Kafka e Uilliam Shekspirit mungon në varr

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Një grup arkeologësh britanikë doli në përfundimin se kafka e Uilliam Shekspirit ka gjasë të mungojë në varrin e tij, duke vërtetuar kështu zërat që qarkullojnë prej disa dhjetëvjeçarësh në lidhje me vjedhjen e varreve dhe duke shtuar misterin për banesën e fundit të shkrimtarit. 400 vjet pas vdekjes së Shekspirit dhe varrosjes së tij në kishën e Shën Triadhës në Stradfort-Apon-Eivon, në Anglinë qendrore, u është dhënë leja studiuesve të “skanojnë” me gjeo-radar varrin e dramaturgut dhe poetit të madh anglez. Megjithatë, në vendin ku pritej të gjenin kafkën e tij, gjetën të dhëna që dikush kishte gërmuar varrin. “Kemi një gërmim të vjetër të varrit, në vendin ku ka qenë kafka dhe kemi edhe një histori që mbështet teorinë se në një moment të caktuar ka ardhur dikush dhe ka marrë kafkën e Shëkspirit”, tha arkeologu Kevin Kols, i universitetit të Strafordshirit, duke deklaruar me bindje se kafka “nuk gjendet në Shën Triadhë”.

Rezultatet e thellojnë më shumë misterin që ekziston për varrin e Shekspirit. Në pllakën e varrit nuk shkruhet emri i dramaturgut, thjesht një “mallkim në vargje” për atë që do të guxojë të ngacmojë varrin: “Miku im, për dashurinë e Jezuit, mbaje veten, mos gërmo pluhurin që gjendet mbyllur këtu. I bekuar është ai të cilit do t’i vijë keq për këta gurë dhe i mallkuar ai që do t’i lëvizë kockat e mia”.

Në përpjekje për të gjetur kafkën, arkeologët u përballën me një mit tjetër të lashtë që thoshte se ajo ishte fshehur në një kriptë të vulosur, në një kishë tjetër, 24 km larg të parës. Duke hetuar këtë kafkë, ata vërtetuan se i përkiste një gruaje të moshës afro 70 vjeç. Historia e “kafkës së humbur” të Shekspirit u bë publike për herë të parë në revistën “The Argosy”, në 1897. Autori i shkrimit kishte thënë se përgjegjës për këtë ishin gjuetarët e trofeve të shekullit të 18-të, në një periudhë kur vjedhja e varreve ishte një praktikë e zakonshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.