Valbona Mema: Ju tregoj ëndrrën e dikurshme...

Intervista - - MUZIKE -

Për Valbona Memën kënga është dashuri, muzë, trashëgimi. Hiqini këngën dhe ajo nuk do të jetonte dot. Por hiqini muzikës popullore Valbonën dhe ajo nuk do të ishte më e njëjta. Këngëtarja që bën turmat të brohorasin njëzëri me të, i ka premtuar publikut një koncert recital, ndërkohë që shumë shpejt do t’ua heqë mallin me një këngë të re, tiranase sigurisht. E zbulojmë bashkë se çfarë tjetër ka për të na thënë ajo në vazhdim…

Alma Buci: - Bona, pse kjo shkëputje nga ekrani?

Valbona Mema: - Nuk jam shkëputur me dëshirë, thjesht kam qenë shumë e ngarkuar me koncerte dhe tani po pres të nxjerr këngën time të re, në bashkëpunim me produksionin e Ervin Gonxhit.

- Ku ke qenë së fundi dhe çfarë të ka bërë më shumë përshtypje?

- Kam qenë në Çikago, për koncertin e pranverës, ku më ka lënë mbresë një mikpritje dhe atmosferë shumë e bukur.

- Popullorja do të jetë angazhimi yt i përjetshëm? A do ta shohim ndonjëherë Bonën duke kënduar “Hello” të Adeles, për shembull?

- Përse jo? Njerëzit do të shihnin një Valbonë ndryshe.. Mund të ndodhë një ditë.

- Kënga e një kolegeje që po e shijon këto kohë?

- Kënga e Artiola Toskës “S’na gjehet dermoni”, këngë shumë e bukur dhe shumë domethënëse, veçanërisht, në dialektin e Tironës.

- Çfarë përmbledh pa- suria jote artistike deri tani?

- Kam 3 albume të miat dhe 3 bashkëpunime, me Mustafa Mehën, me Pajtim Strugën dhe me Jorgo Dalarën.

- Ke diçka që të mundon kur mendon për karrierën... një peng?

- Pengu im mbetet Sokoli, mësuesi dhe babai i fëmijëve të mi.

- Gjëja më e bukur që dikush të ka thënë ndonjëherë...

- Dhuratat e fëmijëve më bëjnë shumë të lumtur.

- Në ç’aspekt mendon se ke qenë një mama e mirë?

- Në edukimin e dy fëmijëve të mi sepse ka qenë shumë e vështirë për mua, duke qenë edhe nënë, edhe baba për ta.

- Cili ka qenë komplimenti që u është bërë atyre dhe që të ka mbushur ty me kënaqësi?

- Sa të mirë dhe sa të edukuar që janë!

- I ke praktikuar shpesh kufizimet me ta?

- Realisht i kam kufizuar në shumë gjëra, pikërisht sepse nuk kam dashur të lëndohen.

- Kush është modeli, shembulli yt në jetë? - Babai im. - Pse? - Sepse kam mësuar shumë prej tij.

- Me çfarë e ushqen shpirtin Valbona? - Me mirënjohje… - Cila është kënga popullore që e përshkruan më mirë dashurinë?

- “Brenga e shpirtit”, kënga që ia kam dedikuar dashurisë së jetës sime, Sokolit.

- A mendon se jetojmë në një vend maskilist? - Nuk do të thoja. - Çfarë do të doje të shihje ndryshe te meshkujt shqiptarë sot?

- Të jenë të devotshëm për familjet e tyre.

- Tipari kryesor i karakterit tënd?

- Jam e qetë dhe këmbëngulëse në synimet e mia.

- Duket sikur jeton në ujëra të qeta. Është gjithçka kaq e qetë përreth teje?

- Nuk ka asgjë perfekte dhe nuk ka ujëra të qeta gjithmonë, por unë përpiqem që gjithçka ta zgjidh me qetësinë që më karakterizon.

- Kur ndizet shpirti yt i rebelimit?

- Rebelimi nuk është pjesë e imja.

- Çfarë të jep energji dhe të frymëzon?

- Muza ime është kënga, pasioni për të. Pa të nuk jetoj dot.

- Cila është idea jote për pushime ideale?

- Në mal, vetëm unë dhe natyra.

- Pushimet e fundit ku kanë qenë?

- Nuk do ta besoni, por nuk kam kohë të pushoj. - Tingulli i preferuar? - Violina është tingulli që më qetëson.

- Diçka së cilës do t’i riktheheshe me dëshirë? - Fëmijërisë sime. - Çfarë ka fuqinë të të përlotë?

- Humbja e njerëzve të mi të dashur.

- Cili është personi që i drejtohesh për një këshillë? - Askujt. - A është e vërtetë që për ty, realizimi i tatuazheve është një lloj terapie?

- Tatuazhet i dua dhe çdonjëri prej atyre që kam, e ka një kuptim.

- Cilit detaj estetik i kushton më shumë vëmendje?

- Duarve dhe këmbëve sepse për mua janë gjithçka.

- Çfarë nuk do të vishje asnjëherë?

- Nuk do të vishja kurrë një fustan të shkurtër. ( Qesh)

- Nëse nuk do të kishe patur lidhje me muzikën, cila do të ishte ajo që do të kishe bërë më mirë në jetë?

- Ëndrra ime ka qenë që të isha një mësuese gjuhëletërsie.

- Për të gjithë fansat, kur do të jetë koncerti i shumëpritur recital?

- Do ta kurorëzoj me publikun tim sepse ai më bëri të jem kjo që jam dhe këtu ku jam sot. I kam premtuar që shumë shpejt do të jetë një koncert i madh.

- Si e mendon përmbylljen e karrierës?

- Nuk e mendoj sepse do të këndoj sa të kem jetë, që kënga ime të mbetet ndër breza.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.