Ja, çfarë ju shkakton çekuilibri hormonal!

Intervista - - SHENDET -

Ndiheni të fryra, të irrituara, ose jo në formë? Shkaktar mund të jetë çekuilibri hormonal. Hormonet janë “mesazherët” kimikë që ndikojnë në funksionimin e qelizave dhe të organeve të trupit tonë. Është normale që nivelet e tyre të ndryshojnë në momente të ndryshme të jetës sonë, si para ose gjatë periodave, gjatë një shtatzanie, ose në menopauzë. Megjithatë, niveli i tyre mund të çrregullohet edhe nga disa ilaçe, si pasojë e disa problemeve shëndetësore. Ja, si mund ta dalluar nëse keni çrregullim hormonal:

1. Perioda të çrregullta

Shumica e grave kanë cikle menstruale që shkojnë nga 21- 35 ditë. Nëse periodat tuaja nuk vijnë në të njëjtin interval kohe çdo muaj, ose nuk vijnë për disa muaj rresht, kjo do të thotë se keni shumë ose pak hormone femërore (estrogjene dhe progesteron). Nëse jeni në të 40- tat ose në fillim të të 50-tave, shkaku mund të jetë perimenopauza, koha para menopauzës. Por periodat e çrregullta mund të jenë edhe simptoma të problemeve shëndetësore, si sindroma e vezoreve poliklistike. Për këtë, duhet të flisni me doktorin.

2. Probleme me gjumin

Nëse ju nuk ngopeni me gjumë, ose nuk flini mirë, shkak mund të jenë edhe hormonet. Progesteroni, një hormon i çliruar nga vezoret, ndihmon në këtë drejtim. Nëse nivelet tuaja janë më të ulëta se normalisht, mund ta keni të vështirë t’ju zërë gjumi, ose të flini gjatë. Niveli i ulët i estrogjeneve shkakton afshet e nxehta dhe djersitjet natën, gjendje të cilat përkeqësojnë cilësinë e gjumit tuaj.

3. Akne kronike

Nëse ju shfaqet ndonjë puçërr para ose gjatë periodave është normale, por akneja që vazhdon gjatë mund të jetë simptomë e problemeve hormonale. Një tepricë e androgjeneve (hormoneve mashkullore që kanë edhe gratë), mund të bëjë që gjëndrat yndyrore të lëkurës të punojnë më shumë se ç‘ duhet. An- drogjenet gjithashtu ndikojnë në qelizat e lëkurës rrotull rrënjëve të qimeve. Të dyja këto situata mund të mbyllin poret dhe të shkaktojnë akne.

4. Kujtesë e turbullt

Ekspertët nuk janë të sigurt se si hormonet ndikojnë në tru. Ata dinë vetëm se ndryshimet e estrogjeneve dhe të progesteronit mund ta bëjnë mendjen tuaj të ndihet e turbullt dhe të keni probleme kujtese. Disa ekspertë mendojnë se estrogjenet ndikojnë në kimikatet e trurit, të quajtur neurotransmetues. Vëmendja dhe problemet e kujtesës janë veçanërisht të zakonshme gjatë perimenopauzës dhe menopauzës, por ato mund të jenë edhe simptomë e problemeve të tjera që kanë lidhje me hormonet, si sëmundjet e tiroides. Tregojani doktorit nëse e keni të vështirë të mendoni qartë.

5. Probleme me tretjen

Sistemi ynë tretës është i veshur me qeliza të vockla, të quajtur receptorë, që i përgjigjen ngacmimit nga estrogjenet dhe progesteroni. Kur niveli i këtyre hormoneve është më i lartë se zakonisht, ju mund të vini re ndryshime në mënyrën se si e tresni ushqimin. Ja pse, para ose gjatë periodave, mund t’ju shfaqen apo përkeqësohen diarreja, dhimbja e stomakut, fryrje dhe të vjella. Nëse keni probleme me tretjen, si edhe akne e lodhje, mund të keni prob- leme me hormonet.

6. Lodhje e vazhdueshme

Jeni gjithë kohën të lodhura? Lodhja është një nga simptomat më të zakonshme të çrregullimeve hormonale. Prodhimi me tepricë i progesteroneve mund t’ju bëjë si të përgjumur. Nëse tiroidja juaj prodhon pak hormone tiroidesh, edhe kjo mund të pakësojë energjitë tuaja. Niveli i këtyre hormoneve mund të zbulohet me një analizë të thjeshtë gjaku. Nëse keni probleme me to, mund të trajtoheni me ilaçe.

7. Ndryshime të humorit dhe depresion

Studiuesit mendojnë se pakësimi i hormoneve, ose ndryshimet e shpejta të niveleve të tyre mund të shkaktojnë ndryshime humori dhe depresion. Estrogjenet ndikojnë në kimikatet e trurit, si serotonina, dopamina dhe noreipenifrina. Por edhe hormonet e tjera luajnë rolin e tyre në gjendjen tonë shpirtërore.

8. Oreksi dhe shtimi në peshë

Kur ne ndihemi të trishtuar, apo të irrituar, si në rastin e rënies së nivelit të estrogjeneve, kemi më shumë dëshirë për të ngrënë. Ja se pse rënia e nivelit të hormoneve ka lidhje me shtimin në peshë. Estrogjenet mund të ndikojnë edhe në nivelin e leptinës në trup, një hormoni që ndikon në oreksin tonë.

9. Dhimbjet e kokës

Ato shkaktohen nga shumë faktorë, por te disa gra, shkaktare është rënia e niveleve të estrogjeneve. Ja pse keni dhimbje para, ose gjatë periodave, kur niveli i estrogjeneve është në rënie. Dhimbjet e kokës së rregullta, ose ato që shfaqen në të njëjtën kohë çdo muaj mund t’ju nxisin të mendoni se shkak për këtë janë ndryshimet hormonale.

10. Thatësia vaginale

Është normale ta keni këtë me raste, por nëse vini re shpesh thatësi ose irritim në këtë zonë, shkak mund të jetë niveli i ulët i estrogjeneve. Ky hormon i ndihmon indet vaginale të jenë të lagështa. Nëse niveli i estrogjeneve bie, ai mund të reduktojë lëngjet vaginale dhe të shkaktojë thatësi.

11. Mungesë libidoje

Shumica e njerëzve e mendojnë testosteronin si hormon mashkullor, por ai prodhohet edhe nga trupi i grave. Nëse niveli i testosteroneve është më i ulët se zakonisht, ju mund të keni më pak interes se zakonisht për seksin.

12. Ndryshime në gjoks

Rënia e estrogjeneve e bën gjoksin tuaj më pak të dendur, ndërsa shtimi i këtyre niveleve mund të trashë indet e gjoksit, duke shkaktuar ndonjëherë edhe kokrra dhe kiste. Flisni me doktorin tuaj nëse vini re ndryshime në gjoks, edhe sikur të mos keni simptoma të tjera.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.