Seferi: Kundërshtar i vështirë, por do ta mposht!

Intervista - - SPORT -

Nuri Seferi është boksieri shqiptar që po ecën përpara në karrierën e tij. Ai është një ndër shqiptarët që po e mban lart me dinjitet flamurin shqiptar dhe ka një karrierë mjaft të suksesshme. Këtë radhë, Seferi ka një ndeshje mjaft të vështirë përballë një tjetër boksieri me eksperiencë. I forti nga Gostivari do të duelojë me bullgarin Javor Marinçev. Sfida është mjaft e rëndësishme për të, pasi do t’u hapë rrugë sukseseve të tjera. Pavarësisht se është shumë i ngarkuar me stërvitje, Seferi ka pranuar të flasë për gazetën “Intervista”...

Eraldo Harlicaj: - Nuri, faleminderit që gjete kohë për intervistën...

Nuri Seferi: - Pa problem. Ju falënderoj unë ju për interesin.

- Si shkojnë përgatitjet për ndeshjen?

- Përgatitjet shkojnë mjaft mirë dhe po stërvitem fort. Jam duke bërë maksimumin që të dal sa më mirë dhe faqebardhë. Me besimin te vetja, shpresoj të fitoj.

- Kur do të jetë ndeshja juaj?

- Na ndajnë edhe pak ditë nga dueli im dhe nga ngjitja në ring. Do të ndeshem më datë 21 maj në Ohlen të Zvicrës.

- Prisni që të keni mbështetje nga shqiptarët?

- Sigurisht, e pres dhe jam i sigurt se nuk do të më mungojë. Në çdo vend ku kam boksuar, kam pasur kënaqësinë të shoh shqiptarë dhe flamurin tonë. Jam më se i lumtur për këtë fakt, pasi jemi një popull që bëjmë për njëri-tjetrin.

- Në të vërtetë, keni nevojë për mbështetjen e tyre...

- Sigurisht që po, pasi mbështetja të motivon më shumë. Ju ndoshta e thatë për faktin se kam përballë një kundërshtar të mirë dhe të rrezikshëm, por e vërteta është se çdo sportist ka nevojë për publikun e tij.

- A është një kundërshtar i vështirë bullgari Javor Marinçev?

- Sigurisht, pasi ka boksuar kundër emrave shumë të mëdhenj të boksit dhe ka eksperiencë të madhe. E respektoj kundërshtarin tim dhe e vlerësoj në maksimum. As Marinçevi nuk bën ndryshim, ashtu si askush tjetër.

- Si e parashikoni ndeshjen?

- Pa dyshim, do të jetë një sfidë mjaft e vështirë. E përmenda edhe më sipër se kam përballë një kundërshtar të denjë dhe mjaft të zotin. - Mendoni se do të fitoni? - Nuk e di, pasi askush nuk e di këtë, por nëse gjithçka shkon sipas planit dhe asaj që kam përgatitur me skuadrën time, besoj se do të fitoj.

- Në profilin tuaj në Facebook shprehnit shumë besim te fitorja...

- Patjetër, sepse besoj tek aftësitë dhe cilësitë e mia. Ia di forcën vetes dhe e kam aftësinë për të mposhtur çdo person.

- Për çfarë vlen kjo ndeshje?

- Kjo sfidë vlen për t’u treguar të gjithëve se kush ësh- të Nuri Seferi në të vërtetë dhe për të bërë krenarë të gjithë shqiptarët anembanë. Luftoj për të mbajtur lart flamurin shqiptar dhe kjo është kryesorja. Pastaj, shpresoj të rifitoj një ndeshje tjetër, për të rrëmbyer përsëri titullin kampion.

- Të ndalemi pak këtu... Ju humbët pak kohë më parë kundër Kristof Glouackit...

- Është e vërtetë. Ka qenë një moment jo i mirë në karrierën time, por dua të them se kam humbur titullin, por kam luftuar me dinjitet në atë ndeshje. E kam përgëzuar Glouackin për fitoren. Ai është një boksier me mjaft kualitet që jo më larg se para ca kohësh e mbrojti përsëri titullin kampion.

- Pse erdhi ajo humbje?

- E di se humba një ndeshje shumë vendimtare, por në të njëjtën kohë, jam shumë krenar që me gjendje jo të mirë shëndetësore u futa në ring, e luftova për 12 raunde këtë boksier dhe në fund dola me kokën lart.

- Pse në gjendje jo të mirë shëndetësore?

- Një natë para ndeshjes isha me 40 temperaturë. Mjekët me ngulm kërkonin që të anuloja ndeshjen, por unë nuk e bëra. Kërkoja me çdo kusht të ngjitesha në ring vetëm sepse shumë shqiptarë e prisnin atë duel. Atë natë, mbështetja ishte e paparashikueshme.

- U mërzitët për humbjen e titullit?

- Sigurisht, por më mërzitën edhe komentet negative të shqiptarëve të mi. Mendoj se duhet të më përkrahnin edhe më shumë.

- Do të tentoni ta merrni përsëri titullin?

- Sigurisht dhe shpresoj t’ia rrëmbej Glouackit.

- Seferi, ju boksoni gjithmonë me simbolet e Shqipërisë dhe në pantallona mbani flamurin e Shqipnisë Etnike... Pse e bëni këtë?

- Jam shqiptar nga Gostivari dhe e dua vendin tim, Shqipërinë. Sa të jem gjallë, do të mundohem të nderoj këtë flamur dhe shpresoj që të arrijmë ditën kur do të bëhemi një. - A ka frikë një boksier? - Boksierët njerëz janë. Kemi ndjenja dhe normalisht, edhe frika është pjesë e jona, por në probleme më shumë familjare dhe jo në boksim apo në duele luftarake.

- Vëllai juaj, Sefer Seferi, po ndjek gjurmët tuaja...

- Seferi është i pamposhtur dhe i ka fituar të gjitha ndeshjet e tij. Shpresoj të arrijë më lart se unë dhe ta krenojë flamurin shqiptar.

- Nuri, ju urojmë shumë suksese dhe fitore ...

- Faleminderit nga zemra. Respekt për të gjithë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.