E dini sa “ju vlen lëkura”?

Intervista - - TEST -

1. Sa lëkurë humbasim gjatë një viti? a. Gjysmë kilogrami b. Një kilogram e gjysmë c. Katër kilogramë 2. Nëse hamë shumë karota, kjo mund ta bëjë lëkurën tonë portokalli. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 3. Pse lëkura bëhet me rrudha kur lahemi në vaskë? a. Uji është shumë i nxehtë b. Ne dehidratohemi c. Largohet yndyra që prodhon trupi 4. Lëkura është organi ynë më i madh. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 5. Çfarë ngjyre ka lëkura e një të porsalinduri të shëndetshëm? a. E kuqe e errët b. Blu e hapur c. E verdhë 6. Vetëm njerëzit me ngjyrë të hapur lëkure digjen në diell. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 7. Lëkura është më e hollë në: a. Buzë b. Kapakët e syve c. Pjesa e brendshme e kyçit të dorës 8. Lëkura e vdekur na mbron nga ndotja e ajrit. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 9. Ne na rrënqethet mishi, sepse lëkura është e mbuluar me qime. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 10. Keni disa copëza mishi të vogla që varen në lëkurë. A duhet të shqetësoheni? a. Po b. Jo 11. Çfarë i shkakton puçrrat? a. Stresi b. Hormonet c. Çokollata 12. Edhe fëmijët mund të kenë strija në lëkurë. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 13. Çdo pjesë e lëkurës sonë ka rezistencë dhe hapje të ndryshme. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 14. Sa baktere ka lëkura jonë? a. Afro 100 milionë b. Afro 1 miliard c. Afro 1 triliard 15. Gjëndrat që prodhojnë dyllin e veshit, janë gjëndra djerse. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 16. Nga akneja, në moshë të rritur, vuajnë më shumë gratë sesa burrat. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 17. Sa për qind të peshës së njeriut e zë lëkura? a. 5% b. 10% c. 15% 18. Në sa ditë e rinovon vetveten lëkura? a. Në afro 10 ditë b. Në afro 20 ditë c. Në afro 28 ditë 19. Edhe bebet mund të kenë akne. a. E vërtetë b. Gënjeshtër 20. Për të pasur lëkurë të shëndetshme, ne kemi nevojë për: a. Vitaminë A b. Vitaminë D c. Vitaminë E d. Të gjitha së bashku 21. Sa kohë u duhet bebeve për të pasur tonalitetin e përhershëm të lëkurës së tyre? a. 1 muaj b. 6 muaj c. 1 vit

Përgjigjet 1. Përgjigjja e saktë është c-ja.

Shtresa e sipërme e lëkurës sonë është e mbuluar me qeliza të vdekura, të cilat largohen vazhdimisht nga lëkura. Kjo sasi është 30-40 mijë në ditë, baraz me 4 kg lëkurë në vit. Megjithatë, mos u shqetësoni; trupi ynë prodhon gjithmonë qeliza të reja për të zëvendësuar të vjetrat.

2. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Karotat kanë plot beta-karoten, një substancë që u jep atyre ngjyrën që kanë. Lëkura portokalli nganjëherë u bëhet bebeve (karotat janë ushqimi i tyre i preferuar) dhe njerëzve që pinë lëng karote.

3. Përgjigjja e saktë është c-ja.

Kur yndyra që mbulon trupin tonë largohet, neve na bëhen gishtat si kumbulla hoshafe. Lëkura thith pak ujë dhe krijon këto rrudha karakteristike. Pse i krijon trupi këto rrudha? Ekspertët mendojnë se ai e bën këtë për të na ndihmuar. Sepse gishtat me rrudha e bëjnë më të lehtë dhe më pak të rrëshqitshme kapjen e objekteve të lagura.

4. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Nëse e shtrijmë drejt lëkurën tonë, lëkura e një burri të rritur, që peshon 70 kg, peshon afro 4 kg dhe mbulon një sipërfaqe prej 2 metrash katrorë. Lëkura jonë ka tre shtresa dhe kryen shumë funksione. Ajo mbron muskujt, kockat, nervat dhe gjithçka tjetër që kemi brenda trupit. Ajo gjithashtu na ndihmon të kemi ngrohtë dhe freskët. Çdo centimetër katror e saj ka qindra gjëndra vaji dhe djerse, mbaresa nervore dhe enë gjaku.

5. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Lëkura e një të porsalinduri të shëndetshëm është e kuqe, ose vjollcë. Kjo gjë është normale. Kur fëmija i mbush më shumë mushkëritë me ajër, e kuqja largohet. Ngjyra përfundimtare e lëkurës së një bebeje varet nga shumë gjëra, përfshi këtu racën, moshën dhe shëndetin.

6. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Nëse ju keni lëkurë më të errët, trupi juaj prodhon më shumë pigment sesa njerëzit që kanë lëkurë të hapur. Ky pigment quhet melaninë dhe na ndihmon ta mbrojmë lëkurën nga dielli. Por melanina nuk do të thotë se ju jeni të sigurt. Edhe njerëzit me lëkurë të errët mund të digjen nga dielli dhe të kenë kancer lëkure. Është e rëndësishme të përdorësh krem mbrojtës.

7. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Lëkura më e trashë e njeriut është në shputat e këmbëve, ndërsa më e holla, në kapakët e syve. Në shumicën e pjesëve të trupit tonë, lëkura është e trashë sa një letër.

8. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Plot nga qelizat e vdekura që heqim nga trupi çdo ditë, bëhen pluhur në shtëpi. Megjithatë, kjo mund të ketë edhe një anë të mirë. Gjatë një studimi u zbulua se këto qeliza mund të ndihmojnë në pakësimin e ndotjes së ajrit brenda shtëpisë. Vaji i tyre duket se ndihmon për largimin e ozonit.

9. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Kur kemi ftohtë, apo jemi të frikësuar, na shfaqen disa të ngritura në lëkurë. Anglezët i quajnë xhunga pate, sepse në këtë rast, lëkura jonë duket si ajo e një pate apo pule që i kanë shkulur puplat. Kjo ndodh sepse muskujt që janë lidhur me qimen, tkurren. Ato tërheqin lëkurën dhe qimet ngrihen përpjetë. Ekspertët mendojnë se kjo është një mënyrë e trupit për t’u ngrohur.

10. Përgjigjja e saktë është b-ja

Këto copëza të vogla mishi që dalin mbi lëkurë janë të padëmshme. Ato shfaqen më shumë në vendet ku lëkura fërkohet me rrobat, ose ku paloset, si në sqetulla. Ato mund të dalin edhe në qepallë. Doktori mund t’jua heqë nëse ju shqetësojnë, ose ngecin në rroba dhe bizhuteri. Nganjëherë, ato bien vetë.

11. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Çokollata dhe ushqimet me yndyrë, si patatet e skuqura, nuk shkaktojnë puçrra te shumica e njerëzve, ashtu si edhe stresi, apo lëkurë e pistë. Këto shkaktohen nga ndryshimet hormonale, disa lloje ilaçesh dhe grimi. Nëse mendoni se puçrrat u dalin vetëm adoleshentëve, atëherë mësoni se nuk është e rrallë t’u dalin edhe njerëzve në të 40-tat ose të 50tat.

12. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Lëkura jonë është mjaft elastike, por kur ajo tërhiqet shumë, fillojnë të dalin këto shenja të kuqe dhe vjollcë, që ne i quajmë strija. Këto ndodhin nëse ju rriteni, ose shtoni në peshë shumë shpejt dhe lëkura duhet t’i përshtatet këtij ndryshimi. Ato ndodhin shpesh te gratë shtatzëna dhe te fëmijët në adoleshencë. Ato nuk ikin, por zakonisht, zbehen me kalimin e kohës.

13. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Është e vërtetë se çdo pjesë e lëkurës sonë ka rezistencë dhe hapje të ndryshme. Lëkura e noçkave të gishtave është e ndryshme nga ajo e barkut.

14. Përgjigjja e saktë është c-ja.

Lëkura jonë mban afro 1 triliardë bakterie në sipërfaqen e saj dhe këto janë të afro 1000 specieve të ndryshme.

15. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Gjëndrat që prodhojnë dyllin e veshit janë gjëndra djerse të një lloji të veçantë.

16. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Një në 20 gra të rritura vuajnë nga aknet, ndërsa te burrat, ky raport është një në 100.

17. Përgjigjja e saktë është c-ja.

Lëkura zë afro 15% të peshës totale të trupit të njeriut.

18. Përgjigjja e saktë është c-ja.

Lëkura jonë rinovohet në afro 28 ditë.

19. Përgjigjja e saktë është a-ja.

Është e vërtetë që edhe bebet mund të kenë akne në javët e para të jetës së tyre. Akneja shkaktohet nga një superprodhim i qelizave që rrethojnë gjëndrat e djersës, të nxitura nga hormonet. Ndërkohë, ky fenomen prek më shumë adoleshentët. 4 në 5 adoleshentë do të kenë akne gjatë jetës së tyre.

20. Përgjigjja e saktë është d-ja.

Ne kemi nevojë për të gjitha këto vitamina, për të pasur lëkurë të shëndetshme. Vitamina A ndihmon në riparimin e lëkurës së dëmtuar nga dielli dhe lufton celulitin. Vitamina D redukton njollat dhe dëmtimet e lëkurës, ndërsa ajo E, ka efekt antioksidues dhe ndihmon në rininë e lëkurës dhe në rinovimin e saj.

21. Përgjigjja e saktë është b-ja.

Bebeve u duhen 6 muaj për të krijuar tonalitetin e përhershëm të ngjyrës së lëkurës së tyre.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.