Çfarë e dëmton mëlçinë?

Intervista - - SHENDET -

Sheqeri

Sheqeri i tepërt nuk është i keq vetëm për dhëmbët; ai mund të dëmtojë edhe mëlçinë. Ky organ përdor një lloj sheqeri, të quajtur fruktozë, për të krijuar dhjamë. Nëse përdorni shumë ushqime me sheqer të rafinuar, kjo mund të shkaktojë një grumbullim dhjami në mëlçi, gjë që e dëmton atë. Disa studime kanë treguar se sheqeri mund ta dëmtojë mëlçinë po aq sa alkooli, edhe nëse nuk jeni mbipeshë. Një arsye më shumë për të kufizuar ushqimet me sheqerna të shtuara, si pijet freksuese, biskotat, karamelet, etj.

MSG (Monosodium Glutamat)

MSG-ja përdoret për të theksuar shijen e shumë ushqimeve të parapërgatitura, që nga patatinat e deri te pijet e ashtuquajtura dietike. Megjithatë, disa studime të bëra te kafshët kanë treguar se ky kimikat shton dhjamin dhe inflamacionin në mëlçi, gjë që çon te SMDH-ja dhe te kanceri i mëlçisë. Shkencëtarët duhet të bëjnë më shumë kërkime për të vërtetuar se MSG-ja i prek njësoj edhe njerëzit.

Komfrei

Kjo është një bimë që gjendet në Evropë dhe në Azi. Prej gjetheve të saj nxirret një lëndë kimike që redukton enjtjen dhe e mban lëkurën të shëndetshme, kështu që mund të gjendet në disa kremëra që lehtësojnë dhimbjen. Por, komfrei ka edhe substanca që dëmtojnë mëlçinë. Për këtë arsye, produktin që e përmban atë, nuk duhet ta përdorni më shumë se 10 ditë rresht, ose më shumë se 6 javë në vit. Aplikojeni në sasi të vogla dhe kurrë në lëkurën e dëmtuar.

Tableta bimore

Vetëm se etiketa thotë “natyrale”, kjo nuk do të thotë se janë të sigurt. Një rrezik serioz është bima e kavas, që lehtëson simptomat e menopauzës dhe të ndihmon të relaksohesh. Studimet kanë treguar se ajo pengon punën e mëlçisë, duke shkaktuar hepatit dhe mosfunksionim të saj. Disa vende e kanë hequr ose kufizuar përdorimin e saj. Pyesni gjithmonë doktorin para se të merrni ndonjë ilaç.

Obeziteti

Nëse jeni mbipeshë, dhjami mund të grumbullohet në qelizat e mëlçisë dhe të shkaktojë një SMDH. Kjo shkakton enjtjen e këtij organi. Me kalimin e kohës, indet e forcuara zëvendësojnë ato të shëndetshme, duke shkaktuar cirozën. Njerëzit që janë mbipeshë, ose obezë, të moshës së mesme dhe që kanë diabet, rrezikohen më shumë nga SMDH-ja. Nuk ka kurë për këtë, por mënyra e të ushqyerit dhe ushtrimet, nganjëherë e kthejnë prapa sëmundjen.

Shumë vitaminë A

Vitamina A gjendet te vezët dhe te qumështi, si edhe te frutat e perimet, sidomos tek ato që janë të kuqe, të verdha dhe portokalli. Ajo përfshihet edhe në shumë tableta me vitamina, sepse përmirëson shikimin, forcon kockat dhe nxit sistemin imunitar. Por, në doza shumë të larta, vitamina A është helmuese për mëlçinë. Nuk duhet mar- rë më shumë se 10 000 IU në ditë.

Pijet freskuese

Shkencëtarët studiuan dietën e një grupi njerëzish me SMDH joalkoolike, duke marrë parasysh peshën, sasinë e yndyrës në gjak dhe faktin nëse kishin diabet. Një gjë doli në pah: 80% e tyre pinin 2 ose më shumë gota me pije freksuese në ditë. Nuk kishte rëndësi nëse ishin pije pa sheqer, gjë që do të thotë se një përbërës tjetër, përveç sheqerit, luan rol në këtë gjendje. Nuk ka të dhëna, por disa studiues mendojnë se shkaktarë mund të jenë ëmbëlsuesit artificialë.

Antidepresivët

Ndodh rrallë, por disa antidepresivë mund ta dëmtojnë mëlçinë, edhe sikur t’i merrni për pak ditë. Në disa raste, dëmtimi mund të jetë vdekjeprurës. Të moshuarit ose ata që marrin shumë ilaçe, rrezikohen më shumë, sepse mëlçia e tyre mund të jetë e dëmtuar. Nëse merrni antidepresivë, sigurohuni që përdorni dozën më të vogël të mundshme.

Yndyrat trans

Yndyrnat trans, si margarina, përdoren shpesh në ëmbëlsirat dhe në ushqimet e parapërgatitura. Një dietë e pasur me to jo vetëm që shton mundësinë tuaj për të shtuar në peshë, por edhe dëmton mëlçinë. Në një studim, minjtë që konsumuan ushqime me shumë yndyrna të tilla, patën një dëmtim mëlçie brenda vetëm 4 muajve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.