Email-i i dërguar nga adresa ahmetaj@financa.gov.al te edirama@kryeministri.al

Intervista - - AKTUALITET -

Përshëndetje zoti Kryeministër.

Po ju drejtohet ministri i financave, Arben Ahmetaj. Pasi keni deklaruar pasurinë dhe mësova shifrat tuaja në llogaritë bankare së bashku me pronat e deklaruara vendosa që t’ju shkruaj.

Vura re se të ardhurat tuaja me të mëdha i keni përfituar nga shitja e pikturave sesa nga puna si kryeminstër. Nisur nga kjo, duke qenë se jemi pak ngushtë ekonomikisht këtë periudhë, dua të të kërkoj një nder. Dua të më ndihmosh që t’i bëj vajzat piktore sepse dua që të ngremë mirëqenien e familjes.

Më pëlqen gjithashtu strategjia që keni zgjedhur, zoti Rama. Si ju shkoi në mendje që të bëheshit Kryeministër për të shitur pikturat tuaja?

Kjo kërkon mendjen e një gjeniu, normalisht. Nga ana tjetër, e tillë ndeshmëri dhe trasparencë që ju keni shfaqur tregon se edhe artistët mund t’ia dalin të zotërojnë pasuri të mëdha me veprat e tyre. Ju jeni shembulli konkret!

Po mendoja që si ministër financash të përgatitja një rezyme për gjithë brezat e ardhshëm në familje, për t’ua lënë amanet që të vazhdojnë zanatin e piktorit brez pas brezi, në mënyrë që të sigurojnë të ardhmen.

Unë personalisht, të ardhurat më të mëdha i kam nga dy përkthime që kam bërë nga anglishtja në shqip. Me to kam mundur të vë ndonjë lek mënjanë se me zanatin e ministrit dhe zyrtarit, ngelesh me gisht në gojë për gjithë jetën.

Dhe kështu kanë bërë të gjithë ministrat dhe deputetët që janë me lekë.

Ja, kemi Koço Kokëdhimën, për shembull. Ai ka një serë të vogël në ballkonin e shtëpisë ku mbjell domate, speca dhe mashurka.

Si filloi t’i binte lapsit se vetëm kështu bëhej ndonjë lek, iu fut prashitjes së domateve seriozisht, dhe ja ku e ke tani, ka dalë në selamet.

Vetëm profesioni të nxjerr në dritë, zoti Rama, ndaj dhe duhet t’i ndërgjegjësojmë shqiptarët që, ose të bëhen artistë, ose këpucarë dhe marangozë.

Pastaj, që kjo teori është e vërtetë, ke raste sa të duash që ta konfirmojnë.

Është ministri Bejqaj që kursimet që ka hequr mënjanë i ka nga ca priza që ka rregulluar nëpër lagje e ca llampa kuzhine që ka ndërruar në pallatin e tij nëpër komshinj. Madje, me lekët e përfituara nga ndërrimi i llampave dhe portollampave, ka blerë makinën.

Fidel Ylli i ka bërë lekët e tij më të shumta duke bërë ndeshje boksi nëpër lagje. Ka fituar qindra baste dhe pastaj vuri kapital si badigard. Kur e mori seriozisht profesionin e badigardit, i ndriti fati.

Mileti mendon se Erion Veliaj lekët e dasmës i ka bërë duke vjedhur, por ia fusin kot, ato janë lekët e fiqve të ruajtura me nikoqirllëk për vite të tëra.

Njerëzit mendojnë se gjërat shkojnë vaj, por s’e kanë idenë se si është kjo punë realisht. E vërteta qëndron si më lart. Kaq kisha. Yti Arben Ahmetaj PS. Çdo ngjashmëri me Wikileaksin e vërtetë është e rastit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.