Po, e dua armën që tha Berisha!

Mamaja pësoi infarkt prej tradhtisë së motrës

Intervista - - FAQE 1 -

Të nderuar lexues, po e tregoj këtë histori me qëllim që të shpreh dhimbjen time që ka nëntë muaj që po më tret. Jam tridhjetë e dy vjeç, lindur e rritur në Tiranë. Prindërit nuk i kam nga Tirana, por kanë ardhur që të dyja familjet e gjyshërve kur prindërit e mi kanë qenë fëmijë. Nuk po e tregoj se nga jam sepse më duket sikur do të fyej gjithë zonën prej nga erdhën gjyshërit, kur në fakt, pjesa tjetër e njerëzve s’i kanë faj motrës sime. Jam djalë i vetëm me tri motra. Prindërit kanë punuar gjithë jetën punëtorë. Babai vdiq sapo doli në pension dhe për mamanë time ishte shumë e vështirë, por me ne të katërt pranë, e kaloi.

Babai ka punuar në një repart ushtarak gjithë jetën dhe ka qenë burrë i nderuar, edhe pse pa grada. Ndërsa ime më ka punuar në Kombinatin e Tekstileve. Shtëpinë e kemi te Shkolla e Bashkuar. Prindërit janë njohur krejt rastësisht në një dasëm, ku mamaja kishe shoqe nusen e babai kishte dhëndrrin. Babi im kishte qenë me krushqit dhe kur kanë marrë nusen, atij i kish rënë në sy një vajzë “krejt e vockël” që rrinte mbas nuses. Dhe vajza e vockël ishte mamaja ime.

Sigurisht që dhëndrri u bë shkuesi i tyre dhe i pre- zantoi me njëri-tjetrin e me familjet. Mamaja ime e kujtonte me shumë nostalgji takimin e parë më babain. “Mu duk sikur një re e madhe erdhi sipër meje e më zuri diellin”, thoshte ajo për të treguar që ajo ishte shumë e shkurtër e im atë i gjatë.

- Po ajo reja të pëlqeu ama t’i rrish në hije, - e ngacmonim ne fëmijët.

- Epo, po më detyroni ta nis historinë nga fillimi - thoshte e ia niste: - “Dua të takojmë një gjysëm kushëri dhe shok të ngushtë të F.së”, më tha Nexhi një muaj pas dasmës së saj. “E ç’është ky nxitim Nexhi, apo të lezetoi martesa për vete e do të martosh gjithë shoqërinë?”, i thashë shoqes sime. “Epo, kur djali është i mirë, pse mos të të martoj edhe ty? Vetëm unë t’u bëj shërbim njerëzve të burrit e burrit në veçanti?”, u përgjigj Nexhi dhe pesë hapa më tutje më prisnin burri i Nexhit me kushëririn e tij, babain tuaj. Gjithë lumturia që takova shoqen më ngriu në vend kur pashë F.-në me një djalë të gjatë. Ai djali i gjatë ma trazoi mendjen menjëherë me atë sytë e tij gri në bojëqielli, me atë zërin e tij burrëror. E vendosa menjëherë që do pranoja”, - thoshte mamaja ime e qeshte. Ndërsa babai im drejtonte shpatullat për t’u rehatuar pas fjalëve të gru- as së jetës së tij. Ky ishte në vija të përgjithshme fillimi i historisë së tyre të dashurisë.

Prindërit e mi u fejuan shumë shpejt pas takimit të tyre të parë se në atë kohë ishte e vështirë të dilje pa u marrë vesh. Ata ndenjën një vit të fejuar. Kur ata u martuan, babai thoshte: “E lashë edhe një vit të rritej pak, po ajo mbeti po aq e vogël sa ç’e pashë në dasmën e Nexhit. Ma lanë mua detyrën që ta rrisja”, e ata qeshnin bashkë.

Jeta e tyre martesore ka ardhur e qetë, sepse të dy ishin në punë kur u martuan, ishin rritur në qytetin më të madh të Shqipërisë dhe arritën të merrnin shtëpi në pallat dy muaj pas martese sepse xhaxhai im ishte anëtar në këshillin e lagjes. E para lindi motra ime e madhe, që është një engjëll. Ajo pothuajse më ka rritur. Ajo ishte katalizatori më i mirë mes motrës së dytë dhe meje, që ishim pothuajse moshatarë. Mamaja ime, pas lindjes së motrës, ka kaluar një sëmundje goxha të rëndë dhe për gati një vit, edhe mjekët i kishin hequr shpresat për të. Por, falë Zotit, ajo jo vetëm që u bë më mirë, por na lindi motrën e dytë, mua dhe motrën tjetër pas meje, si dhe na ka rritur me shumë dashuri e përkushtim. Babai im, si më i gjati i shtëpisë, thoshte “jam shërbëtori i të shkurtërve”.

