Petrit Vasili: “Koço Kokëdhimën e hoqa unë nga Parlamenti”

Intervista - - AKTUALITET -

Këtë herë po sjell intervistën e bërë me zotin Petrit Vasili, një nga drejtuesit e LSIsë. Atë e gjeta të sëmurë në zyrën e tij e megjthatë, u tregua i gatshëm për intervistë...

Kaso Kosa: - Si jeni, zoti Vasili? Më thatë se ishit pa qejf sot, ndaj edhe ju falënderoj për sakrificën që bëtë për të më dhënë një intervistë... Ju uroj të shkuara, njëkohësisht! Petrit Vasili: - Tani jam më mirë, Kaso. Faleminderit për urimin. Ty t’u shtofshin ditët dhe shkrimet.

- Ç’ju kishte ndodhur zoti Vasili?

- Isha te Iliri në Gji të Lalzit, Kaso. Erdhi Likja nga Amerika dhe shkova ta takoja. - Aty u sëmurët? - Jo, jo, aty isha mirë. Kur po vinim për në Tiranë me shoferin, aty afër Gërdecit ishte rrëzuar një autobot me alkool. Me ç’mbaj mend, aty shoferi im ndaloi.

- Ndaloi? Përse, apo meqë ishte Gërdeci dhe do vendoste ndonjë tufë lule për viktimat e shpërthimit?

- Ndaloi të mbushte bidonin e benzinës me alkool, Kaso.

- Makina juaj furnizohet me alkool? Po ky qenka lajm i thënë nga ju ekskluzivisht për mua.

- Do mbushte bidonin me alkool, se shoferi ka një lokal ku shet edhe raki. Do t’i hidhnim ca ujë e sheqer alkoolit dhe do ta shisnim në lokal si raki ballë kazani. Kupton? - Tani e kuptova, zoti Vasili. - Ti, Kaso, i kupton gjithmonë gjërat me vonesë.

- Shisni alkoolin për raki, domethënë?

- Ç’të bëjmë, Kaso?! Krizë e madhe. Si ta nxjerrim lekun? Likja, që mos bëftë prokopi, s’më vendosi ministër. Dhe të mendosh që unë bëj çdo gjë si ai. U dobësua dhe ra nga pesha ai. Edhe unë u dobësova si ai...

- Ç’diskutuat me zotin Meta në Gji të Lalzit?

- Lëre Kaso, lëre. Kur e takova, ai ishte i gëzuar. Më përqafoi e më tregoi sa mirë e kishin pritur në Amerikë. Pastaj më pyeti: “Po këtej nga ju, ç’kemi?”. “Hiç, i thashë unë, atë “Eskobarin e Ballkanit” e rregulluam muhabetin me Saime Tahirin që të mos e arrestonin”...

- Ju e rregulluat atë muhabet, zoti Vasili?

- Unë e kush tjetër, Kaso. Se Likja ishte në Amerikë. Të gjitha negociatat me Saimen i bëra unë. Po ç’mu desh mua të ziut thuaj, që i thashë Likes…

- Sigurisht që do t’i thoshit, se e keni shef, zoti Vasili!

- Më bërtiti Kaso, më bëri qepaze. Më la edhe pa ngrënë e pa pirë. “Nisu, më tha, shpejt në Tiranë dhe rregullo gjërat”. - Cilat gjëra, zoti Vasili?

- Këtë pietje i bëra edhe unë Ilirit. “Nisu dhe rregullo gjërat me median, më tha, që ata legenë gazetarë të mos e quajnë më “Eskobari i Ballkanit””. - Po si ta quajnë? - Kështu e pieta edhe unë Ilirin, si ti tani. “Ta quajnë si të duan, më tha, por jo Eskobar. Pse, ne të LSI-së të mbaruar jemi, që të pranojmë ta quajnë ashtu?”. Dhe bam, më këputi një pëllëmbë. - Ju qëlloi Iliri, o zoti Vasili? - Më qëlloi që e qëllofshin rrufetë! - Përse nuk do Iliri ta quajnë “Eskobar” atë drejtorin tuaj që akuzohet për drogë, nuk e kuptoj…

- “Se ata qeveritarët kolumbianë që mbronin Eskobarin ishin të paaftë përpara nesh si LSI, më tha Iliri. Aq të paaftë ishin ata sa nuk i gjetën një diplomë universiteti Eskobarit dhe nuk e fshehën dot. Neve, më tha Iliri, jemi të aftë si parti që këtij drejtorit tonë t’i sigurojmë mbrojtje. Nisu Vasil, më tha, pa u tharë vera në buzën time dhe ndalo të gjitha mediat ta quajnë “Eskobar”. Nëse shesim drejtorin, njerëzit do mendojnë se i ka rënë fuqia partisë sonë”. Dhe u nisa unë, Kaso. U nisa pa ngrënë fare, ndaj edhe më zuri era e alkoolit në Gërdec.

- Ju kuptova zoti Vasili dhe vërtet ju vlerësoj që si parti nuk i hidhni poshtë anëtarët tuaj. Jo si ata të PS-së, që ia futën Koços… - Kujt Koço, mo Kaso? Kokëdhimës? - Po pra, për të e kam fjalën. Ia futën, e hoqën nga Parlamenti!

- Po atij ia futa unë përsonalisht dhe neve si LSI, që ta dish ti, Kaso.

- Si ia futët ju?! Nuk është e mundur…

- Po Koçua ishte hapur shumë “bythësh” në zonën e Bregut, si i thonë. Ishte bërë “Pasha”. Më merr mua Iliri e më thotë. “Petro, si t’ia bëjmë t’ia fusim Koços? Do na marrë shumë vota të banorëve të Bregut, nëse nuk ia fusim.”. “Takojmë ata të Gjykatës Kushtetuese, i thashë Ilirit. U premtojmë se nuk do t’i prekë asnjë edhe pas “Reformës në Drejtësi” dhe u zgjidh kjo punë”.

- Ju ia dhatë Ilirit këtë ide, zoti Vasili?

- Unë, Kaso, unë. E mor Kaso. Sa ide i kam dhënë unë Ilirit, s’mbahen mend, por mbeta që mbeta i persekutum. S’më bën ministër Iliri mua, jo. Më urren Iliri, meqë unë kam qenë futbollist me të rinjtë e Tironës dhe vetë është tifoz i Partizonit. Mbetëm të persekutum ne të Tironës përherë, Kaso. Edhe doktor mezi u bëra në atë kohë...

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.