Esela Pysqyli: Teatrin do ta lija vetëm për fëmijët

Intervista - - TEATER -

Për shkak të komercializmit ose stresit të përgjithshëm, ekziston një tendencë sot, që të sillen në skenë apo ekrane, skenare humoristike, apo skenare dramatike, të trajtuara me humor. Kjo është pikërisht ajo që nuk ndodh në dramën që po vihet në skenën e Teatrit Kombëtar. “Mallkimi i fukarenjve”, vjen më tepër sesa dramë, si një tragjedi familjare dhe spektatori del prej saj i mbuluar nga pikëpyetje për jetën e tij, ndërsa ka marrë dhe ka bërë të vetën dramën e personazheve që e kanë vënë jetën e gjithkujt në skenë. Kjo ishte ndjesia që më la “Mallkimi i fukarenjve” dhe që më shtyu të bëja patjetër pjesë të gazetës, njërën nga aktoret e saj, Eselën, e cila në skenë vjen si Ema. E njihni aktoren edhe në ekran, si imazh të një reklame, por unë në fakt, desha të ndalem pikërisht te personazhi i saj dhe tek ajo vetë, një aktore e re, që duket se premton shumë...

Blerina Çizmja: - Esela, si ndihesh në rolin e një adoleshenteje rebele? Sa prej teje ka personazhi që ti interpreton?

Esela Pysqyli: - Nuk është hera e parë që luaj një adoleshente me peshë dramaturgjike; është një sfidë me të cilën jam përballur disa herë. Por, kësaj here, përveçse jam më e rritur, 29 vjeçe (buzëqesh), Ema është një adoleshente krejt ndryshe nga të gjitha rolet e tjera dhe shumë e ndryshme edhe nga unë në adoleshencë. E vetmja pikë e përbashkët është energjia, sidomos përsa u përket nervave...

- Çfarë pa të përshtatshme te ti regjisori, për të të shndërruar nga Esela, në Emë?

- Për të qenë Ema, unë kam fituar një audicion, pasi Kaçi (Kastriot Çipi) nuk më njihte më parë. Sigurisht, ka qenë një surprizë shumë e bukur që fitova dhe u bëra pjesë e trupës së aktorëve.

- Në “Mallkimi i fukarenjve” të gjitha personazhet janë në kërkim të lirisë së tyre... Ti ( Ema) kërkon me çdo kusht të largohesh nga familja jote. Ka ndodhur në ndonjë moment të jetës tënde një gjë e ngjashme me këtë?

- Unë jam larguar nga familja ime për shkak të dashurisë, po sigurisht, ka pasur momente gjatë adoleshencës që për të pasur lirinë, në një kuptim më të ngushtë sesa liria që kërkon Ema, kam ëndërruar që të jetoja vetëm. Por, kanë qenë momente që kanë zgjatur shumë pak. Tani që jam larg, e kam kënaqësi të kthehem te mami e babi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.