Letra për psikologun Po më vrasin mendimet e mia...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje. Unë vuaj nga parandjenja që as vetë s’e kuptoj çfarë janë dhe më duken absurde. Jam vetëm 17 vjeçe dhe në kohën e lirë, vetëm këto mendoj. Në çdo moment më duket sikur do të vdes. Kam dy vite që jam në këtë gjendje dhe në pushimet verore më ka ndodhur dy herë rresht. Më ndodh të mendoj se çdo fjalë që them është si betim, ndaj nuk duhet të gënjej për asgjë. Më duket sikur çdo fjali e imja pozitive apo negative, do të ndodhë. Shembulli më konkret është i tillë: Në verën e vitit 2014 kisha një gjendje të tmerrshme ankthi. Mendoja, larg o Zot, sikur do vdisja. Në një moment, thoja me vete: “Këtë nuk e mendojnë gjyshërit e mi dhe e mendoj unë! Nuk e mendon nëna që është plakë dhe e mendoj unë, që jam kaq e re”. Dhe thashë: “Me radhë do të ikim të tërë. Gjyshërit përpara, ne nga pas”. Jam kaq e fiksuar, e stresuar e në ankth, sa as nuk e përshkruaj dot se sa më mundon kjo fjali: “Gjyshërit para dhe ne nga pas”. Më dukej sikur do vdisnin ata dhe po të vdisnin ata, do të vdisnim edhe ne. Jam kaq e shqetësuar saqë në çdo moment e çdo fjali që them, e keqinterpretoj në mendjen time. Mendoj gjithmonë negativisht; qoftë edhe një fjali, mua më vret. Ja, këtë fjali qysh para dy vitesh e kam akoma në mendje dhe tani më duket sikur, larg o Zot, po të vdesin ata, do të vdesim edhe ne. Ju lutem, më ndihmoni. Faleminderit.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - E nderuara 17 vjeçare, ndodh shpesh që njerëzve t’u krijohen ca mendime të kota të cilat burojnë nga fantazitë e këqia dhe që “marrin fuqi” pikërisht sepse njeriu trembet prej tyre. Këto janë ca mendime jorealiste, negative e këmbëngulëse të cilat nuk të shqiten nga mendja. Këto, jo vetëm që janë të pavërteta (siç e ke kuptuar edhe ti kur thua “janë absurde e i keqinterpretoj në mendjen time”), por nuk janë as të dëmshme... Ato do të quheshin të zakonshme, porse ti nuk do t’u kushtoje vëmendje po të mos të të shkaktonin ankth, frikë e vuajtje. Pra, këto lloj mendimesh, jo vetëm që nuk burojnë nga mendja jote, por ato janë në kundërshtim me tërë qenien tënde. Ato janë si “vida pa mbarim” që ti më kot përpiqesh t’u japësh “drejtim”. Ato përsëriten e përsëriten në mendjen tënde dhe “gëzohen” pa masë që t’i u kushton rëndësi e vëmendje sepse ti bën pikërisht atë që duan ato, pra, u jep fuqi e “krahë”. Ti përpiqesh t’i nxjerrësh ato me forcë nga dera dhe ato sikur hyjnë nga dritarja... Këto lloj mendimesh obsesive, që me fe quhen mendime që na i thotë “djalli” apo “shejtani”, kurohen me psikoterapi.

Atëherë lind pyetja: Si të ndalosh mendimet obsesive, si të mundesh ti që të “lozësh” me to, në vend që ato të “lozin” me ty e të të “manipulojnë”? Mendimet obsesive, më mirë le t’i quajmë negative, mund ta bëjnë jetesën të trishtuar kur ju mërziteni prej tyre, por kjo situatë mund të jetë, siç e thashë, edhe një ftesë që ta kapërceni mendjen “e keqe” dhe të çliroheni përgjithmonë prej vuajtjes. Shumë klientë më thonë: “Të lutem, doktor, po çmendem, m’i hiq që jeta ime të jetë po aq e lumtur sa më parë...”. Po, a mund t’i ndaloni ju mendimet obsessive? Në qoftë se po, kjo do të ishte shumë mirë, por e vërteta është ndryshe, pak më e komplikuar, pasi nuk është e lehtë t’u japësh fund mendimeve, gjë të cilën ju mund ta bëni vetëm për pak kohë dhe ato sërish “vërshojnë”. Plus, që t’u japësh fund këtyre mendimeve është më keq sesa t’i durosh ato, sepse krijon shumë lodhje e energji të brendshme negative. Pra, nuk ia vlen! Diku në një libër fetar kam lexuar se nuk mund të mos i dëgjosh ato që të thotë “shejtani”, por vetëm mos u fut në diskutime me të se nuk ia del dot. Por, si të ndalojmë së menduari këto mendime të tmerrshme? Çfarë i shkakton mendimet obsesive?

