Arta Bajrami: Si po e përjetoj shtatzaninë e dytë...

Intervista - - MUZIKE -

Ajo do të bëhet nënë për herë të dytë dhe është aq e lumtur për këtë! Arta Bajrami, edhe pse disa muajshe shtatzënë, gjeti kohën dhe mundësinë për të qenë pjesë e gazetës tonë dhe për të ndarë me ne emocionet e pritjes së ëmbël...

Fabjola Kuburi: - Arta, si po ndihesh në këtë shtatzani të dytë?

Arta Bajrami: - Shumë bukur! Akoma më të bukur e bën fakti që falë Zotit, gjithçka po shkon mirë.

- A është e lumtur Viktoria për ardhjen e një vëllai të vogël?

- Po, shumë, por Viki është mësuar që e tërë vëmendja e familjes të shkojë tek ajo dhe shpresoj të mos bëhet xheloze pastaj.

- E ke menduar si do t’ia vësh emrin?

- Për emër do vendosë burri im, Xhimi, sepse ka shije. E ka marrë seriozisht këtë punë! (Qesh) - Si e përjetoi ai lajmin? - Me gëzim të madh; jemi gëzuar të gjithë.

- Edhe sa kohë do që djali të vijë në dritë? Kanë filluar blerjet besoj...

- Nuk do të shkojë gjatë dhe sigurisht që me blerjet, jemi në përgatitje e sipër.

- Cili është tani mendimi i parë që të kalon në mendje kur zgjohesh në mëngjes dhe ai, me të cilin bie të flesh në mbrëmje?

- Kuptohet që më e rëndësishmja është mbarëvajtja e shtatzanisë dhe lindja pa probleme. Gjithçka tjetër bie në plan të dytë. Nuk jam shumë e shqetësuar sepse tani kam edhe pak përvojë.

- Mesazhi më i bukur që të ka ardhur në këtë kohë?

- Jam akoma duke e pritur, ndoshta do bëheni ju kreativë dhe do të më befasoni. (Buzëqesh)

- Ke ndonjë hajmali që po e mban me vete këto kohë?

- Jo, nuk merrem aspak me këto gjëra.

- Mendon se të janë re- alizuar të gjitha ëndrrat?

- Besoj se kjo ishte ëndrra e fundit që vërtet e dëshiroja. E doja edhe një fëmijë, të them të drejtën, e pasi kjo dëshirë po më plotësohet, të vijë jeta sido që të vijë, jam më se e kënaqur.

- I beson fatit apo punës?

- Puna sjell suksesin. Diçka mund të jetë edhe çështje fati, për shembull, të ndodhesh në momentin e duhur në vendin e duhur ose të takosh njerëzit e duhur, por pa punë nuk ka asgjë.

- Është për t’i besuar më shumë fallxhores apo horoskopit? - Pa diskutim, asnjërit! - Ti je një ndër ata artistë që duket se e kanë merituar suksesin hap pas hapi. Si mendon, artist lind apo bëhesh?

- Talenti lind, ndërsa artist bëhesh. Ka shumë talente që nuk zbulohen kurrë, por ka nga ata që janë të vetëdijshëm për talentin që kanë dhe me punë e përkushtim, bëhen artistë. Pastaj, nëse lënë gjurmë apo jo në artin që bëjnë, për këtë ven- dos publiku.

- Me kaq shumë muzikë, këngë, klipe, artistë dhe pseudoartistë, më thuaj çfarë po ndodh me veshët e dëgjuesve, me muzikën vetë? Mendon se arti po keqkuptohet dhe po kthehet në diçka që duhet vetëm të shitet?

- Te ne ka vërtet hiperprodhim të muzikës dhe asnjë filtër; gjithkush mund të bëhet këngëtar. Unë besoj te fuqia e tregut dhe se shi- jet e publikut do të vazhdojnë të stërhollohen e kjo do të filtrojë gjithçka. Artistët që populli i do, do të mbijetojnë dhe do të mbahen mend; të tjerët do të fundosen dhe harrohen.

- Nëse do të ishe personazh i një tjetër periudhe në kohë, cili do të kishe dashur të ishe?

