Kemi thyer 3-mujorin e qëndrimit në Itali. Mund të rihyjmë?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jemi dy vëllezër që kemi punuar vjet 3 muaj në Itali në ndërtim, por problemi është se e kaluam 3 mujorin e ligjshëm dhe për këtë morëm një vulë dëbimi nga Italia. Donim të dinim, për sa kohë vlen kjo dhe çfarë problemi mund të kemi nëse shkojmë sërish tani pas gjashtë muajsh atje, përderisa pronari po na dërgon garancinë?

- Sipas ligjeve italiane, ju futeni te dekreti i dëbimit dhe ky dekret parashikon që i huaji të mos hyjë në Itali e në të gjithë zonën Shengen për një periudhë jo më të shkurtër se tre vjet e jo më të gjatë se 5 vjet. Për motive të veçanta të sigurisë publike apo të rendit publik, apo nëse i huaji konsiderohet i rrezikshëm për shoqërinë, ndalimi mund të zgjasë edhe më shumë se pesë vjet. Kuptohet, ju keni thyer kohën e qëndrimit e nuk konsideroheni të rrezikshëm, por ligjet janë ligje. Koha e saktë gjatë së cilës të huajit i ndalohet hyrja, specifikohet në dekretin e dëbimit dhe kjo kohë llogaritet nga data e largimit efektiv të personit, që rezulton në vulën e daljes të vënë në pasaportën e të interesuarit. Vetëm pasi kalon kjo kohë, i huaji mund të hyjë në Itali e të punësohet me procedurën e parashikuar nga flukset e hyrjes.

- Sidoqoftë, para se të rihyni në Itali ju duhet të paraqisni kërkesë për ripranim pranë Ambasadës apo Konsu llatës italiane në vendin ku jetoni. Në kërkesë duhet të tregoni se keni respektuar urdhërin e dëbimit nga Italia, për shembull duke treguar pasaportën me vulën e daljes dhe çdo dokument të mundshëm që dëshmon se keni jetuar në vendin tuaj, si për shembull certifikata mjekësore të lëshuara nga autoritetet shëndetësore, apo certifikata studimi etj. Autoritetet konsullore do të verifikojnë identitetin e aplikuesit dhe do t’ia përcjellin kërkesën e tij ministrisë së Brendshme Italiane. Ministria, pasi të marrë të gjithë dokumentacionin, do të vlerësojë dhe verifikojë përmbushjen e kritereve për rihyrjen në Itali. Është e udhës të verifikohet edhe nëse emri rezulton në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS), duke i drejtuar kërkesë Ministrisë së Brendshme, sepse në rast se rezulton akoma i sinjalizuar, do të nevojitet të kërkohet fshirja e emrit, për të shmangur probleme në çastin e hyrjes në Itali.

- Duhet mbajtur parasysh se i huaji që ka marrë një dekret dëbimi, nuk mund të hyjë në Itali për asnjë arsye gjatë periudhës së përcaktuar në dekret, pa një autorizim të posaçëm të Ministrisë së Brendshme, në rast të kundërt konsiderohet shkelës ligji dhe dënohet me nga 1 deri 4 vjet burg dhe dëbohet sërish me shoqërim të menjëhershëm në kufi. Autorizimi i sipërpërmendur kërkohet nga i interesuari pranë Përfaqësisë Diplomatike në vendin ku jeton dhe jepet në raste të veçanta, si bashkimi familjar, falë një autorizimi të lëshuar nga Gjykata e të Miturve apo për motive që kanë të bëjnë me drejtësinë (kërkohet për shembull prania e tij në gjykatë gjatë një procesi). Po kështu, kini parasysh se dëbimi administrativ që u jepet të huajve që nuk kanë kaluar nëpër kontrollin e kufirit dhe që nuk janë kthyer mbrapsht që në kufi për mospërmbushjen e kritereve të hyrjes, janë të parevo kueshme sipas nenit 13, paragrafi 13 i dekretit legjislativ 286/ 1998. E njëjta gjë vlen edhe për ata që kanë marrë dekret dëbimi administrativ sepse kanë vazhduar të jetojnë në Itali më gjatë se tre muajt e lejuar për qëndrimet afatshkurtra, të lejuara për shembull për shqiptarët kur vijnë në Itali pa vizë dhe për të gjithë ata të cilëve u është tërhequr, anuluar, refuzuar lëshimi apo përtëritja e lejes së qëndrimit. E njëjta normë ligjore zbatohet edhe për ata që nuk kanë përtërirë lejen e qëndrimit brenda 60 ditëve nga data e skadencës, pa një arsye të vlefshme e të dokumentuar force madhore. Uroj t’ju kemi sqaruar sadopak mbi këtë ligj italian, informacion të cilin e kemi marrë nga specialistët italianë të kësaj fushe.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.