Fëmija na nxori nga rruga e mëkatit

Intervista - - MËKATE -

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë që kam vuajtur shumë në jetë, por duke ndjekur rrugën që na tregon Zoti, më në fund arrita ta gjeja forcën për të ecur përpara. Në gazetën tuaj lexoj shumë histori të trishtueshme dhe jo më kot sot po ju tregoj edhe historinë time, për t’ju treguar se Zoti është i madh. Ai na vë në provë, por nëse ne e kuptojmë gabimin në kohë, atëherë çdo gjë rregullohet. Fëmijëria ime ka qenë shumë e trishtuar. Kam ndenjur e mbyllur në shtëpi dhe gjimnazin nuk e kam mbaruar sepse prindërit, por sidomos babin, e kisha shumë fanatik. Jeta ime sa vinte e bëhej më e mërzitshme, nuk dija gjë tjetër veçse të bëja punët e shtëpisë dhe ndonjëherë punoja edhe në tokat tona. Me pak fjalë, isha një vajzë e rëndomtë fshati. Vitet iknin shpejt dhe asnjë nuk vinte të kërkonte dorën time. Arsyen nuk e di ende as sot, ndërkohë që shoqet e mia ishin shkolluar, ishin martuar dhe ishin bërë me fëmijë. Në moshën njëzet e shtatë vjeçe më kapi një si tip inati dhe fillova të mendoja ndonjë mënyrë se si të largohesha nga shtëpia, pasi me atë mënyrë jetese do të më zinte pleqëria duke u shërbyer prindërve dhe vëllezërve të mi. E vetmja gjë e mirë që kisha bërë deri në atë kohë në fshat ishte se kisha mbledhur bimë medicinale. Këto m’i shiste babi dhe lekët m’i jepte mua për të bërë pajën.

Aty në lagje kishte ardhur një djalë nga Greqia. Në mënyrë shumë të fshehtë nga familja unë iu luta atij që të më ndihmonte të shkoja në Greqi dhe atje do ta gjeja vetë rrugën e jetës. Në fillim, ai nuk pranoi, po më pas unë e sigurova se të gjithë fajin për arratisjen time do ta merrja unë përsipër. Kështu bëmë. Nuk po ju flas për vështirësitë e rrugës sepse është histori e gjatë, po do t’ju them se në atë vend ku unë mendoja se do të gjeja parajsën, nuk gjeta gjë tjetër veçse ferrin. Personi që më mori përsipër, më vuri përballë dy rrugëve: ose do bëja si thoshte ai, ose do të gjendesha e vetme pa asnjë lloj ndihme në mes të katër rrugëve. Atëherë, duke qenë shumë e trembur nga një botë e panjohur ku nuk dija as gjuhën, as mënyrën e jetës, pranova mënyrën më të shkurtër.

Ai më tha: “Jeta këtu është shumë e vështirë, unë jam pa punë dhe e vetmja gjë që ne të dy të mbijetojmë është që të vjedhim njerëzit e pasur. Mos e mendo këtë si mëkat, sepse nuk është mirë që ata jetojnë në luks dhe ne në mjerim”.

Ishte një mendim i çmendur, po nuk kisha çfarë të bëja sepse në familjen time nuk doja të kthehesha më. Ata mendonin se unë isha e dashuruar me djalin me të cilin u largova, po kjo nuk ishte e vërtetë, sepse neve na kishte bashkuar vetëm interesi. Duke qenë se ne po jetonim bashkë, sigurisht që kishim dhe marrëdhënie intime, por pa asnjë lloj dashurie sepse e shikonim njëri–tjetrin vetëm si mjet për të arritur atje ku donim. Në këtë mënyrë filloi jeta jonë aktive duke përfituar në mënyrë jo të ndershme. Ai më njihte me njerëz të pasur, unë e kaloja gjithë natën me ta, iu merrja çelësin e shtëpisë e ia jepja shokut, i cili më priste te dera e hotelit. Ai e kopjonte dhe brenda natës ma sillte mua. Në fakt, ishte një punë zinxhir. Nëse kapej njëri nga policia, do të na zbulonte të gjithëve. Detyra ime ishte vetëm të joshja këta persona për të kaluar natën me ta, ndërsa hyrjen nëpër shtëpitë e tyre e bënte shoku im bashkë me njerëzit e tij. Këtë lloj jete po bëja unë në Greqi dhe me thënë të drejtën nuk është se kishim ndonjë fitim shumë të madh sepse gjërat e vjedhura ndaheshin për çdo pjesëtar të grupit.

