Xhansuja hedh Hazallin nga shkallët

“Fate të kryqëzuara”

Intervista - - TELENOVELA -

Pasi mëson se Gylserenit i ka vdekur i ati, Xhansuja niset ta kalojë natën me të. Dilara përpiqet ta ndalojë, por Xhihani gëzohet me sjelljen e së bijës dhe e dërgon të ngushëllojë Gylserenin. Të nesërmen, ndërsa ikën, Xhansuja i kërkon Gylserenit ta kalojnë fundjavën bashkë, por ajo nuk i premton... Jëlldërëmi arrin të gjejë adresën e Sollmazit dhe shkon atje në kërkim të Alperit. Sollmazi i thotë se nuk e di ku është ky i fundit, por ia jep adresën sapo Jëlldërëmi i përgatit një çek...

Ozkani del me Hazallin në mbrëmje dhe nuk i pëlqen që Xhansuja është e shqetësuar për Gylserenin, ndërsa ajo jo. Ata ulen në një kafe, ku Hazallin nis ta ngacmojë një djalë. Ozani i del në mbrojtje asaj dhe rrihet me djalin. Megjithëse e trembur, Hazalli ndihet shumë mirë që tashmë e ka një vëlla që e mbron dhe ia shpreh këtë Ozkanit.

Jëlldërëmi arrin ta gjejë Alperin i cili habitet se kush e ka bërë këtë denoncim. Ai i thotë se nuk do ta kishte denoncuar kurrë Rahmiun, pasi ai e ka kërcënuar me inçizimet e kamerave. Alperi shkon në polici dhe deklaron se Rahmiu thjesht e ka ndihmuar me levën për të rregulluar makinën dhe se nuk ka qenë ai që e ka qëlluar. Deklarata e Alperit e nxjerr Rahmiun nga burgu.

Osmani përpiqet ta mashtrojë Kerimanin duke bërë sikur po blejnë një shtëpi, që t’i marrë 20000 euro asaj, por nuk ia del dot. Sapo del nga zyra që Osmani ia prezanton si zyrë imobiliare, Kerimanin e kapin dy burra të veshur si policë. Ata e marrin atë me vete në makinë dhe nën presionin e tyre, Kerimani është e detyruar t’ua japë të gjitha paratë. Kur dalin nga shtëpia e Kerimanit, ata qeshin dhe Osmani e kupton se nuk janë policë dhe se e kanë mashtruar Kerimanin. Dy burrat janë të punësuar nga Xhandani dhe ia çojnë paratë asaj. Xhandani i fut në llogari me emrin e Ozkanit dhe i çon atij librezën bankare, duke e lënë pa fjalë e shumë të lumtur. Xhandani e urdhëron të mos e prekë atë depozitë.

Dilara e fton Xhansunë për drekë, i hap zemrën asaj dhe i kërkon që ta ndihmojë të riafrohet me Xhihanin e të jenë sërish një familje së bashku. Gylsereni i tregon Derjas se ka vendosur të largohet nga Stambolli dhe të vendoset në Izmir, ku do ta ndihmojë një ish-shoqe e saj. Me gjithë përpjekjet e Derjas për t’ia kthyer mendjen, ajo tashmë e ka vendosur dhe i thotë se nuk mund të qëndrojë në një qytet ku çdo ditë mund të përballet me njeriun që do dhe me të cilin nuk do të bashkohet dot kurrë.

Shejda i tregon Xhansusë se është hapur një faqe interneti ku shajnë të gjitha vajzat e shkollës, por mbi të gjitha, Xhansunë. Për çudi, në të shkruhet mbi çdo temë që bisedohet në shtëpinë Gyrpënar.

Derja i tregon Xhihanit se Gylsereni ka vendosur të ikë. Ai shkon në shtëpinë e saj dhe i dhuron unazën e familjes, që e ëma ia kishte lënë me porosinë që t’ia jepte gruas që dashuronte. Xhihani i thotë Gylserenit se për sa kohë ajo do ta mbajë atë unazë, ai do të besojë se për ta do të ketë ende shpresë.

Në Stamboll vjen Nuraji, ish-e dashura që ka patur Ozkani në Gjermani. Ajo është shtatzënë dhe shkon në fillim në dyqanin e Gylserenit për të ngrënë dhe pastaj në shtëpinë e Ozkanit. Kerimani, që e mëson nga Osmani se lekët duhet t’ia kenë marrë njerëzit e Xhandanit, i kërkon llogari Ozkanit për këtë. Por këtë e fundit, e pret një surprizë tjetër e hidhur: Në shtëpinë e Kerimanit ai gjen Nurajin, e cila i thotë se do të martohet patjetër me të, tani që është divorcuar, ka para dhe që ajo pret fëmijën e tij.

Gylsereni ia shet Derjas pjesën e saj të dyqanit dhe shkon të blejë dy varëse të njëjta për vajzat e saj. Pastaj ajo shet të gjitha mobiljet e shtëpisë dhe bën gati valixhet për të ikur. Dilara tashmë i ka shpallur luftë Rahmiut, të cilit nuk i pëlqen aspak kjo gjë dhe ia bën të qartë Dilarës se e kupton çfarë po përpiqet të bëjë ajo.

Dilara i hedh dyshime Xhihanit se Rahmiu mund ta ketë sajuar vetë historinë e Hazallit me Teon, vetëm e vetëm që të afrohej sërish me ta, gjë që e dëgjon edhe Rahmiu. Xhihani inatoset keq me Di- larën për gjërat që thotë dhe ata grinden sërish. Rahmiu i kërkon ndihmë Suatit për të gjetur se kush e ka marrë levën dhe kush e ka bërë denoncimin kundër tij. Rahmiu e kupton se Osmani përpiqet të fusë hundët në punët e tyre dhe i kërkon Emines të mos flasë me të, kurse Osmanit, të merret me punën e tij. Gylsereni ndan dhimbjen e saj me Derjan.

Suati e gjen personin që kishte vjedhur levën te Xhihani dhe, pasi e torturon, ai i jep videon e personit që e kishte paguar për ta barë këtë. Rahmiu shkon te Dilara dhe i tregon videon, duke i thënë se tashmë e ka mësuar se ka qenë ajo që e ka dorëzuar levën në polici dhe që e ka denoncuar atë. Rahmiu i thotë se nuk ka nevojë më për para dhe i kërkon të mos futet mes tij, Xhihanit dhe nipërve të tij.

Gylsereni i dhuron varësen Hazallit dhe ndahet me të, pa i thënë se do të ikë. Të njëjtën gjë bën edhe me Xhansunë. Xhansuja e kupton se ajo diçka i fsheh. Xhihani e ndjek nga larg ndërsa ajo ikën, e shoqëruar nga Derja dhe Mehmeti.

Dilara i kërkon të falur Rahmiut, i kërkon të kthehen si më parë dhe i rrëfen se nuk është aspak e lumtur. Shejda vazhdon të këmbëngulë se ajo që shkruan keq për të në internet, është Hazalli. E zemëruar me të, Xhansuja përballet me Hazallin e cila i thotë se duhet të ikë sa më parë nga kjo shtëpi dhe niset të dalë. Xhansuja e ndjek për ta detyruar t’i kërkojë falje dhe ndërsa grinden të dyja, Hazalli bie nga shkallët. Alperi, që ndodhet aty rastësisht, thërret menjëherë ambulancën...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.