Ajo bëri dashuri me mua dhe më dha duart

Intervista - - FAQE 1 -

Unë që po ju shkruaj jam nëna e një vajze që ma ka nxirë jetën, në kuptimin e plotë të fjalës. E rritëm me gjithë të mirat, u munduam të ishim më shumë shokë sesa prindër me të, çfarë na kërkoi e nuk ia dhamë, por ja që ndoshta nuk duhet t’u japësh gjithçka fëmijëve, që ata të bëhen të hajrit. Në fund të fundit, si u rritëm ne, mes halleve, e prapë i nderuam prindërit tanë me sjelljen tonë e i respektuam ata deri në fund të jetës. Ç’brez është kështu ky që po rritet?! Këta nuk dinë çfarë është autoriteti, çfarë është prindi, miku e shoku... Më falni që po e shkruaj kështu këtë letër, por më besoni, jam në një gjendje shumë të rëndë shpirtërore. Tani që po ju shkruaj, është ora 2 e natës dhe burri, pasi u zumë keq bashkë, zbriti poshtë në një lokal që rri hapur gjithë natën, për të pirë. Burrat e kanë kollaj, se i fusin nja dy gota e harrojnë hallet, po ne, nënat e shkreta, ç’të bëjmë?

Po ju tregoja se na ka zënë belaja me vazjën. Ajo tani është 27 vjeçe. Ju do të thoni me siguri se në këtë moshë ajo është pjekur e nuk hap më probleme, po do ti që sa më shumë t’u rritkërkan fëmijë, aq më shumë probleme hapkan?! Nuk thonë kot francezët: “Fëmijë të vegjël, probleme të vogla; fëmijë të mëdhenj, probleme të mëdha”.

Vajza jonë ka mbaruar të lartën, po ne e dimë si e ka mbaruar, se ajo s’kishte mend për shkollë. U detyruam ta çonim në një universitet privat, ku kemi paguar qimet e kokës për çdo provim që i kanë dhënë, se ajo vetë, libër nuk ka hapur me dorë. Tani them se do kishte qenë më mirë ta kishim lënë pa shkollë e ta kishim futur në ndonjë fabrikë këpucësh t’i binte bretku në punë, po hajde na thuaj neve... Një vajzë kemi e na dukej dështim i madh si prindër, ta linim vajzën pa shkollë. Nejse, sikur të ishte vetëm shkolla, haleluja!

Në vit të dytë, ajo u lidh me një djalë nga Kosova. Ai i shkreti ishte djalë i mirë dhe vdiste pas saj; çfarë donte kjo bënte, po ja që princeshës sonë iu mërzit shpejt. Domosdo, ishte llastuar shumë nga ne dhe po e llastonte shumë edhe ky, kështu që s’kishte si të mos e hidhte përpjetë, kur i thonë. Ky djali ishte nga familje e mirë dhe ata ishin shumë të lumtur që ky ishte lidhur me një vajzë nga Shqipëria, se të shkretët mendonin se vajzat e Shqipërisë janë më të mira se të Kosovës, po shumë shpejt do ta njihnin ata vajzën tonë. I fejuari e mori Lindën me vete në Prishtinë dhe kjo, me sa na tha i fejuari i saj (dhe unë i besoj plotësisht, se e njoh time bijë) kishte filluar të kërkonte qiqra në hell, të bënte si kapadai e të kërkonte që në shtëpinë e tij të bëhej si donte kjo! Po ku të duron njeri ashtu, aq më tepër në një familje tradicionale se ato të Kosovës?!

