Peshoj shumë. Si të dobësohem?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje! Jam një vajzë 15 vjeçe, që peshoj 60 kilogramë. Dua të dobësohem dhe të bëj edhe ushtrime, ndaj do t’ju lutesha të më jepni ca këshilla se si ta arrij qëllimin tim. Nuk ndihem mirë, ndaj kam nevojë për disa sugjerime. Faleminderit.

Mario, instruktor: - E nderuar 15 vjeçare, pesha varet edhe nga gjatësia e personit. Nëse jeni shumë e gjatë, nuk më duket peshë për t’u parë në mënyrë kritike. Gjithsesi, për moshën që keni, përsëri keni arritur në një kufi, të cilin është mirë të mos e tejkaloni. Ndërsa përsa i përket pyetjes suaj, do t’ju jap një përgjigje sa më të kompletuar. Ju duhet të dobësoheni në mënyrë të shëndetshme dhe jo duke mbajtur dieta. Duhet të mbani regjim ushqimor të ndjekur me një seri ushtrimesh. Rëndësi ka të digjni më shumë kalori sesa konsumoni çdo ditë dhe për këtë duhet të keni kujdes sidomos me ushqimet që konsumoni. Hapi i parë është kontrolli i gjërave që konsumoni. Filloni të minimizoni brumërat, sheqernat e shtuara dhe yndyrnat nga mishi e qumështi. Duhet të përqendroheni më shumë te perimet, e bardha e vezëve, produktet e sojës, mishi i bardhë i pulës, peshku, bulmeti, por me përqindje të ulët yndyre dhe mish pa dhjamë. Shumë vetë ju thonë të hani ushqime pa kripë ose të mos konsumoni fare brumëra, por kjo është e gabuar. Nëse ju hiqni totalisht nga dieta juaj kripën dhe brumërat, do të humbisni lëngje dhe jo dhjamë. Kripa është pjesë e lëngjeve, ndaj është e kotë ta hiqni komplet nga dieta. Po kështu, edhe brumërat kanë rolin e tyre në organizëm, ndaj ne ju themi të minimizoni marrjen e tyre, por jo t’i hiqni nga regjimi juaj ushqimor. Hani perime që të ndiheni e ngopur, pini shumë ujë dhe hani ëmbëlsira sa më rrallë të jetë e mundur. E dimë që është e vështirë të hiqni dorë sidomos nga ëmbëlsirat, por nga statistikat e fundit është arritur në konkluzionin se nëse ka një gjë që të shëndosh më shumë, ato janë ëmbëlsirat, sidomos nëse konsumohen pa kriter. Më mirë hani një hamburger me patate dhe mish, sesa dy copa ëmbëlsirë. Nuk po themi të hiqni dorë fare prej tyre, por t’i konsumoni sa më rrallë të jetë e mundur dhe me porcione të vogla. Mundësisht, hajini kur keni më pak oreks.

Bëjeni zakon që të hani vetëm nga pjata dhe të qëndroni ulur në tavolinë, mos u ushqeni kurrë nga frigoriferi apo në këmbë. Hani avash, në mënyrë që të ngopeni më shpejt. Ushqimet e skuqura shmangini totalisht, më mirë përdorni ushqime të ziera. E kuptoj që ushqimet e skuqura tërheqin vëmendjen e gjithkujt, por mundohni t’i shmangni sepse nuk janë të mira për shëndetin. Nëse nuk bëni dot pa to, të paktën përdorini sa më rrallë të jetë e mundur dhe jo gjalpë, por vaj bimor. Mos i kapërceni kurrë vaktet, hani rregullisht, jo të tejngopeni, por aq sa të shuani urinë. Që të mos ndjeni shumë uri, hani edhe 2 vakte të ndërmjetme të vogla që të kenë bazë perimet. Një supë me të gjitha llojet e perimeve është ideale për të rënë nga pesha, plus që është shumë e shijshme. Bëni një tenxhere të madhe me supë me të gjitha llojet e perimeve dhe nëse doni, mund t’i fusni edhe gjoks pule, që ta bëni akoma më tërheqës dhe ta konsumoni gjatë ditës. Mund ta konsumoni edhe në rastet kur ndjeni uri dhe kështu, nuk shëndoheshni e ndiheni e ngopur. Besoj keni dëgjuar për dietën me supë perimesh, por unë mendoj se duhet të konsumoni të gjitha llojet e ushqimeve, jo vetëm supë perimesh. Peshkun konsumojeni sa më shumë të shoqëruar me perime të ziera, sepse janë të shëndetshme dhe trupi merr vitaminat e duhura. Të paktën një herë në javë hajeni një vezë të zier bashkë me të verdhën, pasi keni nevojë edhe për proteina. Në mëngjes, hani herë pas here dy lugë gjelle tërshërë me fruta të thata, të zbutura në kos. Vakti i fundit mundësisht të jetë nga ora 19.00 e darkës ose maksimumi, në 19.30. Pas kësaj ore, nuk duhet të konsumoni ushqim, por vetëm ndonjë frut apo ndonjë gotë qumësht.

- Ndërsa përsa u përket ushtrimeve, do t’ju sugjeroja të bëni kardio sepse janë ushtrimet që ndihmojnë për t’u dobësuar. Pra, bëni vrap, ose biçikletë, apo aerobi. Si fillim, do t’ju sugjeroja të bëni kardio në pistë, pra, vrapim në palestër ose në natyrë. Një mënyrë për të rënë shpejt nga pesha është të bëni vrapim me intervale. Si funksionon? Fillo vrapo në 2 minutat e para me ritëm normal (jogging), pas dy minutave vrapo me shpejtësinë më të madhe që mundesh për 30 sekonda, pastaj ngadalëso e vrapo ose ec, nëse nuk mundesh të vraposh ngadalë për 1 minutë e gjysmë. Përsërite këtë deri në 8 herë: 30 sekonda shpejt, 1 minutë e gjysmë ngadalë, 30 sekonda shpejt, një minutë e gjysmë ngadalë. Në fillim nuk do të arrini ta bëni më shumë se 3 apo 4 herë këtë përsëritje, por kjo mjafton për fillim. Gradualisht, do ta shtoni nga 3 në 4, nga 4 në 5 e kështu me radhë deri në 8. Pasi të keni arritur peshën që ju dëshironi, ndiqni dhe program stërvitor të shoqëruar me program force, tonifikimi për muskujt në gjithë trupin dhe këtë do t’jua përcaktojë instruktori i palestrës ku do të regjistroheni. Pra, këto janë pak a shumë këshillat që duhet të ndiqni për t’u dobësuar shëndetshëm dhe për të patur një fizik të bukur. Jam kundra pilulave që përdoren për dobësim apo dietave drastike sepse ashtu siç i humbni mund t’i merrni menjëherë kilogramët, prandaj ju sugjeroj regjim ushqimor dhe stërvitje në palestër. Uroj t’ju kem ndihmuar sadopak.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.