Letra për psikologun A keni ndonjë këshillë për ne të pamartuarit?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar doktor Demiri, jam një bukuroshe shumë e rregullt 42 vjeçare që kam mbetur pa martuar. Arsyet kanë qenë pretendimet e tepruara. Tani quhem “kartë e djegur” dhe vetëm burrat e divorcuar më kërkojnë dorën, por unë them “më mirë djepi bosh sesa “djalli” brenda”. As nuk bëj dot si ca që e kërkojnë martesën nëpërmjet gazetës apo internetit, jo se i paragjykoj, por aty nuk del asgjë për të qenë. Kam vetëm një kërkesë, meqë e lexoj rregullisht “Intervistën”: A keni ju ndonjë këshillë për ne të pamartuarit? Me respekt, Besa, ekonomiste.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - E nderuara 42 vjeçare, në këtë moshë që je, nuk mund të quhesh “kartë e djegur” për t’u martuar, madje edhe për të lindur, pasi mund të duhen edhe nja dhjetë vite që të të ikin aftësitë riprodhuese, pra, menstruacionet. Pa pyet një çikë në çfarë moshe e lindi gocën Inva Mula? Pastaj, nuk të kam hallin e mëmësisë, por më tepër të vetmisë. Ju e shpjegoni në letër arsyen pse ende jeni e pamartuar, pasi edhe në popull si me humor thuhet se po “shikove” shumë, domethënë, po qe se kërkon te tjetri vetëm të meta, nuk martohesh dot.

Unë nuk jam për martesat vetëm për interes material, të cilat Tolstoi i ka quajtur “prostitucion” bashkëshortor, por do të dëshiroja që çdo njeri të martohet e të prindërojë, pasi ta dish, prindërimi është një kënaqësi e pazëvendësueshme. Do të më falin ata që nuk bëjnë dot fëmijë dhe mund të lëndohen nga këto fjalë, por unë u them atyre, nëse ju e keni kërkuar fëmijën me çdo mundësi, atëherë rrini të qetë sepse duhet pranuar ai që quhet “caktimi i Zotit”. Mua ma kënaqin shpirtin të gjithë ata njerëz që e marrin jetën si t’u vijë, por bëjnë çdo gjë që është mun- dur për të zgjidhur vështirësië e për t’u falur gëzime e mirësi vetes e të tjerëve, pra, falin dashuri dhe është e pamundur që të mos marrin. Unë nuk e paragjykoj jetën prej beqari, por them se ca më e mirë se kjo është martesa mbi bazën e miqësisë e të respektit, edhe pse nuk ka ndonjë dashuri shumë pasionante. Madje, shpesh e kam thënë se në qoftë se do një martesë “të hajrit”, martohu me një mikun tënd. Por jo një mik që ka një familje dhe për të qeshur dy veta, qajnë dhjetëra të tjerë përreth tyre. As me një mik që ka telashe shumë, aq sa Napoleoni ka thënë: “Mos fut në krevat dikë i cili ka më shumë halle sesa ti”. Le të jetë burrë i ve apo i divorcuar nuk e paragjykoj, por jo të bëhesh ti shkaku i një ndarjeje apo i lotëve të fëmijëve “jetimë” me prindër gjallë. Edhe sipas librave fetarë, nuk ia sheh “hajrin” asaj që e ke marrë me padrejtësi. As nuk e kuptoj se si disa meshkuj i mbajnë si nën “sqetull” vajzat e pamartuara duke i shkaktuar vetes telashe, apo duke u bërë shkaktarë që ato të mbeten të pamartuara. A nuk i thonë kësaj të tërheqësh “zvarrë” jetën e tjetrit?

- Martesa të tilla nuk kanë jetëgjatësi, sepse lidhen me përgjegjësi të mëdha dhe duke “rregulluar” veten, u bën dëm të tjerëve. Kjo është arsyeja pse artistët e Hollivudit martohen shumë herë dhe shumica vdesin në vetmi. Prandaj është shumë e rëndësishme që më shumë se kudo, te martesa të veprojnë logjika, ndjenjat e përgjegjësisë, kujdesi për të tjerët dhe sjellja altruiste. Nuk ka kuptim të mendosh vetëm për të marrë nga jeta ashtu si zonja Bovari e cila vdiq në vetmi duke “vjellë” tepricat që kishte marrë nga jeta. Nëse ne do të jemi të preokupuar për lumturinë e të tjerëve, aq më bukur do ta ndërtojmë tonën. Megjithatë, keni bërë mirë që nuk jeni martuar me shkuesi, pasi shumica e këtyre martesave rezultojnë pa logjikën e nevojshme, për llogari apo interesa materiale. Sa gjynah, për disa vajza nga Malësia e Madhe që të izoluara atje në malësi, kanë mbetur pa martuar ose më keq, disa kanë pranuar të martohen me shkuesi nëpër ca fshatra serbë, duke marrë për burra ose pleq, ose impotentë, ose njerëz të alkoolizuar e droguar, në mos mos e thashtë Zoti, edhe të sëmurë mendorë. Ndoshta ndonjëri dhe mund të dalë i hajrit, por sidoqoftë, janë shumica ata të cilëve nuk u jepte askush nuse atje dhe duhej që t’i “importonin” ato. Me sa kam dijeni, nga vajzat e Malësisë së Madhe ka dhe goca me arsim të lartë, kurse burrat që kanë marrë atje janë injorantë, apo analfabetë, bujq ose blegtorë, qofë edhe të nderuar, por jo për vajzat tona. Dihet se niveli intelektual luan rol në një martesë, pasi disniveli nuk tolerohet nga pala më lart e sidomos, nga gjinia femërore. Pra, duhet çiftëzim i menduar mirë. Çiftëzim ka edhe te kafshët, si për shembull te pëllumbat e te kastorët. Po edhe në botën e kafshëve ka ca “rregulla” ose “prova” për çiftëzim. Për shembull, disa nga peshqit ikin me mijëra kilometra larg dhe vetëm ata të fortët arrijnë te “vendi”. Ky lloj “seleksionimi” natyror te njeriu është lënë nga Krijuesi në dorë të mendjes njerëzore. Kujdes me atë që çiftëzohesh pasi po të mos jetë “farë” e mirë, raca e keqe të mbetet në derë dhe... t’u mbyll dera! Në Perëndim janë provuar lloje të ndryshme çiftëzimi, por asnjë nuk ka dhënë rezultat sa martesa. Puna ka arritur deri aty sa të pranohet edhe martesa e gejve... me qëllim që njeriu të bëjë vetëm atë që mundet e që do dhe jo ashtu siç nuk mundet.

Gjithsesi, martesa është një lloj “zgjidhjeje”, më e bukura e mundshme e gjetur deri tani. Por, në zbatim të ligjit biologjik nuk është vetëm martesa, është edhe bashkëjetesa, porse llojet e tjera, përveç martesës, kanë jo pak të meta e probleme. Dr. Adem Harxhi ka shkruar: “Mos dilni kundër natyrës se ajo do t’ju ndëshkojë”. Frojdi ka shpjeguar këtu e gati një shekull më parë se shumica e neurozave, në mos të gjitha, vijnë nga shtypja e “libidos”. Pse njeriu t’ia lejojë vetes që të vuajë apo sëmuret nga “shtypja”, pra, mosbërja seks? Gjykoje vetë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.