Laura Radi: Unë e Dhurata, i vëmë flakën klubit!

Intervista - - MUZIKE -

Laura Radi është 16 vjeçe, është nga Kosova, por jeton, studion dhe punon për karrierën e saj në muzikë në Luzernë të Zvicrës. Nëse moshataret e saj mendojnë vetëm si të vishen nesër, ajo mendon si do vishet në klipin e ardhshëm. “Qysh e lyp” është klipi i saj më i ri, por jo i vetmi për të, pavarësisht se është ende kaq e vogël në moshë. Ka një ngjashmëri fizike, por edhe nga stili i të kënduarit me këngëtaren simpatike Dhurata Dora, që vetë Laura thotë se e pëlqen shumë... Por Laura nuk thotë vetëm kaq, në intervistën e saj...

Fabjola Kuburi: - Çfarë duhet të dijë publiku për Laurën, jashtë asaj që reflekton ekrani?

Laura Radi: - Jam fëmija i vogël i familjes, bëj jetën normale të një vajze 16 vjeçare, vijoj mësimet në shkollë, në Luzernë të Zvicrës dhe jam tërësisht ndryshe nga ajo që shfaqem në ekran.

- Të është dashur të presësh shumë derisa u bëre pjesë e botës së muzikës?

- Jo. Për fat të mirë, kam pasur shumë përkrahje nga familja dhe mbështetjen e ndihmën më të madhe nga djali i xhaxhait, i cili aktualisht jeton në Kosovë dhe gjithashtu është këngëtar, Albert Radi. Ai ma ka bërë më të lehtë hyrjen në botën e muzikës.

- Në përgjithësi, këngët ngjajnë me njëra-tjetrën e klipet po ashtu… Çfarë beson se ke bërë ndryshe në “Qysh e lyp”, diçka që nuk e kanë bërë të tjerët?

- Kënga “Qysh e lyp” për moshatarët e mi besoj se është pak më guximtare dhe e hapur, si në tekst, ashtu edhe në lëvizje dhe në videoklip. Kjo mund të jetë ajo që e bën ndryshe nga këngët dhe videot e tjera.

- Ti je 16 vjeçe, por ke sjellë shumë klipe. Çfarë bëjnë bashkëmoshataret e tua?

- Po, jam 16 vjeçe dhe besoj se moshataret e mia merren me studime, me kurse të ndryshme, ndoshta dhe luajnë me kukulla ende (qesh), ndërkohë që besoj se ka edhe prej atyre që e mendojnë të hyjnë në botën e muzikës. Shpresoj të jem unë si shtysë për këtë qellim, edhe pse sa është ndjenjë dhe eksperiencë e bukur, aq është edhe lodhje dhe angazhim i madh.

- Je gati të bëhesh një VIP?

- Besoj se puna dhe angazhimi i madh në botën e muzikës, një ditë do të më shpërblehen me atë titull.

- Cila të pëlqen nga femrat shqiptare që kanë bërë emër?

- Këngëtarja femër më e mirë shqiptare, për mendimin tim, është Dafina Zeqiri. E kam ndjekur qysh në fillim të karrierës dhe vazhdoj ta ndjek e të mos e ndërroj këtë mendim.

- Ke një ngjashmëri të madhe si në luk, ashtu edhe në stil, me Dhurata Dorën. Çfarë do t’i thoje asaj në këto momente?

- Nuk është hera e parë që më thonë kështu. (Qesh) Dhurata Dora është një këngëtare e mrekullueshme dhe po ashtu, shumë e bukur. Fjalët që do t’i kisha thënë Dhuratës, janë: “Vetëm vazhdo kështu sepse sukseset i ke të garantuara”.

- Nëse do të ishe në një skenë me Dhurata Dorën, çfarë kishte për të ndodhur në skenë?

- Nëse unë dhe Dhurata do ishim në skenë së bashku, do t’i vinim flakën klubit. (Qesh)

- Një bashkëpunim me Dhuratën, do ishte me vlerë?

- Po patjetër, me një këngëtare si Dhurata, patjetër që po.

- Çfarë të josh më tepër nga bota e spektaklit?

- Së pari, është ndjenja më e bukur kur të duartrokasin një mori njerëzish, magjia e skenës, dritat, publiku. Ka shumë gjëra që të bëjnë ta adhurosh skenën.

- Do të doje të ndryshoje diçka në pamjen tënde?

- Jo, jam shumë e lumtur me atë që më ka dhuruar Zoti.

- Po në karakterin tënd, çfarë nuk të pëlqen?

- Jam kokëfortë dhe këtë do kisha dashur ta përmirësoj ose ta ndryshoj pak, të tjerat janë në rrëgull(Buzëqesh)

- Në thelb, ti bën muzikë për veten apo për të tjerët?

- Nëse nuk bën muzikë për veten, nëse ti personalisht nuk e ndjen atë që bën, atëherë nuk mund ta bësh as për publikun.

- Ç’mendon për skandalet që shoqërojnë këngëtaret në përgjithësi?

- Nuk e di, jam shumë e re dhe as që dua të mendoj për skandalet, nuk e di a do kisha mundur t’i përballoja fjalët dhe shkrimet nëpër portale siç po bëhen pa pushim, gjatë gjithë kohës, për këngëtaret e tjera, por diçka doja ta thoja edhe unë: “Bëni famë me muzikë, jo me skandale”.

- Për çfarë mendon një vajzë e moshës tënde?

- Ah, e di që do të duhej të mendoja më shumë për shkollën e se si të dal me shoqërinë për t’u argëtuar, por është pak më ndryshe për mua. Unë mendoj gjithë kohës për të gjetur një këngë dhe një tekst të ri, për veshjet e videoklipit, për dukjen, si dhe për një sukses më të madh për të më shpërblyer gjithë punën që po bëj.

- Çfarë mendon sa herë e shikon veten në pasqyrë?

- I bëj një falënderim Zotit për gjithçka që më ka dhuruar.

- Ëndërron vetëm në gjumë apo edhe me sy hapur?

- Më shumë me sy hapur sesa në gjumë. (Qesh)

- Kujt ia tregon sekretet e tua?

- Gjithmonë mikes më të mirë me të cilën jam bashkë çdo ditë dhe gjatë gjithë kohës.

- Thjesht, duke të parë në klipet e tua, ti më jep përshtypjen e një vajze të guximshme dhe të fortë. Çfarë të karakterizon tjetër? Çfarë tjetër duhet të dimë për ty?

- Jam një vajzë e urtë, e ndjeshme, 100% ndryshe nga ajo që shihet në klipet e mia.

- Pas disa vitesh në skenë, zakonisht personazhet e njohura vendosin të hapin një biznes të tyrin. Cili do të ishte biznesi yt?

- Ndoshta, ndonjë shtëpi mode, sepse e ndjek modën dhe besoj se kjo do të ishte zgjedhja ime.

- Thonë që jeta e këngëtarëve është e mbushur me qejf e argëtim. Është e tillë edhe jeta jote?

- E thashë edhe më lart se gjithçka ka të bëjë me artin, është kënaqësi dhe qejf, por pas asaj çfarë shihet në skenë, fshihet një punë dhe angazhim shumë i madh. Mund të them se jeta e këngëtarëve është punë dhe kënaqësi.

- Çfarë do t’i kërkoje të ardhmes?

- Së pari, shëndet; pastaj, dashuri dhe sukses.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.