PYESNI NJËRI- TJETRIN Pyetjet e reja...

Intervista - - PYETJE 21REKLAMA PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Nëse do t’ju divorcoheshin prindërit, kë do zgjidhnit për të ndenjur, mamin apo babin? Theksoj që janë të dy shumë të mirë, pavarësisht se u ndanë. Adoleshenti.

- Po të merrnit vesh që një nga shoqet tuaja më të mira prostituon sepse është pa punë, do të qëndronit më në shoqërinë e saj? Denada.

- Nëse do t’ju ofendonte dikush, çfarë do të bënit?

PYETJE QË ENDE PRESIN PËRGJIGJE...

- Çfarë mendimi keni për ato femra që zihen në publik dhe shkojnë gjer në dhunë me njëra– tjetrën? Kam parë shumë kohët e fundit në rrjete sociale dhe jam i lemerisur. Niku.

- Vetëm femra nuk janë këto, janë nuk po e them fjalen e rëndë, se nuk ma nxjerr goja. Këto meritojnë t’i rrahësh të dyja. Të paktën sado të pista të jenë në shpirt, të ruajnë dinjitetin e të qenurit femër. Të mos bëjnë veprime mashkullore. Si nuk ruhen në sytë e të tjerëve, s’e kuptoj. Garipi.

- Janë femra pa karakter dhe cipë sepse sado e rëndë të jetë situata, nuk duhet të sillen në publik ashtu. Përkundrazi, në publik duhet të ruajnë qetësinë më shumë se kurrë. Këtu kanë dalë mendsh femrat në Shqipëri dhe hajde merri për nuse pastaj. Eltoni.

- Kush mendoni se e ka fituar vendin e punës për bukurinë që ka në median shqiptare dhe jo nga talenti që ka? Po femra që ka ecur në karrierë në saje të talentit të saj? Flas për spikeret dhe për ato që drejtojnë emisione? Arturi.

- Arturi, unë mendoj që vendin e punës e fitojnë ato gazetare dhe prezantuese që kanë talentin dhe që janë të komunikueshme, që flasin pa ndrojtje dhe pa emocione para kamerave, që flasin lirshëm pastër dhe pa gabime sepse komunikimi është kryesori. Nuk ka rëndësi bukuria, mjafton që të ketë komunikim dhe të jetë e aftë. Xhelozja e Lalit.

- Kur bëni diçka në jetë, e bëni për inat të tjerëve, apo për veten tuaj? Denisi.

- Përshëndetje Denis, unë bëj diçka në jetë e bëj për t’u ndier mirë me veten time, sepse edhe tipin e kam të tillë. Jam këmbëngulëse që t’i arrij gjithmonë qëllimet e mija dhe jo t’i bëj për inat të të tjerëve, nuk është në tipin tim. Xhelozja e Lalit.

- Cila është shprehja që pëlqeni dhe që e përdorni më shumë? Xhelozja e Lalit.

-“Vafsh në djall”, por ama nuk më pëlqen aspak, përkundrazi shpeshherë pas kësaj më ka mbërthyer një gjendje ankthi. Do ta heq përfundimisht. Lelja.

- “Zoti përpara, unë mbrapa”, është shprehja që më pëlqen më shumë dhe që e them gjithmonë në çdo situatë. Ka zënë vend mirë tek unë. Besimtari.

-“Një mik i vjetër nuk përgojohet te miqtë e rinj”. Nga Xhelozja e Lalit

- “Pa ditur të lexosh, mos tento të shkruash”. Nga Xhelozja e Lalit

- “Prindin mund ta përçmojë vetëm gjeni i tij i përsosur brenda teje”. Nga Xhelozja e Lalit.

- Si mendoni, kur ishte shoqëria më e sinqertë, në kohën e komunizmit apo tani? Pse? Bashkimi.

- S’ka lidhje shoqëria me sistemin, por me personin që njeh dhe sa me fat je nëse është shok apo shoqe e mirë. Shoqëria eshtë njësoj në çdo sistem, s’ka lidhje me kohen e vitet. Luiza.

- Në kohen e komunizmit kanë qenë më të fëlliqur se tani, se tani të paktën të dalin hapur, kurse atëherë ta bënin gropen fshehurazi. Flora.

- Do ta linit vajzën tuaj vetëm 17 vjeçe të jetojë në shtëpi në vete, kur në shtëpinë e prindërve nuk i mungon asgjë? Nëna e dëshpëruar.

- Po, sigurisht, nëse ajo bëhet e padurueshme dhe do të dalë patjetër në shtëpinë e vet, e lë të lirë, ta provojë ç’do të thotë të jetosh vetem. Ndoshta në këtë mënyrë do të piqet dhe të dijë se çfarë është përgjegjësia. Sigurisht, do ta vëzhgoja me kujdes nga larg. Merita.

- Absolutisht jo, jemi shqiptarë dreqi ta hajë, të ruajmë traditen! Vajza duhet të dalë nga shtëpia vetëm nuse. Ah, vetëm nëse i dalin studimet jashtë shtetit, pastaj po, do ta lija të lirë, por do t’i qëndroja afër me ç’të mundesha. Kemi detyrime ndaj fëmijes gjersa të bëhet i zoti i vetes. Bardha.

- Si mendoni, a duhet të ankohemi që shoferët, ndërkohë që ngasin autobusin, flasin në celular? Si të veprojmë kur shohim të tillë? Lui.

- Sigurisht që duhet të ankoheni, sepse ka shumë shoferë të papërgjegjshëm, mbajnë në njërën anë celularin në tjetrën timonin, kam qenë e pranishme në skena të tilla. Unë do t’i flisja, sigurisht po ta shikoja dhe e kam bërë. Mira.

- Thuhet se ka shumë shoqata në mbrojtje të femrave të dhunuara. Ku janë, apo janë thjesht për emër dhe për të pasuruar xhepat e tyre? Ju, si mendoni?

- Janë thjesht për emër. Unë jam një femër që kam kërkuar ndihmë në vende të tilla, dhe më kanë kërkuar para! Jam totalisht e zhgënjyer, ndaj po bëj të pamunduren që të iki jashtë shtetit, se të pakten andej shoqata të tilla funksionojnë vërtet dhe e mbështesin femrën gjithsesi. X Fier.

- A jeni dakord me futjen e besimit fetar nëpër shkolla? Po ose jo, dhe pse? Arturi.

- Mendoj se një gjë e tillë do t’i distanconte akoma më shumë shqiptarët me njëri-tjetrin sepse do të lindin vetvetiu debatet mbi fenë dhe do të hynte armiqësia pa dashje. Ndërkohë, ne mund të kemi shumë të zeza si komb, ama harmoninë mes feve e kemi të mirë, ndaj është gjynah ta prishin këtë ekuilibër. Feja është kulturë në vetvete në familje, e zgjedh vetë fëmija, ia jep familja, kisha apo xhamia cilën frekuenton, është zgjedhje e lirë. S’ka nevojë për shkollë këtu, e studion vetë fenë që dëshiron të ndjekë apo me të cilën ndihet mirë. Bora.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.