Nga sekretare e drejtorit, u bëra gruaja e tij

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Të parët tanë kanë thënë “Ç’të shash, do ta blesh”. Edhe mua kështu më ndodhi. Gjithmonë e kam urryer punën e sekretares. Jo vetëm për namin e keq që ka fjala sekretare, por më dukej si mungesë vetëvlerësimi për atë që e pranon atë pozicion. “Të vraposh në zyrë për t’i çuar kafen shefit”, kështu kam menduar gjithmonë. Por, ja që edhe unë, pas një viti pa punë u detyrova të filloja punë sekretare...

Kam lindur e jam rritur në Tiranë, mamaja ime ka qenë mësuese në shkollë fillore, ndërsa babai mësues fizkulture. Duke qenë të lidhur me shkollën, ata mua dhe vëllait na dhanë të njëjtin drejtim: shkollë, shkollë dhe vetëm shkollë. Kjo ka qenë kryefjala e ditës për ta. Unë vazhdova Fakultetin e Historisë, ndërsa vëllai vazhdoi Shkollën e Oficerëve. Unë e mbarova fakultetin me rezultate të mira dhe vazhdova edhe një master. Ndërsa ndiqja fakultetin, mësova anglisht dhe gjermanisht. I kam mbrojtur të dyja gjuhët. Sa isha në shkollë, bashkëpunoja me një shoqatë për të përkthyer materialet nga gjermanishtja. Kjo më ndihmoi të hyja në kontakt edhe me të huaj. Personat me të cilët kontaktoja, ndërsa përktheja, ishin të gjithë të arsimuar dhe ata më ndihmuan që të merrja një bursë për specializim në Gjermani. Pas aplikimit fillova t’i humbja shpresat se do të fitoja, por ja që pata fat. Sapo mbarova fakultetin më erdhi përgjigjja pozitive për specializimin tim në Gjermani. Sigurisht që u lumturova dhe për një muaj, u nisa. Shkolla atje ishte e mahnitshme, pavarësisht vështirësive të para. Specializimi zgjati tetë muaj, gjatë të cilëve mësova aq sa ç’kisha mësuar në Shqipëri për njëzet e katër vite.

Kur u ktheva nga Gjermania, aplikova gjithandej me të katër diplomat e mia e megjithëse të gjithë më përgëzonin për mesataren, asnjë nuk më mori në punë. Pasi aplikova për punë një vit lart e poshtë, kur i humba shpresat, një shok shkolle i vëllait më propozoi të punoja sekretare e drejtorit në ministrinë ku punonte ai.

- Është burrë i qetë dhe shumë serioz dhe kjo është drejtoria me më pak punë në gjithë ministrinë, - tha I.-ja ndërsa pinim kafe të tre bashkë.

- O Zot, është puna që kam urryer gjithë jetën, më mirë rri pa punë sesa sekretare, - thashë unë me një frymë.

- Dëgjo, puna është sa të futësh këmbët, pastaj aty shikon ndonjë gjë më të mirë vetë dhe i kërkon drejtorit të të rregullojë, - tha ai krejt qetësisht, i mësuar nga ecuritë e sekretareve të tjera.

- Po unë kam mbaruar një kalë më shkollë more, si të punoj sekretare?! - thashë, ndërsa sa vija e nevrikosesha.

- Epo, të rroftë shkolla atëherë! Laj enët me shkollë të lartë e mësojua edhe pjatave gjuhët që di, - më tha I.ja, ndërsa vëllai më kapi dorën për të më qetësuar.

Pas dy-tri ditësh dolëm sërish për kafe. Pas bisedave të para, që ishin më shumë shkëmbim batutash, I.-ja më tha:

- Fola me drejtorin. I tregova ç’shkollë ke mbaruar dhe se je motra e shokut tim më të ngushtë. I thashë edhe që ke pretendime për karrierë e jo për të punuar sekretare dhe drejtori më tha shprehimisht kështu: “Epo, të vijë të fillojë punë dhe nëse ato diplomat i ka me zotësinë e saj, të premtoj që do ta rregulloj në pozicionin që do të zgjedhë”. Kështu, unë mendoj të vish e të fillosh. I thashë edhe që e ke kompleks punën si sekretare.

- Bo-bo ç’i paske thënë! Po si do të më marrë në punë tani që i ke thënë se e urrej atë punë? - i thashë unë.