Kjo lloj pune zgjati gati një vit, derisa unë kuptova që kisha ngelur shtatzënë. Fëmija ishte i djalit me të cilin jetoja. Kur e mori vesh, ai më kërkoi që ta hiqja fëmijën, mirëpo unë e kërcënova se nëse më detyronte ta bëja një gjë të tillë, do ikja në Shqipëri, ose do ta denoncoja në polici. Ai e pranoi që unë ta mbaja fëmijën, por me një kusht, që të mos e lija punën derisa të më dukej barku. Meqenëse nuk kisha rrugë tjetër, e pranova kushtin e tij. Fillova të bëja vizita për të parë ecurinë e fëmijës dhe çdo gjë shkonte mirë deri në muajin e shtatë, kur më kapën disa dhembje shumë të forta në bark. Nuk e dija se çfarë po më ndodhte dhe frika se po e dështoja fëmijën më tmerronte. E doja atë fëmijë me gjithë shpirt. Shoku lajmëroi urgjencën dhe ndodhi që unë bëra lindje të parakohshme. Linda djalë. Fëmijën e futën në inkubator duke e mbajtur nën kontroll total. Më pas erdhi një doktor i cili kërkonte firmën time dhe të të atit të fëmijës në mënyrë që djali të mos jetonte më, pasi ai rrezikonte të kishte probleme me shëndetin në të ardhmen. Sipas tij, djali nuk do të ishte një fëmijë normal si gjithë të tjerët. Siç isha në krevat, bërtita me të madhe: “Jo, nuk mund t’ia bëni këtë gjë fëmijës tim. Zoti që e solli në jetë le ta marrë përsëri, ne nuk mund t’ia heqim të drejtën për të jetuar”. Atëherë iu drejtova babait të fëmijës dhe iu luta të mos e bënte një gjë të tillë. I thashë se unë do ta merrja fëmijën kur të bëhej mirë dhe do të ikja larg, që ne të mos i bëheshim barrë atij. Për herë të parë e pashë që atij iu mbushën sytë me lot, më kapi nga krahu, më ngriti dhe më tha:

- Mund të kem bërë shumë gabime në jetë, por që të vras fëmijën tim, nuk do ta bëja kurrë. - Dhe iu drejtua doktorit: - Mos guxoni t’i bëni keq djalit tim, përndryshe çështja nuk do të përfundojë me kaq. Nëse i ndodh gjë, do të përgjigjeni para ligjit.

Për herë të parë e kisha dëgjuar që ai të fliste diçka me mend. Ishte e tmerrshme ajo që po më ndodhte dhe mendoja se Zoti po më jepte ndëshkimin që meritoja. Zemra më copëtohej teksa e shikoja fëmijën aq të vogël dhe të rrethuar nga telat që merrte oksigjen. Ishte një ndjesi sa e bukur, aq edhe e dhimbshme gëzimi që isha bërë nënë dhe dhembja teksa e shikoja fëmijën që po luftonte për të mbijetuar.

Që nga dita që dola nga spitali, shkoja përditë në kishë dhe i lutesha Zotit të m’i falte mëkatet dhe ta shpëtonte djalin tim. Dhe Zoti m’i dëgjoi lutjet. Ecuria e fëmijës po përmirësohej çdo ditë e më shumë, derisa në muajin e nëntë e nxorëm djalin nga spitali. Ai fëmijë ishte një mrekulli për familjen tonë. Ne kuptuam se kishim bërë shumë gabime në atë vend dhe me njerëz të ndryshëm. I ati i djalit filloi të ishte më i përgjegjshëm dhe ai bashkë me mua, e gjeti rrugën e Zotit. Mbasi djali u bë dy vjeç dhe ecuria e tij ishte normale, ne vendosëm të ktheheshim në fshatin tonë. Tashmë jetën e bëjmë në fshat duke punuar me punë të ndershme. Djalin e mban vjehrra, ndërsa ne mbledhim bimë medicinale, kemi nisur një biznes bujqësor dhe fitojmë goxha mirë. E kaluara jonë është e vështirë që të fshihet nga kujtesa, ama të ardhmen tonë po e ndërtojmë në rrugë të ndershme. Kjo, falë Zotit, i cili na bekoi me një engjëll për të na treguar rrugën e vërtetë drejt së ardhmes.

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.