Si është Mihria kur...

Intervista - - MUZIKE -

Rita Rrjolli: - Mihrije përshëndetje... Me çfarë po merresh tani?

Mihrije Braha: - Përshëndetje juve! Këtyre ditëve jam në vlugun e punës për promovimin e këngës sime më të re “Zemra më plasi” dhe me aktivitete të tjera.

- Si e pritën fansat këngën?

- Kjo është një baladë shumë e bukur dhe përjetim i një dashurie të tradhtuar, kështu që ka bërë vendin e vet edhe si tekst. Deri më tani, mjaft mirë. Më tej, të shohim.

- Çfarë e plas zemrën e femrës?

- Femra, si duket, një herë dashuron dhe ajo mund të plasë kur e tradhtojnë.

- A e ke ndier veten në brendësi të këngës?

- Veten, të them të drejtën, jo, por shikoni, romanet e filmat janë më të ndjeshëm kur trajtojnë një temë të këtillë.

- Te ti pra nuk ka vend xhelozia?

- Xhelozia mund të jetë për segmente të ndryshme përjetimi; ajo profesionale, e dukjes së një femre etj. Xhelozi dashurie nuk është se nuk kam pasur, apo nuk e kam ndier ndonjëherë gjithmonë në raport me Naimin, por jo diçka si në këngën time tani.

- Mos ndoshta shumë zemra kanë plasur prej zilisë nga suksesi yt?

- Nuk e besoj. Zilia ndaj sukseseve të tjetrit i nervozon për një çast njerëzit, por jo t’i sëmurë sa për t’u plasur zemra.

- Të ka ndodhur të jesh zhgënjyer diku?

- Më ka ndodhur të zhgënjehem në gjëra të tjera, por në dashuri Zoti ka dashur që të takoj njeriun pas të cilit jam dashuruar marrëzisht dhe vazhdoj ta dua e të më dojë. Është fat që nuk jam zhgënjyer asnjëherë në atë shkallë sa të më plasë zemra.

- Jemi mësuar të të shikojmë në formë e të qeshur... A bëhesh ndonjëherë me nerva?

- Shpesh, gjatë punës, njerëzit habiten me nervat e mia, por ato kalojnë me realizimin e mirë të asaj çfarë jemi duke bërë.

- Deri ku mund të shkojë kulmi i nervozizmit tënd?

- I qes thonjtë… (Qesh) Jo, jo, mund të shkojë deri te tërheqja e vërejtjes, ndonjë bërtimë, por jo më shumë.

- Prioritet kujt, ose çfarë gjëje i jep për momentin?

- Prioritetet e mia jetësore janë Platori dhe Naimi. Kur çdo gjë ka mbaruar rreth tyre, atëherë vjen karriera ime.

- Si mund të jesh bionde, e suksesshme dhe e zgjuar?

- Unë jam zeshkane, me flokë të ngjyrosura, në fakt. (Qesh)

- Si e komenton komercializimin e klipeve, që shesin më shumë imazhe se këngë?

- Bota ka ndryshuar dhe sot është shumë i rëndësishëm edhe imazhi. Komercializimi duhet trajtuar ashtu siç është, por duhet ndarë krijimtaria artistike nga krijimtaria komerciale. Sigurisht që sot një paraqitje e bukur është e rëndësishme dhe këtë bukuri dikush e ndërthur edhe me dukjen e vet, edhe me pak më shumë lakuriqësi etj.

- Ti për shembull do t’i këndoje “zogut”, “trileçes” dhe “shoqeve bitch ( kurva)”?

- Po të isha 15, 16 apo 18 vjeçare ndoshta, nuk i dihet, sepse çdo gjë është me kohën, por përzierja apo keqkuptimi i asaj çka është artistike me atë komerciale, është temë për t’u trajtuar dhe mbyllur një herë e përgjithmonë. Mendoj se në Shqipëri ngadalë e bukur po ndahen këto gjëra. Kjo kategoria e zogut dhe e shoqeve bitch janë muzikë komerciale që kapet nga gjeneratat e reja dhe s’ka të bëjë me krijimtarinë artistike. Me pak fjalë, për mua nuk ka asgjë të keqe nëse këto dy gjëra ndahen; bota kështu po bën e sigurisht, do ta bëjmë edhe ne.

- A e mat suksesin me paranë?