- Po si s’më ngjanë mua fëmijët të gjatë, por të gjithë i ngjanë nënës së tyre, - e qeshte ndërsa ngacmonte mamanë.

- Po ti prit sa të rriten more, pastaj shih e shkruaj se kujt i kanë ngjarë!

E kështu, mes humorit të babait e përkushtimit maksimal të mamasë, ne u rritëm si më të mirët. Që të katërt i ngjamë babait të gjatë. Motra e madhe ka qenë basketbolliste deri kur u martua, motra e dytë është marrë me volejboll edhe ajo, derisa u martua. Unë, si gjithë djemtë, kam pëlqyer futbollin. Të dy dhëndurët e parë janë të gjatë e të dhënë pas futbollit dhe mendoj se ata ma kanë injektuar dashurinë për futbollin. Vetëm motra e vogël nuk u mor me sport, po ajo me sa dukej pëlqente “sporte” të tjera...

Motra e madhe u martua me shkuesi dhe pati fat. Motra e dytë e njohu vetë burrin e saj, por patën një fatkeqësi që mos i rëntë askujt. Djali i tyre u sëmur kur ishte shtatë vjeç dhe vdiq. Edhe pse djali ka vite që u ka vdekur dhe ata sot kanë tre fëmijë të tjerë, sërish një herë në muaj shkojnë në varreza që të ujitin lulet dhe pishën që kanë mbjellë pranë varrit të gëzimit të tyre të parë.

Unë, përveç dashurisë për futbollin, trashëgova edhe pasionin e gjyshit për të riparuar elektroshtëpiaket. Sot punoj si teknik, por akoma nuk e kam gjetur gruan e jetës sime. Motra e vogël u dashurua kur ishte në shkollë të mesme dhe u martua sapo mbaroi gjimnazin. Arsyen e martesës me aq vrap e morëm vesh më vonë, kur barku i motrës nuk fshihej dot më. Ajo lindi një djalë të shëndetshëm e ndryshe nga nipat e mbesat e tjera, ishte i bardhë dhe i mbante sytë hapur qysh kur doli nga materniteti. Është kopja e të atit. Kur djali mbushi tre vjeç, motra lindi vajzën. Kur vajza mbushi tre vjeçe, motra e çoi vajzën në kopësht e filloi punë në një firmë ku i shoqi njihte një nga pronarët. Sigurisht, e filloi punën me shumë dëshirë sepse nuk kishte punuar asnjëherë, pastaj izolimi vetëm me punët e shtëpisë dhe me rritjen e fëmijëve e kishte lodhur, pavarësisht sesa e lumtur ishte me bashkëshortin. E filloi punën si magaziniere dhe nuk kishte ndonjë gjë të madhe për të llogaritur. Thjesht, duhej të regjistronte me shumë saktësi se çfarë hynte e dilte nga kompania. Punës ia mori dorën shumë shpejt dhe të gjithë u lumturuam për të. Në fillim në punë ishte në zyrë me një grua që ishte ekonomistja e firmës dhe kur ajo doli në pension, ata morën një burrë si ekonomist. Ata ndenjën për dy vite në zyrë dhe krejt papritur motra na tha si muhabet një ditë që i kishin thënë të qëndronte në magazinë sepse kishte shumë qarkullime.

- Po kjo do të thotë që të kanë ulur në detyrë dhe rrogën! - i tha ime më.

- Jo, vetëm se atje është hapësirë shumë e madhe dhe në dimër është shumë ftohtë e në verë është vapë se s’është e mbuluar me tjegulla.

- Epo, mirë de, do bësh punën e kaq, njerëzia kanë punuar në ara, dimër-verë. Ti s’je jashtë, - i tha mamaja. Në fakt, kishte qenë pjesë e skenarit të motrës me llogaritarin. Ndenjtja vetëm në zyrë për dy vite rresht, si duket e kishte bërë që të binte në dashuri me kolegun. Dhe marrëdhënia e tyre nuk kishte mbetur vetëm në dashurinë platonike. Ata ishin lidhur e ishin takuar me qindra herë edhe nëpër hotele, kur nuk u krijohej mundësia në zyrën e tyre. I zbulova vetë i pari nga familja. Isha nisur të takoja një shoqen time dhe ndërsa zbrisnim të dy nga makina, dëgjova një zë të njohur. Ktheva kokën menjëherë dhe pashë time motër që qeshte në krah të kolegut të saj. I thashë shoqes sime të ulej në një tavolinë dhe iu afrova motrës.

- Përshëndetje, - i thashë dhe i dhashë dorën kolegut të saj. Ime motër u zverdh e tëra. Djersët i filluan ballit, ndërsa priste se ç’do t’i thosha.

(Vijon numrin e ardhëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.