Ata kishin shkuar në Prishtinë për të ndenjur një javë e ne vetëm kur i pamë në derë të dy pas tre ditësh. Mua sa nuk më ra pika, se ia kisha frikën sime bije! Nejse, u futën brenda dhe ne e shihnim se si i rrinin ata me turinj njëri-tjetrit. Pasi i fejuari i vajzës më tregoi pak a shumë se çfarë kishte ndodhur, unë u përpoqa ta bëja vajzën time të arsyetonte, por ajo ma preu shkurt se nuk kishte ndërmend të martohej me një malok dhe i tha të fejuarit se mund të dilte që nga ai moment nga shtëpia jonë e të mos kthehej më. Kjo ishte hera e parë që e pashë me nerva të fejuarin e vajzës sime, po a i vija dot faj?! Ai u ngrit, iu afrua afër dhe thashë se e vrau, po në fakt, nuk ngriti dorë dhe as zë, por me një fisnikëri që ia kam zili, i tha shkurt: “Ashtu them dhe unë!” dhe iku. Për mua, ishte hera e fundit që e pashë. Për vajzën time, nuk e di nëse e ka parë më, por ajo për ca ditë ishte e qetë, se me siguri ishte mësuar që ai i vuinte pas avazit dhe mendonte se do të kthehej prapë tek ajo, por shpirt i thonë atij të shkreti; edhe ai, e duroi sa e duroi dhe plasi!

Ditë pas dite, e shihja se si tretej ime bijë pak nga pak dhe e kuptoja se e kishte nga meraku për Kreshnikun, se me sa duket, vetëm kur e humbi, e kuptoi se sa e donte, por tashmë ishte vonë. Unë përpiqesha t’i qëndroja afër, por ajo nuk hapet me mua. Me kokëfortësi më thonte se as që mendonte për Kreshnikun, por unë e shihja në sytë e saj dëshpërimin. Pastaj, një zemër nëne, e lexon zemrën e fëmijës së saj. Iu luta tim shoqi të shkonte të fliste ai një herë me Kreshnikun, por im shoq me të drejtë më tha se nuk kishte fytyrë t’i dilte përpara atij djali. I thashë edhe sime bije të shkonte t’i kërkonte falje, por ajo kërceu përpjetë e tha se nuk kishte rënë aq poshtë sa t’i kërkonte falje një mashkulli.

Një ditë, padashje, pashë të hapur faqen e saj të mesazheve në telefon dhe e habitur, lexova një mesazh, ku kjo e imja, i lutej atij të kthehej, i betohej se ishte penduar dhe se nuk mund të jetonte dot pa të... nuk u besova syve, por ishte e vërtetë! Pas shumë e shumë mesazheve të tilla nga ana e Lindës, pashë që ai i kishte dërguar një foto të tijën, ku ishte përkrah një vajze dhe i thoshte se tashmë e kishte gjetur dashurinë e jetës së tij dhe se bënte mirë që të mos e shqetësonte. Si ishte kthyer pllaka! Sa e çu- ditshme është jeta! Dikur i vinte ai mbrapa kësaj, kurse tani i lutej kjo dhe ai i kërkonte të mos e shqetësonte. Sigurisht, si nënë, më erdhi keq për time bijë, ndonëse e dija se ishte faji i saj. M’u dogj zemra kur mendova se çfarë mund të kishte përjetuar ajo në çastet që e kishte lexuar atë mesazh dhe e kishte parë njeriun e saj të zemrës, përkrah një femre tjetër...

Që nga ajo ditë, vajza ime ka dalë jashtë kontrolli. Çdo natë del nga shtëpia në orën 11 të darkës e lyer, e pispillosur dhe kthehet në mëngjes nga ora shtatë ose tetë. Ne kemi hequr dorë nga mendimi për ta ndryshuar sepse ajo nuk na dëgjon më. Tani gjithë ditën fle dhe gjithë natën jeton jashtë; nuk ka shoqëri, nuk ka punë dhe ka marrë fund si njeri. Po ç’t’i bëjmë? Ç’ta bën fëmija, s’ta bën as Perëndia thoshin të vjetrit dhe të drejtë kishin. Tani, mua e tim shoqi s’na mbetet veçse të zihemi e grihemi me njëritjetrin dhe të lutemi që Zoti ta ndryshojë këtë fëmijë e ta sjellë në rrugë të drejtë, se ne, jemi dorëzuar...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.