- Varet çfarë synon, si e bën dhe çfarë përfaqëson. Hollivudi ka dëshmuar tanimë prej disa dekadash se e bukura dhe e mira shitet shtrenjtë përbrenda një kodi të vlerave që nuk ka devijuar, por njëkohësisht, ka kultivuar edhe shijet e masës. Çfarë dua të them me këtë... Masat me shije janë më mbizotëruese sesa masat pa shije të kultivuar, pa shkollimin e duhur etj. Tani sallat muzikore nëpër botë në koncertet e Rihanës apo Bijonses mbushen me mijëra spektatorë pa fjalë fyese dhe pa sharje. Janë koncerte të nivelit të lartë me skenografi, piroteknikë, lëvizje skenike fantastike, çdo gjë e programuar, çdo gjë flet dhe sjell diçka të re. Ne sikur ia kemi lënë fatit, hajt ishalla bëhet dhe ndonjëherë edhe bëhet duke sharë apo me diçka tjetër.

- A e konsideron veten një këngëtare të pasur?

- Çdo gjë që kam fituar e kam bërë me shumë punë e mund të madh. Jam shumë mirë!

- Kompromiset që ke bërë për karrierën...

- Studimet shkencore, t’i quaj ashtu, i kam lënë mbrapa. Ky është edhe pengu i vetëm.

- Ato që s’do t’i bëjë kurrë?

- Mashtrimin e tradhtinë, asnjëherë!

- Si të shkon jeta familjare? - Për mrekulli! - Je e lumtur? - Jam më e lumtura e botës. - Gjëja më e bukur që ke bërë kohët e fundit?

- I kam ndërtuar shtëpinë një të varfëri. Është hera e parë që po e them publikisht.

- Komplimenti më i bukur që ke marrë nga një femër?

- Unë marr shumë komplimente çdo ditë në Facebook, në adresat elektronike, por edhe në rrugë. Besoni, tanimë është aq e zakonshme, saqë ndihem keq nëse kthehem në shtëpinë time pa dëgjuar një kompliment për dukjen e pastaj për këngën etj. Para dy-tre ditësh, një grup vajzash në qytet më thanë: “O Zot, mos veksh kurrë ishalla, që të mbetesh model i përjetshëm!”. Interesant mu duk!

- Gjëja më e bukur që ke tani në çantën tënde...

- Fotot e Platorit e të Naimit dhe parfumin tim.

- Shpenzimi më i madh që ke bërë kohët e fundit...

- Nuk bëj shumë shpenzime unë, por kohët e fundit kam rinovuar shtëpinë.

- A është e vështirë për ty dhe Naimin të bëni një jetë gjithmonë në fokusin e mediave?

- Po, sigurisht, edhe ky është rrisk i popullaritetit tënd dhe për këtë duhet të jesh i ndërgjegjshëm. Ne kemi qenë shumë të atakuar në këtë drejtim, ndonjëherë edhe me thashetheme, por jemi mësuar tanimë.

- Ekziston përsosmëria në jetën tënde?

- I përsosur është vetëm Zoti! Njeriu synon përsosmërinë që prej ekzistimit të tij dhe unë, mundohem që në jetë të sjell një lloj rendi afër përsosmërisë.

- Nëse do të ktheheshe pesë vite pas, a do të ndryshoje diçka si në aspektin profesional, ashtu edhe në personal?

- Jam munduar të bëj më të bukurën dhe nuk do të ndryshoja asgjë. Jeta është e bukur kur shkruhet mirë e pastër në çdo faqe dhe ky synim i përhershëm bënë që bota të ecë dhe njeriu të bëjë punën e tij, si qenia e vetme e vetëdijshme në këtë botë.

- Planet e tua më të afërta...

- Së shpejti një këngë e një klip tjetër. Kam mbrëmje dhe koncerte të verës e të tjera...

...organizon një darkë familjare…

- E lumtur dhe krijuese, sepse po u shërbej të tjerëve si një autore dhe krijuese e diçkaje të bukur e me shije. ...nxiton për diku... - E qetë, i vuaj pasojat e nxitimit.

...e tepron me alkolin...

- Asnjëherë s’e kam tepruar e ka vite që po i them Naimit: “Dua të dehem njëherë e ti të më filmosh”.

...bën udhëtime jashtë vendit...

- Udhëtime kam patur në të katër anët e botës dhe edhe jam lodhur ndonjëherë, por asnjëherë s‘them të ndaloj. Kënaqem…

... bën debat me një femër...

- Mundohem të jem koherente dhe asnjëherë e vrazhdë, ose fyese.

... i propozojnë një shumë qesharake për koncert, apo mbrëmje festive?

- Këto gjëra i rregullon Naimi. Për fat, s‘merrem me to.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.