A është autik fëmija im?

Intervista - - SHENDET -

Autizmi prek më shumë se një fëmijë në 100 në Evropë, por jo të gjithëve u jepet mbështetja dhe mirëkuptimi i duhur për problemin e tyre. Pse? Ja, çfarë duhet të dini më shumë për këtë sëmundje...

Faktet për autizmin

Autizimi është një handikap i zhvillimit që zgjat gjithë jetën dhe ndikon në komunikimin, në ndërveprimin shoqëror dhe në sjelljen e një personi. Ky është një handikap me spektër të gjerë, gjë që do të thotë se, megjithëse të gjithë njerëzit me autizëm kanë të përbashkëta disa vështirësi, këto vështirësi shfaqen në mënyra dhe në shkallë të ndryshme. Disa njerëz janë të aftë të jetojnë një jetë të pavarur, ndërsa të tjerë kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme, të specializuar.

Cilat janë simptomat?

Shenjat dhe simptomat e autizmit kanë tendencë të zhvillohen që në fëmijërinë e hershme, por ato mund të mos jenë gjithmonë të dukshme dhe mund të kuptohen shumë më vonë.

Simptoma te fëmijët parashkollorë: Zhvillim të vonshëm ose të kufizuar të të folurit, nuk përgjigjen kur i thërrasin me emër, megjithëse kanë dëgjim normal, refuzim i afërsisë, probleme me hapësirën personale. Fëmijë të tillë preferojnë më shumë të lozin vetëm sesa me fëmijë të tjerë, rrallë bëjnë gjeste, evitojnë kontaktin me sy, lozin me lodra në një mënyrë të përsëritur e pa imagjinatë dhe shqetësohen e bëhen nervozë kur ua ndryshojnë rutinën normale.

Te fëmijët më të mëdhenj në moshë dhe adoleshentët: Probleme me gjuhën e folur, si për shem- bull “u flasin” njerëzve, në vend që të bëjnë një bisedë dyshe, paaftësi për të kuptuar sarkazmën, metaforat dhe figurat e gjuhës, probleme të përgjithshme me ndërveprimin shoqëror dhe hapësirën personale, si edhe një shqetësim ekstrem në çdo ndryshim rutine.

Afro 50% e njerëzve me autizëm vuajnë nga nivele të ndryshme të vështirësive në të mësuar. Është gjithashtu e zakonshme të shfaqen simptoma të tjera, si ankth, depresion ose çrregullime të vëmendjes për shkak të hiperaktivitetit. Autizmi mund të ketë edhe simptoma të tjera.

Si diagnostikohet?

Nëse ju jeni të shqetësuar për zhvillimin e fëmijës suaj, konsultohuni me doktorin tuaj. Nëse ai e gjykon të nevojshme, ju mund të takoheni me një mjek të specializuar në diagnostikimin e autizmit, ose me një grup mjekësh, që mund të përfshijnë një psikiatër, psikolog klinik, pediatër dhe/ose një terapist i të folurit. Nuk ekziston një analizë e caktuar që mund ta zbulojë këtë sëmundje; diagnostikimi bazohet në vlerësimin e simptomave që shfaq fëmija. Zakonisht, bëhet edhe një vizitë mjekësore për të përjashtuar shkaqet e tjera.

Si trajtohet?

Për njerëzit me autizëm trajtimet janë të shumta. Ato kanë për qëllim përmirësimin e komunikimit, ndërveprimit shoqëror, aftësitë njohëse dhe të të mësuarit. Meqë çdo person është i ndryshëm dhe preket nga një shkallë e ndryshme e sëmundjes, mund të jetë e vështirë për të vendosur se cilat trajtime janë më të përshtatshme. Do të ishte ideale që trajtimet të përfshinin një grup specialistësh që punojnë së bashku.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.