JANË USHQIMET KOSHER?

Intervista - - KUZHINE -

Ushqimet kosher janë ato që përdoren në kuzhinën hebraike ( çifute). Ja, disa prej tyre: Harengë me qepë, borsh ( lloj supe) me lakër të kuqe, bagel ( lloj buke) me salmon, kuskus, falafel ( lloj qoftesh me qiqra), humus ( salcë me qiqra), angjinare, etj. Mbase nuk i keni hasur shpesh, por ato janë gatimet tipike të asaj që quhet kuzhinë hebraike. Kjo kuzhinë njihet pak, por kureshtja për të është e madhe dhe restorantet e specializuara kanë filluar të mbushen edhe me klientë të tjerë, përveç hebrenjve...

Shumë tradita së bashku

Nga Rusia në Magreb, nga Spanja në Itali, kuzhina hebraike mbledh në një grup të vetëm receta tipike të vendeve shumë të ndryshme për nga traditat gastronomike dhe për këtë arsye, është një miks i çuditshëm gjellësh. Përgjatë shekujve, çifutët kanë jetuar e ngrënë ngado dhe i kanë bërë të tyret disa receta, i kanë përpunuar dhe më vonë i kanë marrë me vete deri në Amerikë, apo Izrael, ku i kanë përzier edhe me kuzhinën lokale. Bageli tipik njujorkez është një recetë e Evropës Lindore, që ka mbërritur në SHBA nga emigrantët e parë çifutë. Falafelët janë një gjellë arabe, por sot, bashkë me kuskusin dhe humusin, qëndrojnë në bazë të dietës së përditshme të çdo izraeliti. Familjet ruajnë këtë apo atë traditë, sipas origjinës së tyre dhe, në të njëjtën mënyrë ka restorante hebraike që propozojnë gjellë mesdhetare, t ë tjera nga Europa Qendrore.

Të hash gjellë çifute do të thotë të gjendesh para një krapi të gatuar me salcë të ëmbël dhe të thartë, ose një pjate me pilaf persian. Traditat janë shumë të ndryshme dhe nuk kanë asgjë të përbashkët në nivelin e shijeve, por ndjekin të njëjtat rregulla, që prej mijëra vjetësh, ato të kuzhinës kosher ( quhen kasherut).

Rregullat e ushqimit kosher

Kosher do të thotë fjalë për fjalë “i përshtatshëm, i lejuar” dhe kjo dallon gjithë ushqimet që mund të konsumohen nga çifutët praktikues të fesë së tyre dhe rregullave të du- hura për t’i gatuar. Nuk janë kosher mishi i derrit, peshqit pa luspa, frutat e detit, por edhe gjellët që përziejnë mishin me qumështin. Rregullat e kasherutit janë me dhjetëra dhe i përkasin zgjedhjes së përbërësve, therjes së kafshëve, ruajtjes dhe ndarjes së qartë të mishit nga qumështi në shtëpi, në udhëtim, në supermarket. Ky është një stil i vërtetë jete. Rregullat ndiqen më rreptësisht nga hebrenjtë fanatikë dhe më pak ( ose fare), nga të tjerët, por produktet e quajtura kosher janë një biznes i vërtetë, jo vetëm për çifutët.

Biznesi i produkteve kosher për ata që s’janë çifutë

Vërtetimi për ushqimin apo restorantin kosher jepet nga rabinë të specializuar, që verifikojnë respektimin e rregullave higjienike, prejardhjen e çdo përbërësi, përdorimin vetëm të lëndëve të para që kanë marrë gjithashtu vërtetim... Jo të gjithë çifutët i kontrollojnë etiketat, megjithatë shitja e produkteve kosher është duke njohur një bum në gjithë botën, por sidomos në SHBA. Vlerësohet se vetëm 14% e shitjes së këtyre produkteve bëhet për arsye fetare, ndërsa të tjerët i blejnë sepse konsiderohen më të besueshme, të kontrolluara dhe me cilësi më të mirë. Gjithashtu, ato zgjidhen nga njerëzit që ndjekin dietën vegane dhe nuk duan të gjejnë gjurmë përbërësish shtazorë në djathëra, në produktet e pjekura, në ëmbëlsira dhe në gjellët e parapërgatitura.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.