- Epo, hë de, unë i thashë që e ke nga pretendimi për veten e jo që urren punën. Edhe ju femrat, sa të komplikuara jeni. Ai nuk mori asgjë për kapital. Nesër hajde në punë e mos jeto më si parazite në krahët e prindërve!

Shkova në shtëpi si me këmbë të huaja nga nervat. Bëra çantën gati për të nesërmen që të mos vonohesha dhe atë natë bëra një gjumë gjithë makthe. Të nesërmen në mëngjes, I.-ja më priste para punës dhe pas përshëndetjeve të zakonshme, u ngjitëm në zyrën ku duhet të punoja. Meqë drejtori nuk kish ardhur akoma, I.-ja i tha një zonje në zyrën ngjitur që t’i tregonte drejtorit se sekretarja kish ardhur. Sapo drejtori erdhi, mori në telefon I.-në dhe ne shkuam në zyrën e tij.

- Mirëmëngjes vajzë, - tha drejtori A. dhe më zgjati dorën. Në momentin e parë u ndjeva e befasuar sepse I.ja më kishte thënë që drejtori ishte rreth të dyzetave, por ai dukej më shumë, ndoshta nga veshja shumë zyrtare. I ktheva përshëndetjen dhe ndërsa i hodha një sy të shpejtë zyrës së tij, drejtori e mori fjalën sërish: - Do të fillosh punë që sot. Dokumentet në zyrën e personelit do t’i sjellësh deri në fund të javës. Çdo mëngjes më duhet një përmbledhje e lajmeve nga faqet e para të gazetave. Mund të më pyesësh për ç’të duash në dy ditët e para të punës. Kaq kisha. Ti uroji “punë të mbarë vajzës” dhe kthehu në zyrën tënde, - iu drejtua I.-së dhe mua më drejtoi për nga paradhoma që do të ishte zyra ime. - Ky është telefoni që të lidh me mua. Të thashë, sot dhe nesër më pyet për ç’të duash. Shkresat e sotshme m’i kalo të gjitha menjëherë. Ndërkohë, do të të jap edhe udhëzime. Bën mirë të kesh një bllok që të shënosh ato që duhet t’i mbash mend, - dhe ktheu kurrizin e hyri në zyrën e tij.

- E tmerrshme, ufo është ky?! Pret që të punoj menjëherë, - i thashë I.-së.

- Bën mirë të luash duart dhe shumë suksese! - qeshi ai, më përqafoi e doli nga zyra.

Unë u ula në karrigen që do të ishte e imja dhe fillova menjëherë punën. Përmbledhjen e mbarova shumë shpejt dhe e printova, se nuk doja t’i kërkoja adresë e-maili drejtorit, më dukej personale. Ajo ditë kaloi duke shkruar në kompjuter e në bllok. Nuk u mërzita e as u bezdisa nga vrulli i menjëhershëm i punës. Kështu ishte edhe dita e dytë dhe e tretë. Pastaj fillova të mësoja rrjedhën e punëve, specialistët, kë donte të takonte drejtori dhe kë jo. Pas tri muajsh pune, drejtori më thirri në zyrë dhe më tha:

- Nga puna jote tre mujore kam nxjerrë një përfundim, që ti meriton një vend tjetër pune në nivel specialisteje, por për të qenë i sinqertë, për momentin do të të mbaj këtu. E para sepse puna për mua bëhet shumë më e thjeshtë kur kam një person të përgjegjshëm këtu dhe e dyta, nuk ka vend të lirë për momentin. Sapo të hapet ndonjë variant, do të të rregulloj.

E falënderova për ato që më tha dhe dola si me fletë nga zyra e tij. Qysh nga ajo ditë fillova ta shikoja me sy tjetër, nuk më dukej më ai ufoja i lidhur me punën si robot. Fillova të njihja edhe stafin dhe mësova se ai, edhe pse kishte patur pesë sekretare para meje, asnjërën nuk kishte ngacmuar. Ato ishin larguar sepse kishin gjetur punë më të mira. Ai kishte trembëdhjetë vite i martuar dhe nuk kishte fëmijë. Gruan e kishte mësuese. Ndërkohë që unë mësoja punën e thashethemet, erdhi vera e me verën fillova të zhvishesha... (Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.