Virgjërinë ma mori vëllai

Intervista - - FAQE 1 -

- Dua të jetoj sa të rritet edhe pak e të më mbajë mend vajza, - më thoshte në ditët e fundit, ndërsa...

unë kafshoja gjuhën time për të mos i qarë në sy.

Ajo vdiq pas një viti e gjysëm, kur vajza ishte vetëm dy vjeçe e tre muajshe. Ajo s’e mbajti mend të ëmën. Besoj nuk ka burim që të ketë nxjerrë aq ujë sa ç’kam derdhur unë lot për motrën time. Pas vdekjes së motrës, ndërkohë që në shtëpinë e tyre vazhdonin vizitat, vajzën e mora unë në shtëpinë tonë që ta mbaja. Dhimbja ishte e tmerrshme jo vetëm për ne që e kishim tonën, por edhe për këdo që e kishte njohur. Vajza, pasi e kërkoi për dy javë të ëmën, filloi ta harronte e nisi të rrinte vetëm me mua. Me mua ishte mësuar e më njihte. Nuk di t’i kem lënë ndonjë milimetër të trupit pa ia puthuar asaj vajze që na ngushëlloi në atë dhimbje tonën. Burri i motrës vinte herë pas here që ta shihte. Pastaj, një vit pas vdekjes, një herë që erdhi, vajza iu hodh në krahë dhe ndërsa e përqafonte dhe i thërriste “babi” i tha:

- Babi, pse nuk na merr mua dhe mamin në shtëpi, por vjen e vetëm na takon? Të gjithë fëmijët e tjerë rrinë edhe me mamin, edhe me babin.

Pas një heshtjeje, ku fytyra e burrit të motrës sime mori ngjyrë dheu, ai iu përgjigj:

- Për këtë kam ardhur, t’i lutem gjyshit që të na e japë mamin me vete. Edhe unë nuk jetoj dot pa ty. Je dhurata më e bukur që më ka bërë jeta. E për ty do të jepja edhe jetën, do të ndërroja vendin edhe me mamin tënd, po nuk e di se si...

Vajza që nuk mori vesh gjë nga fjalët e tij, nuk tha asgjë, por edhe im atë, që me siguri dinte diçka nga nusja e vëllait, nuk u përgjigj.

- Merre vajzën e kaloni matanë, më mirë vëre në gjumë, - më tha mua.

Unë mora Lizetën, e vura në gjumë megjithëse ishte shumë herët dhe ndërsa shkova në kuzhinë për të bërë drekën, ai më tha:

- Jo, lëre drekën se do të na e japë nëna jote. Në të tre duhet të flasim. Dhëndrri ka ardhur të flasë me ty... Nga halli e bëjmë të gjithë... - E kuptova se për çfarë bëhej fjalë. E kisha parë burrin e motrës vetëm si vëlla e nuk mund të martohesha me të, por im atë ia filloi i pari: - Do të ta them vetëm me dy fjalë se po më dhemb shpirti, por nuk kam zgjidhje. Nëse ti e do me gjithë mend Lizetën, duhet të vendosësh që ajo të rritet edhe me baba e jo vetëm me dashurinë tënde. Ajo të thërret “mami” e duhet ta vazhdosh këtë detyrë derisa të rritet e t’i tregojmë...

Në atë kohë, ndërhyri edhe burri i motrës: - Ishte edhe dëshira e motrës tënde. Ajo ma ka lënë me amanet që të mos e rris vajzën me njerkë tjetër. Pastaj... edhe unë s’e kam të lehtë. Nuk mund të martohem me një tjetër e të përziej fëmijët, ndonëse, edhe në dashtë Zoti që të përzihen, ti prapë do ta duash vajzën, - tha dhe e kuqja e mbuloi fytyrën e tij që dukej sikur do të plaste në vend.

Pas dy javësh, unë u martova me burrin e motrës. Ai është një djalë i shkëlqyer, por nuk ishte zgjedhja ime. Ishte vetëm zgjidhja për Lizetën. Kur shkuam në shtëpinë e tij, Lizeta pa foton e motrës në mur dhe pyeti se kush ishte ajo gruaja e bukur.

- Është mamaja jote, - i tha i ati. - Aty kemi dalë para se të rrëzohej e të vritej në faqe. E shikon që kam zgjedhur grua të bukur?

Vajza mu afrua e më përkëdheli shenjën në faqe, ashtu siç kishte bërë e ëma dikur dhe më përqafoi fort: - Epo, unë e dua mamin tim edhe me shenjë; ajo prapë është e bukur, - tha, ndërsa rrinte mbështjellë pas meje. Qava jo vetëm atë ditë bashkë me burrin tim, por edhe sa herë ajo na pyeste për ndonjë gjë që mezi i gjenim përgjigje.

Tani, Lizeta është bërë dymbëdhjetë vjeçe. Neve na dha Zoti një djalë që i vumë emrin Damian, të njëjtin emër që motra ime kishte menduar nëse do të lindte djalë.

Vajza ime, siç jam mësuar t’i thërras Lizetës, është bërë yll e bukur si e ëma, është nxënëse e shkëlqyer dhe ia kalon mirë me të vëllanë.

Ata shkojnë bashkë në shkollë çdo mëngjes. I bëjnë bashkë detyrat mbasditeve. Lizeta kujdeset për Damianin ashtu si ime motër kujdesej për mua. Ime motër sa ishte gjallë u kujdes të më përkëdhelte gjithë kohën shenjën që kam në fytyrë nga fëmijëria e tani Lizeta kujdeset për të vëllain që të mos rrëzohet apo sëmuret. Dhimbja kalon me vitet, por mua më duket sikur e ndiej çdo ditë e më shumë në shpirt peshën e humbjes së motrës. Edhe pasi ne i treguam Lizetës se si qëndronte puna, se kush ishte mamaja e vërtetë, ajo më sheh në të njëjtën mënyrë, kujdeset për të vëllanë me të njëjtën mënyrë. Lërmë Zot të jetoj derisa fëmijët të mbushin të tetëmbëdhjetat e të bëhen të zotët e vetes e më pas më bashko me time motër. Unë ia plotësova amanetin! Dritën e syve të saj e rrita sikur të ishte imja...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.