A mund ta fitoj gjyqin për atësinë e fëmijës?

Intervista - - REKLAMA -

- Përshëndetje avokat. Unë që po ju shkruaj jam Joana nga një qytet i Shqipërisë. Kam qenë e martuar me bashkëshortin aktual, por jo me dokumente, martesën e kemi neglizhuar për arsye sepse kemi qenë në emigracion në Itali dhe kemi qenë pa dokumente. Në vitin 2014 unë linda në maternitet në Romë, por bashkëshorti nuk ndodhej aty, erdhi në Shqipëri pasi i vdiq babai. Duke qenë se ai nuk ishte aty, në aktin e lindjes nuk u shënua emri i bashkëshortit tim si babai i fëmijës. Jam interesuar këtu dhe ne jemi pa dokumente për të hapur gjyq. Avokati në Itali më tha se duhet ta hap gjyqin në Shqipëri. Pyetja ime është: A kemi mundësi ligjore për të hapur gjyq në Shqipëri dhe sa mundësi kemi për ta fituar?

- Përshëndetje Joana. Ndodh shpeshherë që qytetarët shqiptarë e neglizhojnë martesën ligjore pranë gjendjes civile, ndonëse ata mund të kenë bërë ceremoninë e martesës tradicionale me të afërmit e tyre.

- Kodi i Familjes përcakton se: Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur nga martesa provohen nga akti i lindjes, i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile.

Nuk mund të ngrihet padi për vërtetimin e amësisë ose atësisë për një fëmijë që nuk ka lindur i gjallë. Nga njohja e amësisë ose e atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese nuk mund të hiqet dorë.

Në rastin e ngatërrimit ose zëvendësimit të fëmijës, në çdo rast, edhe kur bëhet në mënyrë të pavullnetshme, mund të kërkohet me padi njohjeje ose kundërshtimi një identitet i ndryshëm i fëmijës, nëse konstatimi është bërë përpara ose pas marrjes së aktit të lindjes. Në mungesë të aktit të lindjes ose në qoftë se fëmija është regjistruar me emër të rremë, ose pa treguar emrin e nënës dhe të atit, amësia dhe atësia mund të vërtetohen me vendim gjyqësor.

Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur jashtë martese mund të vendosen me anë të njohjes vullnetare ose nëpërmjet një vendimi gjyqësor dhe për prindërit krijon të drejta dhe detyrime të njëjta, në mënyrë prapavepruese, si për fëmijët e lindur nga martesa.

Fëmija që ka lindur gjatë martesës, prezumohet se ka për baba bashkëshortin e nënës. Fëmija që ka lindur brenda 300 ditëve nga zgjidhja e martesës ose nga shpallja e pavlefshmërisë së martesës, prezumohet se ka për baba ish- bashkëshortin e nënës. Kur fëmija ka lindur gjatë vazhdimit të martesës së dytë të nënës, prezumohet se ka për baba bashkëshortin e nënës me martesë të dytë, edhe sikur fëmija të ketë lindur brenda 300 ditëve nga zgjidhja e martesës së parë ose nga shpallja e pavlefshmërisë së saj.

- Padia për vërtetimin e atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese mund të ngrihet nga nëna e fëmijës edhe kur ajo është e mitur ose nga kujdestari i saj, me pëlqimin e gjykatës. E drejta e padisë së nënës parashkruhet me kalimin e 3 vjetëve nga lindja e fëmijës.

Padia për vërtetimin e atësisë mund të ngrihet edhe nga vetë fëmija madhor. E drejta e padisë nuk parashkruhet. Padia për vërtetimin e atësisë mund të ngrihet edhe kundër trashëgimtarëve të atij që kërkohet të vërtetohet se ishte i ati i fëmijës.

- Në rastin tuaj, ju duhet të bëni martesën ligjore në gjendjen civile dhe më vonë bashkëshorti juaj ose ju, të ngrini padi për njohjen e atësisë në gjykatën ku keni gjendjen civile.

Në këto raste, caktohet nga gjykata ekspert për të bërë analizën e ADN- së. Jeni të mirëpritur pranë Studio Ligjore “Duraj” për të ndjekur procedurat ligjore. Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Av. Drn. Alban Duraj Tel. ++355 44 53 25 12 Email: info@durajlavv.com Fcb: Duraj Law Firm; Web: www.durajlaw.com Bulevardi “Bajram Curri”, Pall. “Aviacioni i ri”, K. 1, Zyra no.4, Tiranë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.