Eglantin Sota: Këngën e parë ia kushtova vëllait që nuk jeton…

Intervista - - MUZIKE -

Eglantin Sota është 19 vjeç dhe sapo ka lançuar klipin e tij të parë me titull “Mërgimtar në shekuj”, këngë që ia ka kushtuar vëllait të tij, i cili nuk jeton më për shkak të një aksidenti rrugor. Eglantini është shumë ambicioz dhe premton të sjellë akoma më shumë këngë të tjera, të cilave do t’u kushtojë shumë dashuri dhe pasion…

Sadri Kuburi: - Eglantin, nëse do ishe përpara një jurie muzikore, si do të prezantoheshe?

Eglantin Sota: - Përshëndetje, unë jam Eglantin Sota, jam 19 vjeç dhe kam studiuar për shumë vite kanto. E dua muzikën, prandaj i jam përkushtuar me mish e me shpirt dhe kam nxjerrë edhe klipin tim të parë me titull “Mërgimtar në shekuj”, një këngë për të cilën kam kaq shumë dashuri, sepse ia kam kushtuar vëllait tim, i cili nuk jeton më, për shkak të një aksidenti në Greqi. Kjo këngë u kushtohet gjithashtu të gjithë shqiptarëve anembanë botës, kudo ku janë, duke i uruar të mos kenë kurrë dhimbje në jetët e tyre, por vetëm mirësi.

- Ti ke një zë shumë të bukur. Kur e ke zbuluar talentin tënd dhe si lindi pasioni për këngën?

- Faleminderit për vlerësimin. Dëshira për të kënduar më ka shoqëruar që në fëmijëri. Merrja pjesë në aktivitetet që organizoheshin në shkollë, fillimisht duke imituar këngëtarë të tjerë dhe më pas, duke menduar që të mos e lija me aq ëndrrën që kisha për muzikën, u mora më shumë e u angazhova në koncerte e festivale të ndryshme që organizoheshin. Tani, mendoj se me dashuri dhe me përkushtim, me vullnet dhe punë, mund t’i realizojmë të gjitha ëndrrat tona.

- A je i kenaqur me atë që ke arritur deri tani?

- Gëzimi dhe vlerësimi më i madh për mua është tek shikoj që publiku, në çdo dalje live ose në këngë, mbetet i kënaqur dhe kjo më jep një motiv më shumë për të ecur përpara.

- Si e mendoje botën e muzikës dhe sa ndryshe është ajo nga çfare ke ëndërruar?

- Të them të vërtetën, e mendoja shumë më ndryshe nga realiteti që përjetohet. Ashtu si çdo fushë e artit, edhe muzika ka vështirësitë e veta, por kur diçka e do me të vërtetë dhe me shpirt, e arrin. Asgjë nuk është e pamundur nëse ke pasion për të.

- Sa të lidhur jeni ti e muzika në përgjithësi, si dhe ajo e jugut, në veçanti?

- Për mua, muzika është vetë jeta. Lidhja mes meje dhe muzikës është diçka shumë e veçantë, aq e veçantë sa nuk gjej fjalë ta përshkruaj; di vetëm të them që pa muzikë nuk ka jetë. Muzika e jugut është muzika që unë lëvroj më shumë sepse jam vetë nga jugu dhe më përshtatet në origjinë, por edhe në vokal.

- Si u realizua klipi “Mërgimtar në shekuj”?

- Unë jam në hapat e parë të karrierës dhe klipi që është në treg, “Mërgimtar në shekuj”, është klipi im i parë, i real- izuar jashtë Shqipërisë dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë ata që u bënë bashkë për të nxjerrë diçka të bukur në dritë, kompaninë “Ledi Production”, Elroni Tv, si dhe të gjithë grupin muzikor që ka bërë një punë të palodhshme dhe shumë të bukur në të njëjtën kohë.

- Ti je i ri në moshë, por edhe në profesion. Cila është eksperienca jote muzikore më e bukur deri më tani?

- Eksperienca më e bukur për mua, kanë qenë mbrëmjet live ku kam ndier të gjithë ngrohtësinë që më ka dhuruar publiku. Aty ndjen dhe merr vlerësimin për rrugëtimin e vështirë, por shumë të bukur të artit. Uroj të kem sa më shumë të tilla.

- A ke një skenë ëndrrash në mendjen tënde?

- Skena e ëndrrave të mia është të kem përpara një publik të madh dhe në fund të marr vlerësimin dhe duartrokitjet e tij.

- Pse mendon se janë kaq të suksesshme bashkëpunimet?

- Sepse kanë një ndërthurje artistësh dhe gërshetojnë edhe zhanret e eksperiencat.

- Çfarë do të kemi në vazhdim nga Eglantini?

- Kënga e radhës është në realizim e sipër dhe për pak javë do të jetë në treg. Është një këngë që ka në bazë të saj ritmet popullore të jugut dhe do jetë një kolazh muzike popullore. Kaq mund të them për momentin sepse dua që të jetë një surprizë e bukur. Do të ketë edhe këngë tjë tjera në vazhdim, bashkëpunime dhe jo vetëm.

- Kujt i kërkon këshilla dhe kush të kritikon?

- Këshillat janë shumë të çmuara për mua. Këshillat që mirëpres dhe e di që janë shumë të vërteta e pozitive janë ato nga familja ime, e cila më ka mbështetur dhe vazhdon të më mbështesë. Kritikat i pranoj nga ata që kanë më shumë eksperiencë se unë, pasi fjala e tyre zë vend dhe më ndihmon që të përmirësohem në të ardhmen.

- Të pëlqen të eksperimentosh në muzikë, thjesht për të qenë më i pëlqyer?

- Sigurisht, duke punuar dhe eksperimentuar, mund të arrish shumë dhe synimi im ky është.

- A mendon se muzika shqiptare është e kërkuar dhe e dashur kudo nëpër botë?

- Po, është e vërtetë, sepse muzika shqiptare po dëgjohet anembanë botës, kudo ku ka shqiptarë. Edhe unë, shumë shpejt, do të jem pranë shqiptarëve në Amerikë, bashkë me disa kolegë të mitë, i ftuar për kënaqësinë e shqiptarëve atje ku do të këndoj me shumë përkushtim.

- Cila është motoja jote dhe mesazhi yt, për të gjithë lexuesit e gazetës sonë?

- Me punë dhe vullnet arrihet gjithçka. Kam qenë, jam dhe do të vazhdoj të jem i këtij mendimi.

- Çfarë të ngeli merak nga kjo intervistë?

- Doja t’ju falënderoja për punën tuaj të palodhshme, publikun tim që më ka vlerësuar e uroj të vazhdojë të më vlerësojë, si edhe të gjithë lexuesit kudo ku janë. Dëgjoni muzikë, është ilaç për shpirtin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.