Padashje, i kisha ndarë ata të dy!

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, kjo histori që më ka ndodhur mua është një histori që të bën të mendosh se jeta që bën çdo njeri mund të jetë pa e ditur ai vetë, shkatërrim për dikë tjetër. Unë këtë kam pak kohë që e kam kuptuar, por do të ishte më mirë të mos e kisha marrë vesh kurrë, sepse më ka bërë më dyshuese dhe kjo qenka shumë e keqe për një lidhje.

Rastësisht, në vdekjen e një të afërmi të burrit, më zunë sytë një grua në mesomoshë, më e madhe se unë. Unë tani jam 35 vjeçe dhe gruaja mund të ishte nja 45 vjeçe. Vura re se herë pas here më shikonte si me urrejtje dhe më bëri shumë përshtypje. Nuk u frikësova, se mendova se mos më ka ngatërruar me ndonjë. Mendova kështu sepse unë nuk isha shumë e lidhur me fisin e burrit sepse jetoj jashtë Shqipërisë. Edhe kur vij për pushime, më kalon koha me njerëzit e mi dhe me njerëzit më të afërt të burrit, kështu që shumicën e tyre në atë vdekje nuk i njihja.

Nejse, gruaja vazhdonte të m’i ngulte sytë sa herë i jepej rasti. Nuk doja të pyesja ato që kisha afër se dhe vdekja ishte e rëndë e sikur dukesha keq po të flisja për gjëra të tjera. Megjithatë, më vonë, kur njerëzit u rralluan, pyeta nja nga tezet e burrit:

- Kush është ajo gruaja atje? Më duket fytyrë e njohur...

Tezja e burrit më pa njëherë dhe nuk deshi t’i përgjigjej pyetjes.

- Eh, ku i njoh unë tani këto të reja, jam plakë e nuk i mbaj mend.

U habita nga kjo përgjigje se ajo njihte këdo e nuk e kishte ndier aspak plakjen, edhe pse ishte rreth të 70tave. Nuk kaloi shumë kohë dhe gruaja që më shihte, gjeti rastin kur isha vetëm e nuk kisha ndonjë afër, që të ulej te karrigia bosh afër meje. - Ti je gruaja e Gimit! - Po, – i thashë duke pritur se çfarë mund të më thoshte kjo grua që nuk m’i kishte shqitur sytë gjatë tërë ditës. – Po, ju kush jeni?

- Një bashkëfshatare e tij. Pse, nuk më njeh?

- Jo, më fal, se unë nuk vij shumë në Shqipëri. - Eh, ti je rehat. Lum si ti!

- Po dhe ju këtu në Shqipëri nuk jeni keq, - mendova se ajo jetonte në fshatin nga ishte burri im.

- Në fakt, unë jetoj në Francë, nuk jetoj në Shqipëri.

- O, sa mirë! Po kur the se jam rehat, mendova se e thua ngaqë nuk jam në Shqipëri. - Jo, jo. - tha shkurt ajo. - Po qenkemi njësoj se! - Njësoj nuk jemi. Ti ke qenë me më shumë fat!

Nuk e mora vesh pse më tha ashtu, se në atë çast biseda jonë u shkëput nga disa gra që erdhën. Më kishte mbetur merak kjo grua edhe pse nuk pata rastin të flisja më me të atë ditë. Pas disa ditësh, erdhi kunata të rrinte se edhe dy ditë e do të niseshim për në Itali.

- Kishe takuar Vjollcën... - më tha.

- Kush është Vjollca? Nuk e mbaj mend...

- Atë ditë në vdekje. Ajo më tha se edhe kishit biseduar, - tha kështu dhe shikonte nga im shoq.

- Mos ndoshta është një grua që nuk m’i ndau sytë gjithë atë ditë? Me flokë të verdhë dhe simpatike?

- Ke folur me të? - më pyeti rrëmbimthi burri.

- Ajo m’u afrua dhe më pyeti disa gjëra. - Çfarë gjërash? – tha ai. - Nuk e mbaj mend mirë, se ku jetoj e kështu, muhabete grash. Përse?

- Jo, jo asgjë, - tha ai se donte ta mbyllte si bisedë.

Mua nuk më la kureshtja, ndaj pyeta kunatën:

- Ka ndonjë hall ajo? Se më tha “lum si ti që ke qenë me fat”. Ajo jetonte në Francë e i dukej vetja më keq se unë.

- Në Francë? - pyeti përsëri burri. Kjo më bëri të çuditesha sepse ai mezi të kthen përgjigje kur e pyet drejtpërsëdrejti e jo si ky rast, kur unë po flisja me kunatën.

- Ashtu më tha. - u përgjigja.

- Eh, edhe ajo! Paska gjetur ditën të bënte biseda të tilla. – tha kunata si për të mbyllur bisedën.

Dukej se pas kësaj qëndronte diçka dhe mua m’u bë fiksim të zbuloja se çfarë ishte gjithë ky mister. Për këtë, mora gjitha fotot që kishte vjehrra dhe kërkoja fytyrën e gruas për të cilën bëhej fjalë. Nuk e gjeta askund. E vetmja mundësi ishte kunata. I shkova në shtëpi dhe e pyeta direkt, sepse e ndieja se kishte diçka në këtë mes.

- Kush ishte ajo grua në vdekje që më foli e më kishte ngulur sytë?

- E pse do të dish gjëra që kanë kaluar?

- Nuk e di pse kam shumë dëshirë të di se kush është...

- Është një grua që kur ishte e re, ishte e dashuruar me burrin tënd. Tani e more vesh. Prandaj të ka thënë se je me fat, se ndoshta ende i ka ngelur në mendje vëllai.

- E dija se ishte diçka e tillë. Në sytë e saj unë pashë shumë dhimbje.

- Ehu dhe ti, ça do të hapësh ato histori që kanë kaluar tani!

Këto fjalë më lanë të kuptoja se me kunatën nuk kisha ç’të flisja më. Ishte tjetërkush ai me të cilin duhej të flisja.

- E mora vesh se kush ishte ajo gruaja. - i thashë burrit. – Pse nuk më the atë ditë? - Çfarë të të them? - Të më thoshe se ka qenë e dashura jote!

Ai më shikoi njëherë shtrembër dhe pastaj ktheu kokën nga ana tjetër. - A e ke dashur? - Po ç’janë këto gjëra tani? - ai përsëri pyeste dhe nuk përgjigjej. - Të lutem, m’u përgjigj. Ai u kthye nga unë dhe më tha: - Ti je nëna e fëmijëve të mi. Të dua vetëm ty.

E pashë të arsyeshme të mos e zgjasja më atë ditë dhe mendova të gjeja një mënyrë që ta takoja vetë atë grua. Ia dola ta gjeja një numër... (Vijon numrin e ardhshëm)

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.