Shkëmbi: Jam dhe do të vdes i Skënderbeut

Intervista - - SPORT -

(Vijon nga faqja 3) lojtarë të shpejtë, ndaj edhe ulja juaj në stol ishte diçka taktike...

- Nuk e di, por mendoj se futbolli nuk është i shpejtë se vrapon shpejt, por se mendon shpejt. Këto janë zgjedhje të klubit dhe unë i kam respektuar deri në sekondën e fundit.

- Keni biseduar me trajnerin Josa për qëndrimin në stol?

- Asnjëherë. Me trajnerin Mirel Josa kam biseduar vetëm në momentin kur i thashë për lënien e futbollit. Për asgjë tjetër nuk kemi biseduar.

- Si reagoi ai kur i thatë se do ta linit futbollin?

- Ishte një reagim normal. U duk qartë që i erdhi keq dhe kaq. Lamtumira me ekipin ka qenë më e veçantë. Kanë gati dy javë që e dinë dhe janë ndjerë në emocion të madh.

- Sot keni ngritur trofeun e titullit të 6-të radhazi. E kishit menduar momentin e lamtumirës?

- Patjetër që e kisha menduar gjatë dhe vendosa me keqardhje, por me shumë krenari për gjithçka që kam bërë. Jam i bindur se kam bërë maksimumin. Sidomos jashtë fushe, kam bërë shumë gjëra që njerëzit nuk i dinë.

- Sa vite futboll ka luajtur Shkëmbi?

- Si profesionist, kam 20 vite futboll. Janë 20 vite të arta, me ulje-ngritje, por janë të arta. Momentet më të mira kanë qenë kur kam rënë dhe jam ringritur. Ka pasur shumë herë, kur shumë njerëz, të cilëve u duket se marrin vesh nga sporti, kanë thënë se Bledi ka mbaruar, por Bledi ua ka dhënë gjithmonë përgjigjen.

- Kujt ia dedikoni këtë karrierë kaq të gjatë sportive?

- Familjes i dedikoj shumë gjëra, por karrierën e gjatë sportive ia dedikoj babait.

- E keni nisur me Gëzdarin dhe e mbyllni me Josën trajner...

- Po, e kam filluar me profesor Mond Gëzdarin, i cili më ka hedhur në fushë në moshën 15-vjeçare, në mos gaboj, kundër Teutës, që atëherë ishte ekip shumë i fortë.

- Keni ndonjë pishman?

- Jo, për asgjë. Në futboll dhe në jetë kam pasur gjithçka kam dashur. Falënderoj Zotin, sepse jam shumë me fat që isha lojtari i parë i afruar te Skënderbeu i madh dhe vazhdoj të them që është një fat i madh për mua. Falënderoj ish-presidentin Agim Zeqo, që ishte iniciatori i këtij ekipi të madh, duke kaluar tek Ardjan Takaj, presidenti që vazhdoi me këtë Skënderbe, e menaxhoi dhe e fuqizoi gjatë rrugëtimit. Patjetër, edhe gjithë bashkëlojtarët e këtyre 6 viteve.

- Çfarë mesazhi ka Shkëmbi për Korçën në këtë moment?

- Faleminderit për mbështetjen që më kanë dhënë dhe nuk e fsheh se ndihem krenar për gjithçka i kam dhënë këtij qyteti dhe për gjithçka që ky qytet më ka dhënë, si birin e vet.

- Tani cilësoheni si ikonë, pasi 6 tituj si kapiten nuk ndodhin shpesh në jetë!

- Këtë gjë ma ka thënë ish-presidenti Zeqo dhe presidenti Takaj para disa ditëve, kur u bëra të ditur tërheqjen nga futbolli. Më kanë thënë: “Ti ende nuk e ke të qartë çfarë ke bërë, por kur të largohesh, do ta kuptosh çfarë ke arritur”. Për momentin, më duket sikur kam bërë detyrën.

- Takaj është shprehur se “Shkëmbi është pjesë e Skënderbeut”. Ju është afruar ndonjë detyrë nga klubi?

- Mendoj se duhet të festojmë dhe të qetësohemi, më pas shohim. Mua më vjen mirë që e ka thënë presidenti Takaj dhe patjetër që do të jem gjithmonë pjesë e Skënderbeut. Vij nga një familje korçare, i lindur dhe i rritur këtu. Di çdo gur të çdo fushe rreth e qark stadiumit dhe mbetem gjithmonë i Skënderbeut. Kam lindur i Skënderbeut dhe do të vdes i Skënderbeut, pavarësisht nëse do të jem në klub apo jo. Momentalisht nuk kam asnjë ofertë, por edhe nuk kam pritur asnjë ofertë, pasi është shpejt. Në çdo moment kam menduar se e mira e Skënderbeut është të dalë kampion.

- Keni menduar të nisni karrierën si trajner?

- Kam kohë që e mendoj dhe besoj se do të bëhem një trajner i zoti. Kam filluar të studioj për këtë, por edhe të mësoj nga gabimet që bëjnë trajnerët në një ndeshje, që t’i kem si mësim dhe të mos gaboj në të ardhmen.

- Në dy ndeshjet e fundit keni qenë afër Josës në stol... Një shans për të mësuar më shumë?

- Jo, nuk mund ta quaj kështu. Kanë qenë ndeshje të veçanta dhe të vështira, ku kemi biseduar për ndeshjen, por nuk kam filluar kaq shpejt me punën e ndihmësit.

- Trajner i ardhshëm i Skënderbeut?

- Është shumë shpejt, por patjetër që e ëndërroj.

- A e kishit menduar ndonjëherë se do ta mbyllnit me gjashtë tituj të fituar njëri pas tjetrit?

- Jo, asnjëherë. Që do ta mbyllja me kaq tituj dhe me këtë mënyrë kaq të bukur, nuk e kisha menduar asnjëherë dhe as e kisha ëndërruar.

- Shiriti i kapitenit ju ka mbetur si tatuazh në krah. Tani që u larguat nga futbolli, kujt do t’ia linit, nëse do të ishte në dorën tuaj?

- Për shiritin dua të them se kënaqësia më e madhe që ndjej kudo, sidomos në dhomat e zhveshjes, është fakti që emrin ma kanë harruar shokët dhe Korça, duke më thirrur vetëm kapiten. Më shumë përshtypje më bën në dhomat e zhveshjes ky fakt. Mendoj që tani kapiteni është Shehi dhe jam i bindur se është po aq i zoti sa unë, pasi të dy bashkë kemi qenë udhëtarë të kësaj rruge të ndritur.

- Çfarë do të bëjë Bledi Shkëmbi nesër?

- Atë që bëj përditë në ditët e pushimit. Po filloj një biznes familjar dhe do të merrem me të.

- Cila është pasuria juaj më e madhe?

- Familja, patjetër. Të gjitha të tjerat më duken shumë më pak të rëndësishme se familja.

- Së fundi, një urim për Skënderbeun, tashmë si ish-lojtar...

- Të vazhdojë me kualifikimet në Evropë, sikundër bëmë vjet dhe të vijojë me trofe kaq të rëndësishëm, pasi i shkojnë për shtat këtij ekipi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.