën shpullat si me breshëri nga babai. Nuk isha rrahur qysh fëmijë. Derisa e mora vesh se ç’po ndodhte, as nuk arrita të ruhesha e mu ça buza nga të qëlluarat. Dajaku ishte po aq i shëndetshëm sa ai që kish marrë motra para meje. Nuk i vura faj babait. Isha unë ajo që ia kisha punuar pas shpine. Më në fund, vëllai dhe mamaja mundën ta ndalonin dhe unë me gjithë turpin e botës mbi supe, ndenja dy ditë mbyllur në dhomë që të mos më shihte babai dhe u nisa për në Itali me mallkimin me zë të lartë të babait në vesh: “Mos u kthefsh më gjallë, ti s’je më vajza ime”. Nuk i thashë asgjë burrit, për buzën i thashë që rrëshqita në banjë dhe e kalova. Pas dy muajsh, babai pas ndërhyrjes së vëllait, u bind dhe e çoi sërish motrën në shkollë, por ndërkohë e kontrollonte çdo sekondë në telefon. Fillova të flisja edhe unë me motrën në telefon, më shumë për t’u siguruar se mos bënte ndonjë gafë tjetër. Ajo, këtë radhë u njoh me një djalë tjetër dhe fliste me të me telefonin e shoqes për të mos lënë gjurmë. E mora disa herë në telefon për t’i kujtuar atë hitorinë e parë. Edhe i shkrova mesazhe pa fund që të mos dilte, të mos vazhdonte se do ta pësonim. Ndërsa zihesha me motrën në telefon, më dëgjoi burri disa herë dhe më tha:

- Të lutem, mos u përziej. Thuaji nënës e babait tënd se ajo do t’ju bëjë gjëmën. Dhe ta dish se do ngatërrohesh edhe me mua nëse e përkrah atë në këto lojëra.

- Po përpiqem ta mësoj, nuk po e mbështes, - i thashë. - Ti nuk më dëgjon që zihem me të, i them të heqë dorë?

- Si të duash, por nëse s’të dëgjon, ti duhet t’u thuash prindërve, përndryshe ajo do të vazhdojë kështu. E nëse ti e di se ç’po bën ajo cepave të pallatit dhe nuk bën asgjë për ta ndaluar, ta dish se edhe ti bëhesh bashkëfajtore.

- Ke të drejtë, - i thashë, - po nëse e merr vesh babai, s’do ta lërë të mbarojë shkollën.

- Akoma s’e ke kuptuar që jot motër s’e ka mendjen te shkolla, por të bredhë lart e posh- të?! E ngatërron me veten, grua dhe mos e bëj këtë gabim.

E mora motrën time të vogël në telefon dhe i thashë që po më fuste në ngatërresë me burrin për ato që po bënte. Ajo, pa pikën e turpit, mu përgjigj:

- Epo, se je idiote ti, e flet në sy të atij ç’të të them unë?

- Po ku të flas moj, - i thashë, - unë jetoj në një shtëpi me të. Pastaj, unë nuk kam asgjë për t’i fshehur sepse një marrëdhënie nuk mbahet me gënjeshtra.

- Po, po, vazhdo ti me moralin tënd. - më tha.

Iu luta gjatë në telefon, i shkrova mesazh, i thashë edhe motrës tjetër e nënës që ta bindnin të mbyllte Facebookun, të ndërpriste lidhjet në telefon me atë djalin e të mos dilte më, por sigurisht që ajo bëri të kundërtën. Babai im e mori vesh, ndaj e mori në shtëpi dhe ajo nuk e vazhdoi vitin e fundit të shkollës. Dhe, veç kësaj, pasi kishte kontrolluar telefonin, e kishte lexuar sërish komunikimin mes meje e motrës, kishte marrë burrin tim.

- Dhëndërr, të mora që të të them vetëm fjalë zeher, - i tha atë mbrëmje.

- Çfarë ka ndodhur? - pyeti me një frymë burri.

- Ka ndodhur që gruaja jote dhe vajza ime, nuk është në rregull, - i tha ai nga ana tjetër e telefonit. - M’u duk sikur lëvizi shtëpia, për një moment mendova mos ishte tërmet, por kuptova që e kisha nga tronditja. - Dhe unë nuk të vë faj nëse e ndan vajzën time, sepse ajo i ka ditur të gjitha dhe s’më ka thënë. Dhe të mendosh që është nëna e vajzës tënde. Ajo, ashtu do të të mësojë edhe vajzën. Nejse, lexo mesazhet e saj dhe pastaj më thuaj vendimin tënd.

E kuptova që tashmë gjithë inati i babait tim ishte zhvendosur nga motra tek unë. Im shoq mori telefonin tim dhe e kontrolloi si kurrë më parë. Lexoi gjithçka që kisha shkruar me motrën dhe në fund, më fluturoi telefonin. Shyqyr që ngrita krahun e nuk më ra në kokë. U ngrit rrëmbimthi e më kapi për supesh duke më shkundur. Nuk më qëlloi, ishte gjë që s’e kishte bërë kurrë më parë, por më lëshoi, mblodhi duart grusht dhe me fytyrën ngjitur me mua, tha:

- Kam një dëshirë të tmerrshme të të rrah, por nuk mund të ndyj duart me ty. Të kam paralajmëruar. - Heshti pak e filloi sërish: - Po nëse ti je dakord që motra jote të livadhisë ashtu, domethënë që edhe ti ke livadhisur nën hundën time.

- Jooooo, s’është e vërtetë, as që e kam menduar të livadhis. Të kam dashur si dritën e syve dhe s’e kam çuar ndonjëherë në mend që të të tradhtoj. Të lutem, më beso!

- Si më kërkon të të besoj? - më tha - Ti tradhton prindërit e tu që të kanë bërë kokën, ndërsa unë u dashka të kem besim te ti? Jo, grua, nuk mund të ndodhë.

Sherri e shamata vazhdoi edhe disa ditë me burrin derisa një ditë më tha që donte të ndahej nga unë.

- Vajzën mendoj se është më mirë ta mbaj unë, ti do ta mësosh ashtu siç mësove motrën tënde.

Tashmë, kam gjashtë muaj që jam ndarë, gjyqi fatmirësisht vajzën ma la mua në ngarkim sepse është akoma e vogël. Kam marrë një shtëpi të vogël me qira në të njëjtën lagje ku isha, vazhdoj të punoj te tri zonjat italiane, por ha bukë e gjak. Në fakt, duhet të falënderoj ishbashkëshortin tim që më mësoi të jetoj e punoj në Itali. Gjithçka kam sot e kam falë tij. Divorci ishte për fajin e motrës sime dhe jo të tijin.

Me familjen e prindërve, s’flas. Ish-burri vjen e merr vajzën në datën e caktuar nga gjykata dhe unë po jetoj mjerimin që mbolla vetë, duke mbrojtur motrën. A.

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.