Letra për psikologun Më thoni që nuk do të çmendem!

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar doktor Jashar Demiri. Jam një djalë nga Kosova, 24 vjeçar. Në verën e vitit 2013 u diagnostikova me ankth të gjeneralizuar të përzier me depresion dhe për këtë kam marrë dhe ilaçe. Vazhdoj të punoj, të studioj e të dashuroj pa asnjë problem, por sa herë ulet doza e terapisë, ankthi më kthehet përsëri. Kam lexuar edhe në internet për simptomat e të gjitha sëmundjeve të tjera psikike dhe kam frikë të madhe se mos një ditë ato sëmundje do t’i kem edhe unë. Doktori im neuropsikiatër më ka thënë që asnjëherë nuk ka shanc që unë të vuaj nga ndonjë sëmundje psikike. Problemi im psikologjik është një keqpërshtatje e jetës, por mua më duket se nuk ka shpëtim për mua. Kam hyrë në një rreth vicioz që po më duket i pathyeshëm. A mund të shërohem ndonjëherë dhe a mundem edhe unë një ditë të vaksinohem dhe mendimet obsesive të mos më bëjnë më përshtypje? Dua të di, ashtu siç janë shëruar shumë njerëz, a mund të më shëronit edhe mua? Kuptohet, të më ndihmoni, sepse shërimi vjen me lejen e Allahut të madhërishëm. Pres përgjigje sepse jam në një gjendje shumë të keqe. Është hera e katërt që më është kthyer ankthi dhe këtë herë kam lexuar shumë për psikozat e shumë sëmundjeve psikike, ndaj më duket se radhën e kam unë. Doktor, më thoni që nuk do të çmendem asnjëherë!

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - I nderuar letërshkrues 24 vjeçar nga Kosova, letra jote është vërtet interesante pasi shumë gjëra ajo i thotë vetë. Le t’i marrim m e radhë. Diagnostikimi yt nga psikiatri: “ankth i gjeneralizuar, përzier me depresion” nuk më duket aq bindës, pasi ankthi i gjeneralizuar (ose i përgjithësuar) ndodh kur njeriu vuan për një kohë të gjatë dhe ankthi i është bërë kronik, domethënë, pjesë e jetës së tij. Këtë nuk e besoj sepse nuk je nga ata njerëz që edhe kur gjërat të shkojnë mirë ti e gjen diçka për t’u shqetësuar. Nuk e besoj pra, duke u bazuar në letrën tënde, si edhe për faktin se je edhe besimtar. Tjetër: fjala “ankth” nuk do të thotë sëmundje apo patologji, pasi ankthioziteti s’ka të bëjë me sëmundjet, pavarësisht se te klientët si ti, të axhituar, tepër të mërzitur apo të lodhur nga ankthi me ca ide derealizimi, simptomat përngjajnë me ato të sëmundjeve psikike. Porse, siç duket, psikiatri yt symprehtë e me përvojë të paska siguruar se problemi yt është i tëri psikologjik, pra, që asnjëherë nuk ka shanse që ti të vuash nga ndonjë sëmundje psikike, por vetëm se nga mënyrat e gabuara të të menduarit (katastrofizues), si edhe nga keqpërshtatjet. Mos e harro këtë gjë, pasi për fat të keq, vetëm një pjesë e psikiatrëve e kuptojnë apo ta thonë këtë gjë në Shqipëri e Kosovë. Vetë fakti që je diagnostikuar nga ankthi e çrregullimet obsesive, e përjashton totalisht çdo lloj psikoze. Të mos harrojmë se psikozat janë sëmundje të rënda psikike dhe këtë gabim te ne nuk e bëjnë vetëm mjekët e urgjencës, por ndonjëherë edhe psikiatrët. Këtë do ta kuptosh edhe më mirë gjatë seancave me psikoterapi në qoftë se ti do t’i bësh me ndonjë psikoterapeut me përvojë. Seancat janë ato që të “vaksinojnë” nga mendimet obsesive (vesveset), si dhe të bëjnë të durosh mosbërjen e kompulsioneve (si një keqpërshtatje që i mban obsesionet gjallë). Në qoftë se obsesionet janë si rrënjët e një bime, kompulsionet janë si degët ose gjethet që i furnizojnë këto “rrënjë”. Po të heqim keqpërshtatjet, pra, degët (si kompulsionet) rrënjët s’e kanë të gjatë. Më bëri shumë përshtypje pyetja jote: a mund edhe unë një ditë të “vaksinohem” dhe mendimet obsesive të mos më bëjnë më përshtypje? Kjo është një pyetje e bukur që tregon se ti e di se kjo gjë mund të ndodhë dhe e synon atë. Çdo gjë që njeriu e synon, pra, e dëshiron, Universi ia jep. Këtë e shpjegon bukur një libër psikologjik me titull “Sekreti”.

- Por, si kudo, edhe këtu, siç thuhet: “hyzmeti-kësmeti”. Në qoftë se ti nuk ke mundësi të vish për disa seanca, pasi je larg, kërko në Prishtinë psikologen e talentuar Lumnie Telaku si dhe lexo në www.intervista.al përgjigjet që u kam dhënë disa lexuesve për këto çështje. Normalisht, unë nuk mund ta shpjegoj me detaje një përgjigje të cilën e kam shkruar edhe më parë, pasi lexuesit e rregullt të gazetës sonë të bukur “Intervista” na kërkojnë gjëra të reja, porse të siguroj se po t’i lexosh me kujdes përgjigjet e mia, ti do t’i shërbesh vetes duke marrë njohuritë bazë të vetëndihmës. Siç e thua ti në letër, ne doktorët jemi vetëm “sebepi” i mirë, pasi shërbimi vjen me lejen e Allahut të madhërueshëm. Por, mos u çudit: sikur të gjithë njerëzit me ankth t’i luteshin Allahut që t’ua heqë këto ankthe e streset, mua më duket se zëri i Allahut do t’u përgjigjej: “ta kam dhënë shëndetin e plotë e mendjen e zgjuar, atëherë çfarë do më? Mësoji që t’i dish...”. Që të më kuptosh më mirë, seancat psikoterapeutike kundër ankthit, panikut e obsesioneve janë si një lloj “kursi” pa të cilin nuk merret “patenta”, pra, t’i lutesh Zotit që “aman m’i hiq” është njëlloj sikur t’i lutesh atij të të mësojë notin, biçikletën, makinën apo një gjuhë të huaj. Besoj se më kuptove!

Kemi lënë pa thënë edhe diçka: ti, ashtu si shumë “hallexhinj” të tjerë, futeni në internet e çfarë nuk lexoni aty, por pak i gjeni ato që janë “specifike” për problemet tuaja. Duke u shpërndarë shumë e duke besuar në mënyrë të gabuar ato që ju i lexoni e nuk dini se si t’i ndani, ju krijoni hipokondriazë (sëmundje të krijuara nga frika) ose saiberkondri (“sëmundje” të krijuara nga interneti nga informacionet e tepruara). Edhe ky është një problem me vete, pasi siç thotë populli, “ngacmohet” shejtani dhe mund të fillojnë edhe dhimbjet “fallco” si imitime sëmundjesh të cilat quhen çrregullime psikosomatike. Këto janë tmerruese për personat e trembur nga simptomat (normale ose pak të tepruara si dhe nga “bëmat” imagjinare të sëmundjeve). Besoj se u kuptuam.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.