A mund ta tërheq denoncimin për burrin sepse më dhunoi?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar zoti avokat, jam Anila nga Lezha. Problemi im është se e kam denoncuar bashkëshortin për dhunë në familje. Nga dhuna e ushtruar bashkëshorti më ka lënë shenja në fytyrë dhe në trup. Pas kallëzimit, policia e arrestoi menjëherë dhe tani ai ndodhet në paraburgim, derisa të mbarojnë hetimet. Unë dua të tërheq kallëzimin për bashkëshortin dhe dua që ai të mos dënohet, pasi kam dy fëmijë me të dhe jam penduar për kallëzimin që i kam bërë. Ju lutem, më ndihmoni, si të veproj? Ju faleminderit!

- Përshëndetje Anila. Më vjen shumë keq për situatën që ju ka ndodhur! Dhuna në familje është vepër penale e cila parashikohet nga Kodi Penal në nenin 130/a: Rrahja, kanosja, si dhe çdo vepër tjetër dhune ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ishbashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cënimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Po këto vepra të kryera në mënyrë të përsëritur dënohen me burgim nga një vit gjer në pesë vjet.”. Pra, siç lexohet nga dispozita e mësipërme, kjo është vepër penale e cila ka dënim penal të madh, pasi ligjvënësi e cilëson dhunën në familje si vepër penale të rëndë, kjo pasi familja dhe marrëdhëniet në të konsiderohen të rëndësishme për shoqërinë tonë. Pra, kualifikimi ligjor lidhur me veprën që ka kryer bashkëshorti juaj, varet nga dëmtimet që ai ju ka bërë në trup.

- Përsa u përket këtyre veprave penale, nëse ju do të keni dëshirën për të hequr kallëzimin, nuk mund ta tërhiqni dot, pasi kjo është vepër penale e cila ndiqet kryesisht nga organi i prokurorisë. Ajo çfarë mund të bëni për të lehtësuar dënimin e bashkëshortit tuaj është që deklarimet që do të jepni gjatë fazës së hetimeve të jenë lehtësues për të. Gjithashtu, duhet të dorëzoni në prokurori certifikatën familjare, vërtetim pune që ai është kryefamiljar etj., por varet se me çfarë dispozite të nenit 130/a po i zhvillon hetimet prokuroria. Përfundimisht, bashkëshorti gjatë hetimeve duhet të shfaqë pendesë të thellë dhe nëse gjykata merr parasysh rrethanat familjare që ai është kryefamiljar, mund ta dënojë me burgim, por pezullon ekzekutimin e dënimit penal me shërbimin e provës. Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Av. Drn. Alban Duraj Tel. ++355 44 53 25 12 Email: info@durajlavv.com Fcb: Duraj Law Firm; Web: www.durajlaw.com Bulevardi “Bajram Curri”, Pall. “Aviacioni i ri”, K. 1, Zyra no.4, Tiranë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.