- Ah, nuk do të kishte qenë keq me e mendu veten si ndonjë hyjneshë të Egjiptit apo si mbretëresha Teutë. (Qesh)

- Cila është frika jote më e madhe?

- Humbja e njerëzve të dashur, më tmerron.

- Më mirë një iluzion i bukur apo një realitet i hidhur?

- Varet nga momenti. Ndonjëherë një iluzion i bukur të bën të ndihesh mirë, edhe pse je e vetëdishme që është vetëm iluzion. Por, sido që të jetë, realiteti (sado i hidhur të jetë) është ai me të cilin, herët apo vonë, do të përballesh.

- Sipas teje, a mund të ketë njeriu vetëm një dashuri në jetë?

- Me atë që dua, unë jam e martuar dhe jam marrëzisht e dashuruar me bashkëshortin tim.

- Duhet të jetë e lehtë t’i dedikohesh vetëm një personi gjithmonë?

- Varet sa e do atë person, por varet edhe se si shkon jeta, sa di ta mbash të ndezur flakën e dashurisë.

- Çfarë të lë shije të keqe në sjelljen e një njeriu?

- Arroganca, mosrespekti, thashethemet mbrapa shpinës, lajkat.

- A është bukuria sot një nga gjërat që shitet më lehtë?

- Bukuria jo vetëm sot, por gjithmonë është shitur dhe do të shitet. Bukuria nuk njeh kohë. Ata që Zoti i bekon me bukuri janë me fat sepse bukuria hap shumë dyer në jetë.

- Çfarë mendon për një femër mbi të 35-at që është singëll?

- Mendoj po të njëjtën gjë si edhe për një femër mbi 35at, që është e martuar e me fëmijë. Dallimet mbi këto baza nuk i duroj dot. Dikush, thjesht nuk dëshiron të lidhet e dikujt ndoshta jeta i shkon ndryshe nga çfarë ka paramenduar. Sido që të jetë, është çështje personale.

- Një nga defektet e tua...

- Po ku kam defekte unë, moj? (Qesh) Eh, si çdo person, nuk ka njeri pa ndonjë defekt. Unë jam pak e ngutshme, e nxituar e ndoshta ky është defekti ma i madh.

- Po anët e tua më të mira?

- Sa për anë të mira, jam e vendosur dhe aspak përtace, nuk e lë punën e sotme për nesër. Këtë pyetje ndoshta do ishte më mirë t’ua bënit njerëzve që më rrethojnë.

- Cili është ai tipar që të ngjall mëshirë te të tjerët?

- Mua më prekin fëmijët e pambrojtur, njerëzit e sëmurë dhe pleqtë.

- Si do të ishte bota në përfytyrimin tënd?

- Kështu siç është tani. Jam realiste dhe jo idealiste. Por, sikur të kisha një shkop magjik...

- E lë botën tënde të brendshme t’i ekspozohet botës jashtë?

- E thashë edhe më lart që jam realiste. Ti mund të kesh botën tënde, të lundrosh në të, por pasi ta hedhësh hapin jashtë, ballafaqohesh me realitetin. Unë provoj ta ndryshoj sadopak realitetin ashtu si mua më vjen më për mbarë. (Buzëqesh)

- Ke lexuar ndonjëherë fshehurazi ditarin e dikujt?

- Jo, gjërat personale nuk preken kurrë pa lejen e tjetrit. - Je vajzë me humor? - Po, vallahi, ditën ta bëj dy orë! (Qesh)

- Rreth cilave gjëra vërtitet dita jote?

- Për momentin, dihet, por punën nuk e kam lënë akoma, po gjej kohë të dukem andej nga studioja “Arbasound” ku jam duke dëgjuar disa demo. Po punoj nga pak, por në përgjithësi më duhet të jetoj jetë të shëndetshme.

- Çfarë pret të bësh sonte e nesër?

- Nuk e di nëse mund të jap një përgjigje të saktë, sepse hormonet po bëjnë të vetën e nuk e di se si do të ndihemi, por duke qenë se koha është e mirë, besoj se do të dal në natyrë sepse është mirë për mua dhe bebin. Ju puth, Arta.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.