Vangjush Dako: “Ja, përse po i shtoj palmat në qytet”

Intervista - - AKTUALITET -

Meqë u hap koha, vendosa të shkoja në Durrës. Shkoj që shkoj, thashë, po intervistoj edhe zotin Vangjush Dako, kryetarin e bashkisë. Kështu bëra. Vetë zotin Vangjush e gjeta në majë të një palme në “Rrugën e Plazhit”... - Përshëndetje zoti Dako!

- Përshendetje Kaso! Më fal pak se kam ca punë këtu në majë të palmës. Sa të mbaroj dhe do vij të flasim.

- Punë në majë të palmës?!

- E, Kaso! Mbeta majë palmave. Mbledh gjethet, që thua ti.

- Mblidhni gjethet! Po përse?! - Ia çoj Gridës! - Po Grida ç’i do gjethet e palmës, zoti Dako?

- I grin dhe nxjerr nga to vaj palme, Kaso. Me to lyen fytyrën. Kanë vitaminë E, që thua ti dhe ndihmon në mosplakjen e fytyrës.

- Ooouu! S’e dija këtë gjë. Domethënë, s’e dija që i çonit gjethet Gridës, se që të bën mirë vaji i palmës për fytyrën, e dija.

- Kasooo! Kam që para zgjedhjeve vendore që këtë punë bëj. I dhashë llafin përpara zgjedhjeve Gridës, që do t’i jepja vaj palme. Unë do t’i jepja vajin, ajo do të bënte të pamundurën që të mos fitonte bashkinë.

- Çudi, zoti Dako! Këtë pakt nuk e kisha dëgjuar. Të hiqte dorë Grida nga bashkia, vetëm se do t’i jepnit vaj palme për fytyrën?

- “Nuk ka më të rëndësishme se bukuria, më tha Grida para zgjedhjeve. Ndaj dua nga ti dy gjëra: E para, megjithëse të shaj gjasme se ke shkatërruar Durrësin me ndërtime, dua që fir- m a ime e ndërtimit të vazhdojë të bëjë pallate si më parë, ku t’i teket dhe e dyta, të më sjellësh vaj palme”. Ja, kështu Kaso. Të dyja kushtet po ia plotësoj. Po rropatem vetë në majë të palmave, vetëm e vetëm që të mbaj premtimet.

- Po me mbajtjen e premtimeve për qytetarët e Durrësit, si jeni, zoti Dako?

- Po, prit, mo Kaso, se ka punë puna. Të mbaj premtimet me Gridën njëherë, se e bëri si burrat, humbi. Kanë kohë qytetarët.

- Nuk më thoni, zoti Dako... Përse po bëni prapë punime këtu te “Rruga e Plazhit”? Ju e bëtë njëherë këtë rrugë para ca kohësh.

- Për Gridën, mo Kaso. Për të i bëj të gjitha këto.

- Si për Gridën? Më falni që s’po ju kuptoj...

- Dëgjomë Kaso, se po më lë në majë të pemës pa mbledhur gjethet e palmës dhe do më turpërosh te Grida fare.

- Ju dëgjoj, zoti Dako, por kujdes, mbahuni fort se do na bini nga palma.

- Nuk bie unë Kaso, jo. Eeeeuuu, kam kohë që e bëj këtë punë. Jam bërë mjeshtër. Por meqë më pyete se përse do të heqim palmat e do t’i zëvendësojmë me palma të tjera… Ja, ku po ta them: E bëj vetëm për Gridën! Na kanë dalë disa palma të vdekura fare, Kaso xhani. Pikë yndyre s’kanë për vaj. Ndaj po vendos palma të reja dhe do t’i shtoj në numër. E shikon ç’bëj unë për Gridën, o Kaso?!

- Ju lumtë, zoti Dako! Për vajin e mora vesh, që po e mbani premtimin t’ia jepni zonjës Grida. Po premtimin tjetër për leje për pallate, po e mbani?

- Ça thua mo Kaso se po ma heq trurin! Grida e ka lejen në xhep të ndërtojë ku të dojë. Jo vetëm ajo madje. Në konceptin tim unë jam tolerant. Çdokush mund të ndërtojë, ku të dojë. Të ishte për mua, ndërtonin edhe në det, por s’kam çfarë t’i bëj…

- S’keni ligjit?

- Jo mor jo! S’kam çfarë t’i bëj detit. Ka shumë dallgë dreqin e na i merr ndërtimet fare. Të të them diçka, para se të vazhdoj të mbledh palmat?

- Ma thoni, zoti Dako!

- Jam shumë i mërzitur, Kaso. Do ndërtohet kullë dhe stadium në Tiranë.

- Donit të ndërtohej edhe në Durrës një stadium, domethënë?

- Stadium fundja edhe të mos ndërtohej, Kaso, po një kullë e meriton stadiumi i Teutës…

- Moooos, domethnënë do ta bëni edhe një kullë atje, zoti Dako?

- A tha ai arkitekti italian që kulla e stadiumit në Tiranë përfaqëson kalatë? Përderisa Tirana nuk ka kala dhe Durrësi ka, përse të mos ndërtoj kullë edhe unë Kaso? Fundja, edhe kulla e stadiumit, kalanë e Durrësit do të përfaqësojë. Nejse! Tani më lër të punoj, se jam pas me punën e do të më bëjë namin Grida.

U largova nga Durrësi, duke e përshëndetur dhe lënë zotin Dako në majë të palmës… Bisedoi me shaka:

Kaso KOSA ç’i bëni

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.