Si ta largoj pikëllimin dhe nervozizmin?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam Bleona. Më ka ndodhur diçka. Jam mashtruar nga një person. Mendoja se ai më donte, por ai më ka bërë shumë gjëra, më ka lënduar shumë dhe tani e kam të vështirë me e vazhdu jetën. Qysh do eci përpara në jetë? Kam harruar si është të jesh e lumtur dhe e qetë. Nuk gjej rehati aspak, tërë kohën rri e qaj edhe për gjëra koti. Ju lutem, më këshilloni, si ta largoj pikëllimin dhe nervozizmin që është i pranishëm në çdo minutë të jetës sime?

Borana Marku, psikologe: - E dashur Bleona, më vjen keq për gjendjen në të cilën ndodheni, edhe pse më duhet t’ju them që nuk duhet ta bëni shumë tragjike. Është normale të kaloni një gjendje të tillë pasi jeni zhgënjyer apo lënduar nga dikush. Nuk ju ndodh vetëm juve kjo gjë, të gjithë e kalojnë pas një zhgënjimi. Është fazë që duhet kaluar pra. Pak nga pak duhet të filloni të dilni nga kjo gjendje. Mendoni se nuk jeni e para që zhgënjeheni. Të gjithë njerëzit, edhe unë që po ju shkruaj dhe që jam psikologe, jam zhgënjyer, ama kam ecur përpara. Por si?

E para, duhet ta pranosh atë çfarë ka ndodhur dhe të mos e akuzosh veten për asnjë gjë; mendo që ishte e shkruar të ndodhte. E dyta, mendo se çdo gjë ndodh për një arsye të caktuar dhe përgjithësisht, për mirë. Nga çdo gjë që na ndodh në jetë, ne mësojmë shumë gjëra të tjera dhe kjo na jep forcë të ecim përpara, të rritemi e të dimë si të përballemi me strese apo zhgënjime të tilla. Sa më shpejt të mësosh se si të përballosh stresin, aq më të lehtë do ta kesh të futesh sërish në binarët e jetës dhe ta shikosh atë më me ngjyra. Atëherë fillo duke mos menduar më për atë çfarë ka ndodhur, hidhe pas krahëve atë. Më pas do të të sugjeroja të kontaktosh me një psikolog ose psikiatër klinik që të marrësh një mjekim bimor sa për t’u qetësuar si fillim dhe të flesh gjumë mjaftueshëm.

Bëj diçka që të pëlqen, me fjalë të tjera: lidhu me shoqërinë që ke, dil për kafe, argëtohu, shko për shoping, kujdesu për veten, për shëndetin tënd, për pamjen tënde, futu në palestër. Nëse ka diçka që ndihmon dikë të dalë nga zhgënjime dhe strese të tilla, këto janë: shoqëria e mirë e palestra, dhe sigurisht, edhe mbështetja e familjes. Palestra, përveçse do të të ndihmojë që ta largosh vëmendjen nga ajo çfarë të ka ndodhur, do të ndihmojë edhe vetëvlerësimin, pasi do të krijosh një fizik të bukur. Mendo, po vjen vera dhe do të nxjerrësh linjat në pah, do të bësh njohje të reja, do të fillosh të tërhiqesh nga dikush tjetër. Mos e harxho kohën dhe jetën tënde duke qarë apo duke u dëshpëruar për diçka që iku. Mendo se nuk ishte për ty dhe se ai që ka humbur është personi tjetër, jo ti. Ai person mund të jetë duke u argëtuar, ndërsa ti je e mbyllur në vetvete, qan dhe dëmton pamjen e shëndetin tënd! A nuk të vjen gjynah për veten dhe a nuk të vjen inat që ai person, kushdoqoftë, po jeton i qetë, ndërsa ti vuan çdo ditë? Duhet të kesh dhe pak ego, zgjohu, dil para pasqyrës dhe thuaji vetes: “unë meritoj të jem e qetë, e lumtur dhe të vazhdoj përpara”. Bëje për ego edhe nëse nuk ke fuqi. Vetëm kështu do ta mundësh dikë që të ka zhgënjyer, duke qenë ti vetë shumë mirë dhe në formë të mirë nga të gjitha anët.

Pra, sa herë që të shkon mendja tek e kaluara, merru me diçka, lexo një libër, dil në ajër të pastër, kërko një shok apo një shoqe që të të shoqërojë, ose edhe merru me maska fytyre, me trupin tënd, me gjërat që të pëlqen të bësh. Më pas ulu, relaksohu, mendo që nuk je as e para, as e fundit që pëson zhgënjime sepse këto janë procese të jetës. Përqendrohu te pozitivja që do të vijë pas kësaj. Energjia dhe mendimet pozitive do të të ndihmojnë të shërohesh shumë shpejt. Ah, po, nëse të pëlqen të ushqehesh mirë, bëja qejfin vetes, mos u kurse dhe ha një drekë apo darkë jashtë me mikeshën tënde më të ngushtë, shoqërohu me njerëz pozitivë dhe të gjallë. Ke nevojë më shumë se kurrë për persona të gjallë rreth vetes. Nëse ke mundësi, mund t’i dhurosh vetes edhe një udhëtim me shoqërinë tënde më të ngushtë. Unë kështu kam bërë dhe e kam kaluar çdo gjë shumë lehtë, kështu që sot jam e qetë dhe e kënaqur me jetën që bëj. Dhe për më tepër, edhe nëse më ndodh të zhgënjehem sërish, përsëri e kaloj shumë lehtë, se tashmë e di se si mund ta kapërcej këtë gjë dhe kam vërtetuar që çdo gjë që më ka ndodhur ka qenë për mirë për mua. Uroj që edhe ti ta marrësh veten shumë shpejt.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.