Sali Berisha: “Gabova kur thashë që të armatosen njerëzit”

Intervista - - AKTUALITET -

E mbani mend besoj, që javën e kaluar isha në Durrës. Isha për qejf në fakt, por meqë pashë në majë të palmës zotin Vangjush Dako, i bëra edhe një intervistë atij. Kësaj jave shkova në Gjirin e Lalëzit. Thashë të shikoja edhe detin e asaj ane. Pikërisht buzë tij pashë dikë që pas vrapit, u ul dhe po kundronte me imtësi. Ishte vetë zoti Berisha! Iu afrova dhe bëra me të këtë bashkëbisedim:

Kaso Kosa: - Përshëndetje, zoti Berisha. Zoti Berishaaaaa, përshëndetje! Sali Berisha: - Përshëndetje Kaso! Isha i përhumbur e s’po të dëgjoja.

- Kështu jeni të tërë ju; mezi më dëgjoni. - Epo, i ka meditimi këto gjëra, Kaso. Të gjithë ne politikanët, meditojmë. E di ti Kaso, si ka lindur meditimi?

- Jo, zoti Berisha, nuk e di…

- Ta them unë, Kaso. Meditimi ka lindur në Kinë, nga pushtetarët. Ata uleshin buzë orizoreve dhe mendonin…

- Mendonin si të zhvillonin vendin…

- Mendonin si të mbanin pushtetin, Kaso. Ndryshe, pa pushtet, do ta shtynin jetën duke ngrënë oriz, si gjithë dynjaja kineze.

- Po ju, ç’po mendonit, zoti Berisha?

- Të të them të drejtën, këtë po mendoja Kaso. Ti e di që ty gjithë politikanët të thonë të vërtetën. S’bëj as unë përjashtim.

- Meqë ra llafi te pushteti, zoti Berisha: Para disa ditësh ju dëgjova që u bëtë thirrje njerëzve të armatoseshin e të mbronin pronat e tyre. Duket sikur këtë thirrje e bëtë për marrjen e pushtetit…

- Po, sigurisht, Kaso që për të marrë pushtetin e bëra. Se, ç’prona të mbrojnë njerëzit e gjorë, kur kjo qeveri e krimit, i ka lënë pa prona fare?!

- Mendoni se njerëzit do t’jua dëgjojnë llafin e do të armatosen? - Ata të armatosur janë, Kaso! I kemi armatosur që në 1997-ën ne. Ca i armatosa unë e ca Nanoja. Gjithsesi, ja ku po ta them: U nxitova e fola pa u menduar, kur thashë që njerëzit të armatosen. Nuk është zgjidhje armatosja, se s’na lë Amerika ta marrim pushtetin me dhunë. Kam menduar një variant tjetër për rrëzimin e qeverisë...

- Mund të ma thoni këtë variant, zoti Berisha?

- Do të hedhim në erë kabllin që lidh me internet Shqipërinë me Italinë.

- Do hidhni në erë kabllin?!

- Po, pra, Kaso. Hedhja në erë e këtij kablli do rrëzojë qeverinë. E thënë popullorçe; Duke hedhur në erë këtë kabëll, do t’i “shtrijmë kabllin” qeverisë.

- E di që mbeta aguridhe dhe nuk i kuptoj politikanët, zoti Berisha. Mund të jeni pak më i saktë, ju lutem?

- Dëgjomë, Kaso. Ti e mban mend besoj, kur pasi ne humbëm zgjedhjet në vitin 2013, shpërthenin me eksploziv shtyllat elektrike…

- Po, e mbaj mend, zoti Berisha.

- Ajo ide ishte e zotit Paloka dhe u materializua nga trimat tanë në terren. Ama, sot e pranoj që ishte ide tepër e gabuar. Kjo ideja ime për të hedhur në erë kabllin e internetit që lidh Shqipërinë me Italinë, do funksionojë, Kaso. Jam mendje gjeniale unë!

- Përse mendoni se do të funksionojë?

- Vetëm kështu mund t’i ngremë të rinjtë në revolucion. Ti e di, Kaso, që rinia jonë punësohet në “call center”. E imagjonon dot? Nëse ne shkatërrojmë këtë kabëll interneti, ç’bëhet? Mijëra të rinj e të reja mbeten pa punë, kështu që do të hidhen në protesta për të rrëzuar qeverinë e krimit Ramajo Meta.

- Ju paska shkuar në mendje mirë kjo ide, por nuk më thoni zoti Berisha: Kush do ta vërë në zbatim planin tuaj të hedhjes në erë të kabllit? Dhe, a e dini ku shtrihet ky kabëll?

- Kablli shtrihet këtu ku je ulur ti, Kaso.

- Shtrihet poshtë meje?! Bobo, aman zoti Berisha, se nëse i ndodh gjë kabllit, do më “shtrijnë mua kabllin” ata të policisë, se do më ketë kapur ndonjë kamerë e këtyre lokaleve. Aman, se nuk e mbaj dot burgun fare.

- Rri i qetë Kaso, se i kemi ca njerëz në Prokurori dhe Gjykata ne e s’të gjen gjë. E kishim mhahabetin te kablli; Që thua ti, ai kalon poshtë teje, futet në det e shkon deri në Itali. I kam hartat e sigurta, se m’i ka dhënë Luli Basha, që ka qenë ministër transporti.

- Kush do ta kryejë këtë aksion, zoti Berisha?

- E kush tjetër veç një notari, Kaso?

- Do paguani ndonjë notar domethënë?

- Oooo, Kaso! Po mua, ç’më kujton ti? Nuk e mban mend sa orë rrija në ujë në det?! Pikërisht se e dija që do të duhej një aksion i tillë një ditë, ndaj rrija.

- Uuuueeee, tani e kuptova unë, përse stërviteshit në not ju!

- I thashë Kastriot Islamit, meqë është fizikan, të bënte ndonjë marifet e ta shkatërronte atë kabëll, por më tha “nuk mundem”. Kujton “Kaçi i zi”, se do pres nga ai, unë. Vetë do ta bëj këtë aksion. Ja aty tek ajo torba, kam ca eksploziv.

Sa tha kështu zoti Berisha, ia futa me vrap dhe ika. Distancën 42 kilometra Durrës-Tiranë, e bëra më shpejt se ç’e bëjnë maratonistët… Bisedoi me shaka:

Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.