KAMELA ISLAMAJ: Gjëja më interesante që më ka ndodhur...

Intervista - - MUZIKE -

Kamela Islamaj është nga ato artiste që origjinalitetin e konsideron të shenjtë dhe sa herë vjen me diçka të re, domosdoshmërisht do të jetë edhe në stilin e saj. “Lëviz me mua” titullohet klipi më i ri, këtë herë një bashkëpunim me Orgesa Zaimin, një klip i dedikuar fëmijëve të prekur nga sindroma dovvn. Kamela na u përgjigj nga Italia, ku ndodhet momentalisht…

Fabjola Kuburi: - Kamelë e dashur, në këto momente që po flasim, ti na përcjell pozitivitet nga Italia. Cila është arsyeja e vajtjes tënde atje?

Kamela Islamaj: - Kam ardhur në Milano për pushime, por kam edhe disa plane të tjera që nuk po i zbuloj akoma. (Buzëqesh)

- Kohët e fundit shoh një Kamelë në formën e saj më të mirë!

- U bë një periudhë kohe që jam ndërgjegjësuar mbi veten dhe trupin tim. Shkoj mesatarisht tre herë në javë në palestër dhe mundohem të jem më e qetë, mbi gjithçka! Nuk ia vlen ta vrasësh mendjen për gjëra dhe njerëz të kotë.

- Çfarë gjëje interesante të ka ndodhur këto ditë atje?

- Italia është gjithmonë një dashuri shumë e madhe. Unë vij direkt pas finales së “The Voice” dhe përfundimit të xhirimeve për klipin, kështu që kisha nevojë për pak ditë pushim, shkëputje totale nga puna! Kjo ka qenë gjëja më interesante që më ka ndodhur.

- Çfarë ka ndryshe një mëngjes në Itali nga një mëngjes në Tiranë?

- Kafja është më e mirë. Njerëzit janë më të qeshur dhe duke qenë se Milanoja është një vend shumëkulturor, ka fytyra nga më të ndryshmet. (Buzëqesh)

- Në klipin tënd më të ri, ti vjen me një bashkëpunim me Orgesa Zaimin...

- Bashkëpunimi me Orgesën është realizuar përpara disa vitesh, në Top Fest7 dhe kënga është realizuar nga Indrit Mesiti. Si Orgesa, edhe unë, kemi qenë pjesë e fushatës sensibilizuese për njerëzit me sindromën dovvn. Kemi kënduar nëpër koncertet e fushatës së fondacionit DSA dhe e kemi bërë pjesë të koncerteve këtë këngë. Duke qenë se kënga u pëlqye dhe u kërcye në çdo aktivitet, vendosëm të treja palët që të bënim një video. Kënga titullohet “Lëviz me mua” dhe ky ka qenë edhe synimi ynë, që të gjithë të fillojnë të lëvizin mendësinë, për të parë gjithë dashurinë që këta njerëz kanë për të dhënë.

- Cili është ndryshimi që ka sjellë muzika në jetën tënde?

- Unë nuk jam marrë asnjëherë me asgjë tjetër, qëkur kam qenë 6 vjeçe, kështu që nuk mund të bëj dallimin se çfarë ndryshimi më ka sjellë në jetë, por mund të them që muzika është më se e këshillueshme për fëmijët sepse zhvillon imagjinatën, të bën më social dhe më të gëzuar, kështu që më ka sjellë shumë ndryshime, e parë nga kjo anë!

- Sa herë nuk ndihesh mirë apo nuk je në humor, çfarë ta rregullon ditën?

- Varet nga arsyeja se pse mund të më jetë prishur dita. Zakonisht, i drejtohem ndonjë kënge apo këngëtareje, por ka nga ato ditë që i drejtohem akullores. (Qesh)

- Muzika të jep sukses, famë, të ardhura, fansa dhe më tepër vëmendje... Çfarë të merr në këmbim?

- Të merr kohë, shumë kohë, por të paktën, të shfrytëzuar mirë.

- Ku qëndron magjia e muzikës për ty?

- Muzika bashkon shumë zemra. Nuk mendoj se ka gjë më të magjishme se kjo.

- Kanë qenë ndonjëherë problem apo të kanë shqetësuar bërrylat që ekzistojnë mes kolegëve?

- Të them të drejtën, nuk i kam problem bërrylat, madje kur nuk janë, filloj të pyes veten pse ngrinë. ( Buzëqesh) Në momentin që ka bërryla, do të thotë që ka interes në mes, kështu që fillon t’i njohësh më mirë njerëzit.

- Je e aftë të përballosh çdo lloj sfide që mund të të dalë përpara?

