Sajmir Tahiri i dërgon e-mail Edi Ramës për Shullazin

Intervista - - AKTUALITET -

Ç’kemi shef Edi? Jam Saimir Tahiri.

Ky Shullazi na ka vënë në siklet të madh. Jemi çuditur të gjithë se si doli kështu nga hiçi. Megjithatë unë kam pyetur të gjithë çunat e parlamentit dhe kam zbuluar diçka tronditëse e cila zbulon rrënjët kriminale të Shullazit.

Kam arritur në përfundimin se Shullazi është shok i ngushtë me Sazan Gurin. Mos u çudit.

Mora gjithë listën e fillova t’i pyes me radhë gjithë ministrat dhe deputetët. Nuk e njihte njeri përveç Mirela Kumbaros.

Mirela më tha dhe se Shullazi kishte shok të ngushtë Sazan Gurin. Madje më theksoi se Shullazi disa herë është maskuar si Sazani për t’u dukur si ambientalist dhe për të mos rënë në sy.

Mirela e kishte njohur Shullazin në një film ku e kishin marrë për rolin e një gangsteri dhe u shpreh se Shullazi e qante atë rol. Ajo foli vetëm fjalë të mira, pasi i kishte pëlqyer si aktor dhe nuk dinte çfare të shtonte më shumë në lidhje me krimet e tij, apo gjobat.

Pastaj, për të vërtetuar se Sazan Guri kishte lidhje kriminale me Shullazin, i përgjuam telefonin dhe zbuluam ca gjëra që na ka ik truri.

Po të dërgoj mesazhet dhe më thuaj pastaj që nuk kam të drejtë që e kam inat Sazan Gurin:

Sazan Guri: Na shkelën luledelet te liqeni.

Nr i paidentifikuar: Mos e rruaj, i kemi lënë Baba Mondin t’i këndojë.

Sazan Guzi: Ti nuk do bësh asgjë për këtë punë? Po thoja, sikur të merrnim ca pistoleta me ujë e të lagnim policët.

Nr i paidentifikuar: Super ide, faleminderit që më ke zgjedhur mua që të bëj të fortin. Pra, shef Edi, ne, pasi pamë këto mesazhe, u bindëm plotësisht se Sazani i kërkon një personi që të bëjë të fortin me policët te Parku i Liqenit. Sipas gjasave, ky i forti që do të lagë policët është Shullazi.

Në disa sms, Sazani e thërret “O Eljan”, por ne mendojmë që këtë e ka bërë për të fshehur gjurmët e krimit.

U konsultova me bordin dhe të gjithë më thanë që duhet ta shikonim më me imtësi çështjen, pasi Shullazi nuk di shumë mirë të shkruajë shqip. Këtu na u hap një bela e madhe, por gjithsesi vumë në përgjim telefonin e të dyshuarit tjetër, Altin Goxhajt.

Aty zbuluam ca sms shumë të dyshimta. Lexoji. Altin Goxhaj: Hë, ç’bëre? Nr i paidentifikuar: Po skuq një vezë. Të skuq edhe një për ty?

Altin Goxhaj: Ok mos i hidh shumë kripë, erdha.

Pra, shef, pas këtyre kodeve të cilat kemi filluar t’i dëshifrojmë, mendojmë të fshihen të gjitha krimet e Shullazit. Ne jemi në rrugën e duhur për zbardhjen e plotë.

Jemi afër, të palarat po dalin. Shoku yt besnik Sajmja PS: Çdo ngjashmëri me Wikileaks është e rastit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.