Jetoj për të çuar në fund amanetin e motrës

Intervista - - FAQE 1 -

“Zoti me një dorë të hedh e me një tjetër të pret”, kjo është një shprehje e vjetër që e dëgjoja nga gjyshja ime e më pas nga mamaja ime, por unë them se kjo nuk është e vërtetë...

Kam lindur në fshat dhe jam fëmija e i katërt nga të shtatë fëmijët që patën prindërit e mi. Kemi lindur të gjithë fëmijë të shëndetshëm dhe jeta në fshat na ka mbajtur faqekuqë. Para meje janë dy vëllezër që janë martuar e kanë fëmijë. I madhi jeton në Greqi e tjetri jeton në Itali. Më pas ishte ime motër, krenaria e të gjithë familjes. Nxënëse e shkëlqyer, vajzë shumë e bukur, por më fatkeqja ndër ne. Më pas vij unë, fëmija më trazovaç e pas meje janë dy motra e një vëlla që jeton në fshat. Të gjithë të martuar e secili ka bashkëshortë e fëmijë. Ju thashë për motrën e madhe që ishte krenaria e familjes, por ishte më fatkeqja sepse vdiq kur ishte vetëm njëzet e tetë vjeçe.

Kur unë kam qenë katër vjeçe, ndërsa lozja me fëmijët e fshatit në ara, një nga lopët e komshiut më gjuajti me brirë, duke më hedhur tri metra larg. Nga kjo hedhje unë humba njërën veshkë dhe mu thye e çapëlye nofulla e majtë nga përplasja pas një peme. Mjekët kanë bërë mrekulli për të më shpëtuar në atë kohë. Unë u rrita bashkë me vëllezër e motra pak më e llastuar për shkak të aksidentit. Motra ime e madhe, të cilën e kisha idhull, më mbante më afër se askush. Meqë mësonte, ajo arriti të shkonte në shkollë të lartë për Matematikë dhe kur mbaroi universitetin filloi punë menjëherë në fshatin tonë si mësuese në shkollën e mesme. Ju thashë më lart që jo vetëm ishte nxënëse e mirë, por edhe vajzë e bukur dhe e mirë. Kështu, sapo filloi punë, filluan edhe kërkesat për martesë. Ndër ne fëmijët, i martuar ishte vëllai i madh, ndërsa tjetri punonte me babanë në kovaçhanen tonë. Unë isha vajza që merresha me punët e shtëpisë sepse ishte e vetmja punë që nuk kërkonte forcë fizike, e cila më mungonte për shkak të veshkës gjysmake. Kështu ishim rritur e shpërndarë të tërë në punëra dhe ishim goxha mirë. Ndër kërkesat për martesë që pati ime motër ishte edhe vëllai i nuses sonë, që kishte mbaruar shkollën e lartë për Ekonomik. Meqenëse ishim në rreth krushqie dhe ne i njihnim që ishin familje shumë e mirë, prindërit iu lutën motrës që të vendoste për S.në.

- Epo, meqë juve ai ju pëlqen më shumë, dakord, - tha motra. - Po të kishte qenë për të zgjedhur vetë, do kisha zgjedhur sa isha në shkollë.

Kështu, motra u fejua kur ishte njezët e pesë vjeçe. Pas një viti u martua dhe i vetmi njeri që u mërzit për martesën e saj, isha unë. Jo sepse ajo ra në familje të keqe, por se unë e kisha si krahun tim të djathtë, më mësonte për gjithçka, më përkëdhelte edhe shenjën që kam në faqe, më ndihmonte të bënim punët “si në shtëpi qyteti”, siç thoshte gjithmonë. Shumë shpejt Zoti i gëzoi me një vajzë dhe motra deshi t’i ngjiste emrin tim, por që mos të ngatërroheshin kur të na thirrnin, e modernizuan emrin e mbesës dhe e bënë Lizeta. E adhurova atë fëmijë qysh në momentin e parë që e pashë. Ishte bebja më e bukur që kisha parë! Kur vajza mbushi gjashtë muaj, motra duhet kthehej në punë dhe ajo me të shoqin u thanë prindërve që unë të shkoja e ta mbaja vajzën për katër-pesë orë, sa të mbaronte motra punën në shkollë.

- Po, sigurisht. Për punët e shtëpisë këtu do të bëjmë të gjithë nga një gjë të vogël, - tha babai. - Derisa i kemi mundësitë, do ta rrisim mbesën me gjithë të mirat e botës.

Kështu, motra u kthye në punë e ditët e para kur arrija në mëngjes në shtëpinë e saj më porosiste shumë shkurt për vajzën, pastaj rrotullohej e më pyeste:

- Kam mbetur shumë trashaluqe, apo jam mirë?

- Epo, kur qahesh edhe ti për trashaluqe, nuk e di ç’do thonë treçereku i grave në botë, - i thashë një herë. - Mos të të bëhet fiksim, nuk je e shëndoshë. Edhe barku do të të bjerë, ke për të parë. Pastaj, ti gjashtë muaj ke që ke lindur.

Në fakt, pak nga pak e shihja që barku i motrës jo vetëm që nuk ulej, por vetëm sa fryhej.

- Mos je gjë prapë shtatzënë, - i thashë. - Ik bëj një kontroll një herë.

- Jo, - tha, - jam e sigurt që nuk jam shtatzënë, por seç kam një dhimbje që më pret në fund të barkut.

- Epo, të rri unë pa shkuar të vizitohem edhe hahet se fundja një copë katunare jam, po ti që ke mbaruar një kalë shkollë, nuk shkon te mjeku?! - e qortova.

- Ja, do iki brenda kësaj jave, - më tha duke qeshur, më puthi, mbylli derën e iku në punë.

Ajo u vizitua në spitalin e qytetit te një kushëri i burrit të saj, i cili e nisi urgjent për Tiranë te një mjek që e kishte shok. Por kishte qenë shumë vonë. Motra pas asaj fryrjeje që mori për dy apo tri muaj, filloi të dobësohej, sa nga sëmundja e sa nga meraku. Nga dita që e morëm vesh se ç’sëmundje kishte, prindërit më kërkuan që të rrija gjithë kohën në shtëpinë e tyre për t’i ndihmuar e për të mbajtur vajzën.

- Dua të jetoj sa të rritet edhe pak e të më mbajë mend vajza, - më thoshte në ditët e fundit, ndërsa...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.