- Kam pasur një vit të mbushur me probleme, sfida familjare e personale, kështu që mendoj se di t’i përballoj sfidat apo të këqijat. Nuk e di edhe sa mund të mbaja, prandaj po humbas për ca kohë në Itali. (Buzëqesh)

- Çfarë është tradhtia për ty? Mendon se për këtë e kanë fajin më tepër femrat apo meshkujt?

- Unë nuk jam fare për t’i vënë gishtin apo emra tradhtisë. Ajo ndodh në momentin kur nuk jemi mirë me veten, kur jemi në mëdyshje, kur nuk ndodh asgjë interesante rreth nesh. Tradhtinë e gjejmë kudo dhe te kushdo, fundja fundit. Nuk jam për kryqëzimin e tradhtarit.

- Çfarë e ke patur të vështirë te njerëzit me të cilët ke bashkëpunuar deri tani?

- Përgjithësisht, unë kam bashkëpunuar me miqtë më të ngushtë dhe nuk kam ndier vështirësi. Përkundrazi, kam pasur gjithmonë mbështetjen maksimale.

- Me cilin të ka mbetur merak që nuk ke bashkëpunuar akoma?

- Pavarësisht se u bënë 2 vjet që bashkëpunojmë në “The voice of Albania”, nuk kemi pasur asnjë bashkëpunim muzikor me Genc Salihun. Do të ishte një kënaqësi shumë e madhe, sepse unë kam vlerësimin maksimal për artistin dhe personin që është brenda tij.

- Për kë të merr malli më shpesh?

- Mua më merr malli vetëm për prindërit, sepse janë të vetmit njerëz të dashur që nuk i kam gjithë kohën afër. Gjithë të tjerët që dua, i kam pranë meje gati gjithmonë.

- Ndër udhëtimet e tua, cilin do konsideroje si më të paharruarin?

- Më pëlqen shumë të udhëtoj dhe mundohem t’i shfrytëzoj udhëtimet në maksimum. Gjithsesi, një ndër udhëtimet që do ta mbaj gjithmonë me vete, është udhëtimi në Tajlandë. Kulturë tjetër, njerëz të tjerë, vende ekzotike, ushqim shumë më i pasur se i yni... një mrekulli!

- Ushqimi ndaj të cilit ke krijuar varësi së fundi dhe ai që nuk e honeps dot?

- Ushqime që nuk honeps kam pa fund, jam shumë problematike në ushqim (e di që nuk duket). Nuk krijoj varësi ndaj ushqimit, po sa vjen e më shumë krijoj varësi ndaj ushqimeve që nuk i duroj dot!

- Cilin falënderon për gjithçka që ke arritur deri tani?

- Sigurisht që falënderoj si fillim prindërit që më kanë lejuar të bëja atë që doja qëkur isha fëmijë. Unë kam shumë bashkëpunëtorë dhe shokë shumë të afërt. Dua t’i falënderoj të gjithë një e nga një, por janë shumë dhe nuk dua të lë asnjë jashtë. E rëndësishme është që të gjithë e dinë dashurinë dhe vlerësimin që kam për ta, sepse nuk harroj asnjëherë t’i falënderoj.

- E konsideron veten një femër të fortë?

- Siç thashë pak më përpara, jeta më ka vënë përballë shumë sfidash dhe jam munduar t’ia dal në mënyrën time. Por, po mendoj që e konsideroj veten një femër të fortë.

- Mendon se meshkujt frikësohen nga një femër e fortë dhe e pavarur?

- Dihet që meshkujt e vuajnë kompleksin e inferioritetit më shumë se femrat. Bëj shaka... Gjithsesi, unë jam për barazinë gjinore, kështu që nuk e shoh këtë si diçka gjinore.

- Për ç’arsye do ta braktisje dikë?

- Nuk do të braktisja askënd, për asgjë. Gjithçka do të ndodhë me konsensus.

- Çfarë nuk harron kurrë të marrësh me vete para se të dalësh nga shtëpia?

- Nuk harroj asnjëherë syzet e diellit. Nuk jetoj dot pa to! Jam si një vampir që ka frikë nga drita. (Qesh)

- Çfarë këngësh gjen në CD- në e makinës tënde?

- Unë nuk kam makinë, as patentë ( qesh), por në telefonin tim gjen gjithçka! Më pëlqen të dëgjoj muzikë gjatë gjithë kohës dhe përditësohem me muzikë në çdo rast që më jepet. Për momentin, këngëtarja ime e preferuar është Esperanca Spolding, që e dëgjoj gjatë gjithë kohës.

- Si do të doje ta mbyllje intervistën?

- E fundit, shpresoj mos ta merrni sinqeritetin tim për mendjemadhësi se vetëm mendjemadhe nuk jam. (Buzëqesh)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.