Si ta bëj më mikpritëse hyrjen time?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar arkitekt Seldi. Këshillat tuaja për mobilimin i ndjek me kënaqësi sepse më duken shumë me vend. Për këtë arsye po ju shkruaj sot. Gjithmonë i kam urryer korridoret tona tradicionale, ku gjendet vetëm një portmanto, ndaj dua që korridorin tim ta bëj pak më ndryshe. Ju, çfarë më këshilloni? Majlinda

- E nderuar lexuese, keni të drejtë në konstatimin tuaj. Disa kohë më parë, ambientit të hyrjes së shtëpisë ose ndryshe, korridorit, pothuajse nuk i kushtohej rëndësi. Në shumicën e rasteve, korridori mbetej i boshatisur ose i shoqëruar vetëm me një mbajtëse rrobash.

Sot, dizenjimit dhe mobilimit po i kushtohet shumë rëndësi dhe unë, mendoj se hyrja e shtëpisë reflekton stilin vetjak. Në dizenjimet që bëj, bëj të mundur që arti ose stili që përdorim, të ndihet që në hyrje te shtëpisë, pra, që në korridor. Hyrja e shtëpisë është shumë e rëndësishme, ajo është pre- zantimi i parë që ne kemi në momentin kur hapet dera. Të gjithë e dimë që në shumicën e rasteve ajo është dhoma ku lidhen ambientet me njëra-tjetrën dhe ne bëjmë që ai të jetë mikpritës, ndërkohë që ecim nëpër dyert e dhomave të tjera.

Hapësira e hyrjes në shumicën e apartamenteve është e vogël, por kjo nuk do të thotë që ju nuk mund të bëni një paraqitje të madhe me anë të saj. Ne mundohemi që guximi dhe eleganca e shtëpisë tuaj të duket që në hyrje të saj, për shembull, duke vendosur në faqe të murit një pasqyrë në forma të ndryshme, e mbështetur në mur, dy karrige, një qilim gjeometrik etj. Që në këtë moment, të ftuarit kuptojnë se po hyjnë në një shtëpi me stil.

Në punët e mia, unë preferoj të përdor drurin, hekurin dhe tekstura të tjera të thjeshta, të cilat janë njëkohësisht edhe tendencat e fundit. Duke përdorur këtë përzierje në hyrje, ne përcaktojmë tonalitete të ngrohta dhe mjaft të përshtatshme për shumicën e klientëve.

Ndonjëherë, për shkak të dimensioneve të hyrjes, qilimi do ta ngarkonte atë, por nëse keni një hapësirë të konsiderueshme për të shtruar një model, në pjesën më të madhe të rasteve, ne zgjedhim ngjyrat e ëmbla, mundësisht të përziera, që reflektojnë ngrohtësi dhe mikpritje. Duke qenë se zona e hyrjes është më e shkelura, zgjedhim qilima mjaftueshëm të fortë dhe praktikë, për të patur një përdorim jetëgjatë. Gjithashtu, përdorim edhe letrat e murit, për t’i dhënë ambientit stilin që ju dëshironi. Nëse jeni e interesuar për ambientin tuaj konkret, ju ftoj të më kontaktoni në kontaktet e mësipërme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.