Në qoftë se je ti vetë që i prodhon mendimet, atëherë ti duhet të kesh edhe kontroll mbi to. Ne identifikohemi me disa nga këto mendime dhe fiksohemi pas tyre, kur e vërteta është që këto janë thjesht një formë energjie neutrale, por është interesimi apo preokupimi juaj që i bën obsesive. Në qoftë se ju e kuptoni këtë të vërtetë, atëherë sapo keni hedhur hapin e parë për t’u çliruar prej tyre. Mund të sh- kojmë edhe te psikiatri e të na japë ilaçe gjumëvënëse, por kjo lloj “terapie” na lehtëson duke na bllokuar edhe ato mendime që na duhen ose aftësinë për të mësuar, për të ngarë makinën etj.

Atëherë, përsëri lind pyetja: Si t’i ndalojmë mendimet negative? E para është psikoterapia me disa seanca, kurse ilaçet kundër ankthit mund të jepen vetëm për të zbutur ankthin pikëllues. Duhen përdorur disa metoda më të “buta”, si duke vazhduar me qejf një punë që të duket që është e dobishme, duke lëvizur, duke bërë humor e të gjitha këto pasi t’i kemi thënë vetes: “pa merak, se këto mendime as nuk të dëmtojnë e as nuk të detyrojnë të bësh ndonjë të keqe”. Sa më shumë që ti i kupton ato ballazi, aq më shumë të sulmojnë edhe ato. Pra, duhet të veprosh si me marifet e me “dredhi”, siç thotë populli, duke u kthyer shpinën “vesveseve”. Ato janë si ndonjë qen që leh e nuk të kafshon, por që merr fuqi e kurajo kur sheh se ti trembesh. Kjo, pra, i fuqizon shumë ato mendime, frika prej tyre. Është plotësisht e mundur që të mposhtet kjo frikë: me psikoterapi sepse një mendim e fuqizon interesimi dhe preokupimi juaj! Në qoftë se ju nuk keni një interesim të veçantë në lidhje me një mendim, atëherë ai e humb ndikimin te ju. Ju mund ta provoni që tani këtë gjë: i lini mendimet që të rrjedhin në mendjen tuaj, por qëndroni si një spektaktor ose vëzhgues dhe i lini të kalojnë. Do të shihni që ato e humbasin fuqinë. Kjo lloj metode psikoterapeutike quhet ritrajnim, pra, ju ritrajnoni veten, aftësitë që i keni. Fillimisht ju mund të keni një moment të vështirë që t’i vëzhgoni këto mendime, për shkak se prirja juaj për t’u preokupuar për to rritet. Kjo, në fakt, hollë-hollë ju ndihmon të mësoni se mendimet janë thjesht formë energjie e krijuar në mendje. Asnjë s’e di përse i krijon mendja këto, por pse të shqetësohemi? Është si të pyesësh: “Pse zemra rreth?”. Mos bëni shumë pyetje, thjesht kuptoni e zbatoni ato gjëra që ju duhen; të tjerat le t’i gjejë shkenca.

Me pak praktikë ju do të bëheni shumë e zonja për t’i vëzhguar mendimet dhe për të mos u përfshirë në to. Dihet se ngjarjet e kaluara ruhen në memorie. Gjendja e mendjes si dhe besimet tuaja gjithashtu ruhen në memorie. E gjithë kjo është një ruajtje e pavetëdijshme pasi mendja e bën të gjithë këtë në mënyrë automatike. Kuptimet dhe interpretimet janë krijuar në mendje duke u bazuar në kushtet e “jashtme” të ngacmuesve të së kaluarës dhe gjithashtu në kushtet natyrore (gjenetike). Këto mendime, interpretime dhe gjykime lindin si mendime (në mendje) dhe mund të jenë pozitive ose negative në varësi të gjendjes së mendjes apo të mbindjeshmërisë suaj. Këto mendime prodhohen ose lindin duke u bazuar në incidente ose kuj- time të së kaluarës, projektime të së ardhmes dhe interpretime të situatave të pranishme në jetë. Prandaj, kur mendimet janë negative, si mendime shqetësimi, ankthi, stresi, fyerje, faji etj., ato sjellin pengesa ose rezistencë në ecjen në jetë dhe kjo rezistencë ndihet si vuajtje. Jeta është si një lumë energjie pozitive dhe për pasojë, çdo mendim negativ qëndron në kundërshtim me to duke shkaktuar mosmarrëveshje e cila përjetohet si vuajtje në trup, pra, si ankth e depresion reagues i cili nuk është depresion patologjik, pra, nuk është sëmundje se buron nga ankthi.

Vëmendja juaj është si benzinë për trupin tuaj. Vrulli i mendimeve negative ne mendjen tuaj do të ulet dhe do të dobësohet automatikisht kur ju i ndaloni së ushqyeri këto mendime me vëmendjen tuaj. Për ta bërë më mirë këtë, mund të përqendroheni në mendimet pozitive; ato të dashurisë, kënaqësisë, bukurisë, pasionit, paqes, vlerësimit etj. Kjo do ta ndihmojë mendjen të tërheqë më shumë mendime pozitive dhe të ketë punë me to. Kjo do të rrisë edhe vetëvlerësimin, edhe motivimin tuaj. Ky do të quhet: përqendrimi ose praktika e vrojtimit të mendjes.

Për më tepër, do t’ju këshillojë e ndihmojë ndonjë psikolog klinicist me përvojë në rrethin tuaj. Gjithsesi, na telefononi në numrin: 0692255562.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.