RYVA KAJTAZI:

Intervista - - MUZIKE -

Nëse kërkoni Ryva Kajtazin, tre janë vendet ku mund ta gjeni: Në dyqanin e saj me fustane gala “Ryva dresses”, në koncerte dhe mbrëmje muzikore, ose në skenën e teatrit, ku së fundmi, ka bërë ca mungesa. Këngëtarja me diplomë në aktrim dhe prirje për biznes, e ndan kohën e saj mes këtyre tre pasioneve, ndërsa me ne ndan mendime për klipet e saj më të fundit, stilin e jetesës dhe mënyrën se si e përjeton gjithçka ndodh rreth saj... Mia Buci: - Ryva, na trego të lutem dy fjalë për prurjet e tua të reja në muzikë… Ryva Kajtazi: - Si gjithmonë, edhe këtë herë kam punuar me shumë dëshirë dhe pasion në dy këngët e mia të reja. Videoklipi i përshtatet mirë secilit tingull. Kënga e parë titullohet “Mos harro” dhe është një baladë e ndier. Kënga e dytë është “Pa ty”, një këngë e ëmbël, që tashmë e ka bërë për vete dëgjuesin. - Çfarë është më me rëndësi për ty në sjelljen e një projekti të ri? - Që brenda tij të ketë frymë timen, si në këngë, ashtu edhe në videoklip. Asnjëherë nuk tentoj të ndryshoj në thelb vetëm për hir të tendencave. - Sa aktive je aktualisht me koncertet?

- Jam prej vitesh në skenë dhe motiv për mua ka qenë interesimi i publikut për të më parë në mbrëmje muzikore, koncerte e ahengje. Jam e kënaqur që jam kaq e zënë.

- Cila ka qenë kënga e parë me të cilën je shfaqur para publikut?

- Kënga ime e parë është “Paqanga”. Për atë kohë, ishte një këngë ndryshe me të cilën isha mysafire në festivalin “Polifest”. Me këtë këngë nisi edhe rrugëtimi im në botën e muzikës.

- Nëse do të flasim për matësin e suksesit të një artisti, cili do të ishte ai?

- Jetojmë në kohën e një morie barometrash, por unë them se publiku është fjala e fundit.

- Ku ndahen dhe ku takohen muzika, biznesi dhe aktrimi, për të cilin je diplomuar?

- Kudo duhet art, shije, finesë dhe shpirt.

- Në aktrim apo në këngë i ke patur duartrokitjet më të fuqishme?

- Duartrokitjet e fundit mbesin në kujtesë. Pra, janë ato të skenës së muzikës. Edhe në aktrim jam duartrokitur e do të duartrokitesha besoj edhe më shumë nëse do të aktivizohesha sërish.

- Më trego një nga rregullat e artë në biznes...

- Bëj më të mirën, edhe nëse të duket sikur nuk po e merr më të mirën.

- Eventi apo koncerti më i veçantë, që e kujton me nostalgji?

- Ka shumë dhe mirë që ende nuk jam në fazën që më duhet të bëhem nostalgjike për koncerte. Sigurisht, mbrëmjet e Diasporës janë gjithmonë shumë të bukura, sepse aty ka zjarr.

- Sakrificat që ke bërë në emër të profesionit...

- Ndonjëherë duhet të dalësh nga vetja, gjë që mua nuk më pëlqen. Por, ky profesion ka raste kur të nxjerr nga vetja jote. Më besoni, është sakrificë.

- Cila është kënga që do ta veçoje për mesazhin dhe emocionin që përcjell?

- Ka këngë të bukura e me mesazhe, edhe të forta. Kënga ime e fundit është emocionale dhe prek në tel...

- Cilat janë fjalët e duhura për të të përshkruar? - E papërshkrueshme! - Cila është gjëja së cilës i përkushtohesh më tepër? - Familjes, muzikës, shëndetit. - Ç’lloj propozimi do ta merrje seriozisht në konsideratë? - Një rol në Hollivud. Pse jo? - Kur mendon se është koha e duhur për të nisur një familje? - Shumë shpejt. - Do të adoptoje një fëmijë?

- Është gjest i bukur dhe human.

- Çfarë mendon kur dëgjon për çifte që bashkohen dhe ndahen sot?

- Jeta ka të mirat dhe të këqijat e saj. Asgjë nuk është kopësht me lule; as dashuria.

- Dashurinë dhe urrejtjen një fill i ndan…

- Mua më duket se i ndan një botë e tërë, sepse ato janë dy botë të kundërta.

- Ke thyer ndonjë rregull deri më sot apo ke ecur gjithnjë konform rregullave?

- Nuk jam robot, andaj ka raste kur me ose pa dashje thyej ndonjë rregull. Pastaj, çdo rregull ka përjashtim.

- Cila është një pyetje që ia bën shpesh vetes? - Ku je? - Çfarë e bën një njeri interesant? - Karakteri. - Me kë të thonë se ngjan?

- Nuk para më thonë se ngjaj me dikë.

- Syri yt kritik, çfarë të thotë për veten?

- E kam mbyllur me flokë atë sy… Nuk sheh prej kohësh. Nuk jam perfekte, por jam mësuar ta dua dhe ta respektoj veten.

- Me apo pa çfarë bota do të ishte një vend më i mirë?

- Me më shumë paqe, me më pak urrejtje, dhunë…

- Më shumë muzikë, do të thotë më pak çfarë? - Më pak seriale. - Çfarë gjendet me shumicë në shoubiz sot?

- Strategji.

- Çelësi për të mbetur sa më gjatë në vëmendje...

- Të qenit aktive dhe t’u përshtatesh preferencave të publikut.

- Cili është kufiri mes të mundurës dhe të pamundurës? - Paraja. - Cila është arma jote e fortë? - Unë. - Kur do të jenë projektet e tua të reja?

- Së shpejti…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.