Kam lënë mësimet për një vajzë...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një djalë 18 vjeç, i dashuruar marrëzisht pas një vajze te shkolla ime. Ajo është një vit më e vogël se unë dhe ka shumë fansa, sepse është shumë e bukur. Nuk kam shoqëri me të, por i buzëqesh dhe ma kthen gjithmonë buzëqeshjen. Jam bërë me fiksime saqë e shoh edhe në ëndërr. Nuk di si t’ia bëj... T’ia shpreh ndjenjat apo jo? Kam frikë se do të më refuzojë, sepse ajo ka shumë kërkesa, por di që po çmendem pas saj dhe kam lënë edhe mësimet pas dore. Çfarë më këshilloni të bëj, se kam rënë në hall të madh?

Borana Marku, psikologe: - I dashur 18 vjeçar, nuk është gabim apo hall të pëlqesh një vajzë apo edhe ta dashurosh, pra, është normale aq më tepër në moshën tuaj.

Do ta quaja problem faktin që ju keni filluar të fiksoheni pas saj, kjo po që është e gabuar sepse pasojat i keni thënë po vetë: Pagjumësi, rënie në mësime. Me këtë gjë i bëni dëm vetëm vetes suaj. Të lini pas dore mësime për shkak të një femre!? Kjo është e gabuar, ju jeni shumë i ri dhe do të njihni shumë femra në jetën tuaj, do të keni dhe lidhje ndoshta jo vetëm me një femër. Ç’do të thotë kjo?

Që sa herë bini në dashuri, ta lini jetën që bëni pas dore, aq më tepër studimet? Asnjë vajzë tërhiqet ndaj një djali që nuk studion apo nuk është i formuar, i kujdesshëm dhe i kontrolluar. Pra, në këtë pikë, ju duhet të zgjoheni, të filloni të mësoni, të bëheni akoma më i suksesshëm dhe më i shkathët në kuptimin pozitiv dhe do të shikoni që do të keni më shumë sukses me femrat.

- Ndërsa për femrën në fjalë, afrohuni me të miqësisht, nuk ka asgjë të keqe nëse provoni të flisni me të. Mos u trembni nga bukuria e saj apo fansat që ka rreth e rrotull sepse çdo mashkull ka të veçantat e veta. Edhe nëse ju refuzon, nuk keni pse të ndiheni keq, duhet ta vlerësoni më shumë veten tuaj për cilësitë që keni, mos u bazoni te paraqitja. Ajo vajzë mund të jetë e bukur, por ndoshta kur ta njihni si karakter, si natyrë, nuk do t’ju pëlqejë. Ndaj duhet të provoni të flisni me të dhe në këtë mënyre, hiqeni fiksimin një herë e mirë. Duhet të jeni me këmbë në tokë, pra, të jeni realist. Jeta vazhdon, si ju pranoi vajza, ashtu edhe nëse nuk ju pranon. Asnjë femër nuk do të ketë në krah një mashkull të dështuar apo të depresionuar dhe aq më tepër të fiksuar pas një femre. Femrat tërhiqen më shumë ndaj meshkujve që janë të shkathët, studiozë dhe që janë pak më indiferentë, ama të dashur dhe socialë. Afrohuni si shok, pastaj duke parë e duke bërë. Nëse nuk ju pranon, futini një mendje të lehtë dhe shikoni rreth e rrotull se ka plot vajza të tjera të bukura e me vlera. Ju uroj fat!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.