Donald Lu: Ja, kush do të futet në burg!

Intervista - - AKTUALITET -

Intervistën e radhës e bëra me njeriun më të persekutuar në vendin tonë. Nuk e kam llafin për kreun e ndonjë shoqate të persekutuarish, por për Ambasadorin Amerikan, të cilit i duhet, të shkretit, të merret me ne... Kaso Kosa: - Përshëndetje Mister Lu!

Donald Lu: - Hello Kaso! Si keni qenë me shëndet?

- Top fare, mister Ambasador. Ju, si jeni? Të lodhur ju shoh… - I dërrmuar fare jam, Kaso. Isha andej nga selia e PS-së se mos takoja zotin Rama. - E takuat? - No, jo. Kishte ikur të ngushëllonte zotin Kokëdhima, meqë e hoqën nga deputet. - Ju paska shkuar shkuarja bosh... - Edhe aq bosh jo, në fakt. Takova rojen e selisë së PS-së. Ishte shumë i gëzuar. I kishte dalë llotaria amerikane, ndaj. Lum si ai! Do ikë. Mua të shkretit më degdisën këtu në Shqipëri.

- Përse s’aplikoni edhe ju për llotari amerikane, zoti Lu?

- Po unë amerikan jam, o Kaso. Apo harrove?

- Hiç mendja. Harrova fare që jeni amerikan. Meqë shqipen e flisni mirë, ndaj…

- Ja ku po ta them, Kaso. Edhe po të mos isha amerikan, nuk do të aplikoja për llotarinë. - Përse, apo e keni për gjynah lloton? - Nuk mund të fitoja Kaso, nëse nuk do isha pe Korçe. Nejse, se ky është muhabet i brendshëm.

- Nuk takuat asnjë njeri në selinë e PSsë?

- Asnjë, Kaso. Të gjithë kishin ikur të festonin.

- Të festonin? Më falni... e di që mbeta aguridhe, por nuk kuptoj… Ç’po festonin?

- Po festonin ikjen e Kokëdhimës nga deputet, pra. Asnjë në atë parti nuk e do Koçon, përveç Ramës. Gjithsesi, unë nuk isha dakord që Koços t’i hiqej mandati i deputetit.

- Nuk ishit dakord? Po ai kishte shkelur ligjin, mister Lu! Kishte përfituar tendera dhe…

- Po, pra, Kaso, ndaj nuk isha dakord. E kupton ti? Zoti Kokëdhima ishte deputet dhe përfitoi tendera. Imagjino tani që nuk e ka kohën e zënë në parlament, sa tendera do të përfitojë!

- Kuptoj! Po me reformën në drejtësi, ku jemi? Ka ecur përpara?

- Kam takuar të gjitha palët politike, me thënë të drejtën. Ata të PS- së më thonë që gati jemi, por të mos hetohen ato që ka bërë kjo qeveri. Ata të PD-së duan që vetëm kjo qeveri të hetohet. Më ka gjetur belaja. S’di ç’të bëj. - Po ata të LSI-së, ç’thonë? - Ata nuk thonë asgjë. “Ne jemi të veprimit dhe jo të fjalëve”, më tha Meta.

- Mund t’i bëni publike kërkesat e partive lidhur me reformën, mister Lu?

- Of course, Kaso. Ata të PS-së kanë kërkuar që në drejtësi të jenë pleqtë që kanë qenë gjykatës dhe prokurorë në kohën e Enverit. Të PD-së kanë kërkuar që... - Që të jenë të persekutuarit, besoj... - Po ç’të persekutuar thua, Kaso! Të PDsë më thanë: “Le të jenë ata të kohës së Enverit, por ama mos t’i bëjnë keq Saliut”. - Po LSI-ja a ka shfaqur preferencë? - LSI-ja më tha të jenë vajza dhe djem të rinj. Sidomos vajza. Se, gruaja është forcë e madhe. - Vetë zoti Meta jua tha këtë gjë? - Kush e pyet zotin Meta?! Ma tha zonja Meta, gruaja e Ilirit. “Në shtëpinë tonë, më tha zonja Monika, nuk dëgjohet fare zëri i Ilirit. Në fillim i dëgjohej zëri, më tha, se kishim shtëpi të vogël. Ama, tani që kemi 5 kate të një pallati, nuk i dëgjohet fare zëri. Edhe kur më thotë që të shkojmë në Kuvend, më merr në telefon e ma thotë. Se unë rri në kat të parë, ai rri në kat të pestë”.

- A keni lista konkrete nga partitë për prokurorët dhe gjykatësit specialë, mister Lu?

- Vetëm këta të LSI-së më kanë dhënë disa emra.

- Mund t’i bëni publike, ju lutem? - Nuk mundem, Kaso, se nuk është profesionale. Ama, ja, ku po ta them: janë vajza të njohura. Disa prej tyre kanë qenë Misse, disa këngëtare. Të gjitha trupdrejta. - Përse të tilla, mister Lu? - Kështu Kaso e pyeta edhe unë zonjën Monika dhe ajo më tha që vetëm femrat me trup të drejtë mund të futen në drejtësi. Se, “si mund të japë drejtësi një që s’e ka trupin e drejtë?”, më pyeti. Aty më kapi mat.

- Mister Lu! Do të doja të kisha reagimin tuaj për një lajm që ka dalë në mediat gjermane. Thonë se zonja Mimi Kodheli është parë në dyqanet e Hamburgut duke psonisur. Komenti juaj, please.

- E di, Kaso. Jam i informuar për këtë gjë, nga strukturat tona të sigurisë. Zonja Kodheli ishte futur në dyqane për të blerë disa helikopterë të mëdhenj-lodër gjermanë dhe amerikanë.

- Të blinte helikopterë-lodër? Po përse na duhen?

- Se ata të vërtetët që bletë në Francë, mo Kaso, dolën më lodër se lodrat. Po përplasen të gjithë në tokë. Të paktën këto lodrat do rrojnë më shumë, se janë mall gjerman dhe amerikan.

- Pra, si përfundim, jemi në drejtimin e duhur domethënë…

- Të duhur jeni, Kaso. Jeni një shtet i denjë për t’u futur në BE. Nuk është e vërtetë, siç thonë ata që s’ju duan, se Shqipëria është me brekë nëpër këmbë. Ju brekët në vend i keni, vetëm se i keni ca me vrima dhe kaq. Po, në një vend ku poezisë “Vrima” i jepet çmimi i parë, s’përbën problem se shteti është vrimavrima.

- Thank you shumë fare, mister Lu, për bashkëbisedimin!

- Thank you, Kaso dhe të rrinë të qetë militantët e secilës parti. Edhe me sistemin e ri, në burg nuk do futet njeri...

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.