Gjakmarrësit ma kanë bërë benë!

Intervista - - FAQE 1 - B. T

Unë quhem B. T dhe jam me origjinë nga Dibra. Historia ime është e shkurtër, por e dhimbshme. Unë jam djalë i ri dhe sot vuaj problemin e gjakmarrjes. Jam në gjak, familja ime është në gjak me tre familje dhe ata që mendohet se janë shkaktarët e këtij problemi janë personat me inicialet e G.D, I.H dhe A.A.

Në qershor të vitit 2003, G.D dhe A.A janë denoncuar nga motra e nuses së vëllait tim për përdhunim. Ata u dënuan me ligj dhe përfunduan në burg. Pasi kryen dënimin dhe dolën nga burgu, ata kërkonin që të merrnin hak, por pas asaj ngjarjeje, të gjithë të afërmit e mi janë larguar jashtë shtetit. Madje, as familja ime pas asaj ngjarjeje, nuk ka jetuar më aty. Që nga ajo kohë, ne u fshehëm familjarisht në Dibër dhe jemi kthyer ndonjëherë në vendin ku kemi jetuar më parë, vetëm sa për të parë për shtëpinë. Një herë që shkuam që ta kontrollonim shtëpinë, ata e kishin planifikuar që të më gjenin mua brenda (unë jam i vogli i familjes këtu) dhe ta hidhnin shtëpinë në erë, bashkë me mua brenda. Vetëm Zoti i madh e di se si kam shpëtuar unë. Qëllimi i tyre i vetëm është të marrin hak dhe duke qenë se asnjë nga familjarët e tjerë nuk janë këtu, ata do të mundohen me çdo kusht që të më bëjnë diçka të keqe mua apo edhe familjes sime. Kunata e vëllait tim dhe familja e saj kanë qenë gjatë gjithë kohës nën presion nga familjarët e atyre tre familjeve dhe ata nuk patën rrugë tjetër, përveçse të iknin jashtë.

Në 2011-ën ndodhi edhe një ngjarje tjetër shumë e dhimbshme, motrën e nuses së vëllait tim e vranë dhe ende sot e kësaj dite familjarët e saj nuk kanë gjetur qetësi. Ai që po e vuan të gjithë këtë tragjedi jam unë, sepse ata duan të marrin hak ku të munden. I jam drejtuar policisë, por nuk ka mundur të bëjë gjë. Edhe unë vetë e kuptoj se nuk kanë çfarë të bëjnë. Në male ligji bëhet vetë, kështu që unë nuk di më se ç’të bëj. Kam kaq vite që fshihem, edhe shkollën e bëj me frikë, edhe jetën e bëj me frikë; gjithçka e bëj me frikë. Ata më dogjën shtëpinë, ma hodhën në erë sepse e dinin që do të isha aty, që do të thotë se po më prisnim mua për të më vrarë.

Më thoni, a shtyhet jeta me frikë? Të kesh frikë të dalësh në rrugë, të kesh frikë të shkosh në shkollë, në dyqan, të kesh frikë për prindërit, të kesh frikë për familjarët, për njerëzit e tu më të dashur!

Kjo është historia ime e shkurtër, por e tmerrshme. Unë nuk e di nëse një ditë do shpëtoj nga ky ankth, por do të doja të shikoja edhe unë një ditë të bukur e të lumtur dhe besoj se e vetmja zgjidhje është të iki jashtë edhe unë, të iki e të mbrohem nga këta njerëz të këqinj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.